Nëse frekuentoni fshatin Tatarica në rajonin e qytetit Silistra, do të shihni shtëpi të vjetra njëkatëshe me çati të kruspullosura, të ndërtuara në stilin rus, ndërsa në rrugët plotë pluhur mund të takoni burra të moshuar, mjekërgjatë, me sy të ndritshëm dhe një sjellje aristokratike. Për gati 300 vjet, një komunitet i vogël, por i lidhur ngushtë rusësh etnikë, jeton këtu. Ata quhen besimtarë të vjetër ose lipovanë. Ata janë thellësisht fetarë, jetojnë sipas kanuneve të Ortodoksisë së Vjetër dhe respektojnë traditat ruse të transmetuara ndër breza. Kryesisht të moshuarit mbetën në Tatarica, të rinjtë largohen për të kërkuar fatin diku tjetër. Por të gjithë përpiqen të kthehen në shtëpi gjatë festave për të ndjekur shërbesat dhe vigjiljet e gjata të natës në Kishën Ruse “Qefini i Nënës së Shenjtë të Zotit”.
Shërbimet në kishë kryhen nga 20-vjeçari Konstantin Kostadinov - student në Universitetin Teknik të Varnës. Për këtë qëllim, i riu udhëton çdo javë nga qyteti bregdetar Varna deri në fshatin e tij të lindjes, Tatarica. Që kur ishte fëmijë, ai mësonte të lexojë librat e vjetër kishtare në kishën e fshatit. Por kur prifti nisi të kujdeset për një tempull tjetër të Besimtarëve të Vjetër në Rumaninë fqinje, mezi 13-vjeçari Konstandin duhej ta zëvendësonte atë. Që atëherë kaluan 7 vjet. “Prifti na vjen vetëm në festa të mëdha, pjesën tjetër të kohës i drejtoj shërbesat unë”, thotë Konstantini.
“Për mua kjo është një domosdoshmëri, sepse kam shumë dëshirë të kujdesem për kishën. Këtu ka më pak se 100 Besimtarë të Vjetër të cilat e frekuentojnë kishën. Në festat e mëdha vijnë rreth 30-40 veta, sepse shumica e tyre, sidomos të rinjtë, janë në qytete. Përndryshe, ndihem si rus, rrënjët e mia janë të tilla. Në shtëpi flasim kryesisht rusisht. Ky është një dialekt i rusishtes, ka shumë huazime. Fshati u themelua gjatë Perandorisë Osmane dhe këtu njerëzit kanë marrë nga format e vjetra të gjuhës ruse, si dhe nga ukrainishtja, bullgarishtja dhe disa fjalë turke. Ne nuk kemi asnjë kontakt të drejtpërdrejtë me Rusinë - as me ambasadë, as me qeverinë apo në nivel shtetëror. Dhe kisha jonë i përket një dioqeze që ndodhet në Rumani”- thotë Konstandini.
Në shekujt 17-18, me urdhër të Pjetrit të Parë, në Rusi u krye një reformë kishtare me qëllim evropianizimin e shpejtë të vendit. Por ithtarët e ortodoksisë së vjetër ishin kundër ndryshimeve dhe ishin të persekutuar mizorisht nga autoritetet. Shumë prej tyre përfunduan në turrën e druve. Qindra mijëra ikin nga atdheu i tyre për të ruajtur besimin. Dy grupe të vogla besimtarësh të vjetër rusë u vendosën në Bullgari. Njëri u vendos në fshatin Kazashko të Varnës, dhe tjetri mbërriti në rajonin e qytetit Silistra dhe themeloi fshatin Tatarica:
“Pse quhet Tatarica? Nga të moshuarit kam dëgjuar se këtu jetuan tatarë dhe për nderë të tyre fshati u quajt ashtu. Autoritetet osmane i dhanë tokën ku të vendoseshin, u dhanë leje njerëzve të ndërtonin një kishë dhe të punonin tokën. Ishte një fshat më vete deri në vitin 1956, por më pas iu bashkua Ajdemirit, si një lagje e pavarur”, thotë Konstantin.
Tatarica dikur kishte nga 400 deri në 500 banorë, familjet ishin të mëdha dhe burrat shkuan të kërkonin nuset e besimit të tyre në fshatin rumun në anën tjetër të Danubit. Sot këtu mbretëron përjetësia, shtëpitë e bukura të stilit rus po shemben dhe rrugët janë të shkreta. Kisha e Ritit të Vjetër “Qefini i Virgjëreshës së Shenjtë”, e shpallur monument kulture, ka nisur të plasaritet dhe tashmë komuniteti po kërkon dëshpërimisht fonde për restaurim. “Do të përpiqemi të aplikojmë për fondet evropiane”, thotë Konstantin. Dhe shton se dëshiron të kalojë sa më shumë kohë në fshat, por ende nuk ka vendosur se cilën rrugë do të ndjekë pas diplomimit. E ardhmja e komunitetit të vogël të Besimtarëve të Vjetër në Tatarica humbet në mjegullën e kohës.
Shikoni më shumë:
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto dhe video: Veneta Nikolova
A ndodh që nëpër muze të ketë edhe disa eksponate të falsifikuara aq mirë sa nuk dallohen fare nga origjinalet - ka zëra dhe spekulime për këtë temë, por për momentin një seri e tërë falsifikimesh historike janë pjesë e një ekspozite në Muzeun Kombëtar..
Një statujë unike nga periudha romake e qytetit Odesos, e datuar paraprakisht në fund të shekullit II dhe gjysmën e parë të shekullit III, u gjet gjatë gërmimeve në zonën e stacionit hekurudhor në Varna, njoftuan arkeologët nga Muzeu Historik..
Një kompleks prej një duzinë shtëpish të vogla, të vendosura në pjesën jugore të qytetit shkëmbor Perperikon, u zbulua nga arkeologët nën drejtimin e Prof. Nikollaj Ovçarov. Sipas tij, bëhet fjalë për një lagje të tërë që daton nga shekulli XIII-XIV,..