Bullgaria është në prag të zgjedhjeve të radhës për kryetarë bashkie dhe këshilltarë bashkiakë, të cilët formojnë pushtetin vendor në rajone të ndryshme të vendit. Si institucioni kryesor politik i qytetarëve në një shoqëri demokratike, qeverisja vendore u vendos për t’u dhënë njerëzve mundësinë të ndjehen si komunitet. Pikërisht qëllimet dhe interesat e përbashkëta i japin bazë një grupi të caktuar njerëzish të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në pushtet, të cilët të punojnë për arritjen e tyre.
Hapat e parë drejt vetëqeverisjes lokale në Bullgari
Që në nëntor të vitit 1876, në Rusi u krijua Zyra për Administrimin Civil të tokave të çliruara përtej Danubit, të cilat do të ndaheshin nga Perandoria Osmane. Qëllimi ishte krijimi i një administrate ushtarako-civile atje me pjesëmarrjen e bullgarëve, të cilët duhej të fitonin përvojë administruese për të marrë më tej fatin në duart e tyre. Kështu, organizimi i pushtetit lokal bullgar filloi nga autoritetet ushtarake ruse në vitet 1877-78, pra që gjatë Luftës Ruso-Turke për çlirimin e Bullgarisë. Autoritetet pushtuese e kuptuan shpejt se në organizimin e komunave kishtare-popullore, bullgarët kanë tradita në vetëqeverisje. Në këto komuna, edhe para Çlirimit, bullgarët taksonin veten me tarifa “lokale”. Mbanin shkollat, vatrat e kulturës dhe kishat e tyre. Ata caktuan mësues dhe vendosën se çfarë dhe si duhej të mësonin fëmijët e tyre. Këto komuna përfaqësonin bullgarët para autoriteteve osmane dhe bashkësive të tjera etnike në perandori. Pra, pushteti rus caktoi si funksionarë të tij lokalë, përkatësisht bullgarë të njohur për popullatën, të zgjedhur nga komunat e vetëqeverisjes lokale deri atëherë.
Si u krijua vetëqeverisja bashkiake bullgare pas Çlirimit?
“Ishte e vështirë të krijohej, procesi ishte i vështirë dhe gradual si çdo gjë në një shtet të ri, siç ishte atëherë Bullgaria, me mungesë të traditave civile dhe një kulture civile të qëndrueshme ndër popullatën bullgare – komenton historiani dhe lektor në Universitetin e Sofjes “Shën Kliment Ohridski” Svetosllav Zhivkov. – Administrata pushtuese ruse investoi disa burime në organizimin e bashkive përkatëse. Thuhet se ata hodhën themelet e vetëqeverisjes, por duhet të kemi parasysh se të paktën deri në vitet 1901-1903 komunat ishin shumë të varura nga pushteti shtetëror. Prandaj, është e vështirë të flitet për vetëqeverisje reale në kuptimin modern të fjalës. Siç dihet, sot secili kryetar bashkie dhe këshilli bashkiak ka mandatin e tij dhe ka një ndarje midis bashkive urbane dhe rurale. Por, ky mandat në atë kohë ishte kryesisht fiktiv, sepse ministri i brendshëm kishte të drejtën të “shpërndante” në çdo kohë një bashki rurale apo urbane. Ai e shpërdoronte shumë shpesh këtë rol deri në momentin kur u ndryshua ligji, i cili siguroi që ministri të mos kishte më të drejtën të mbyllte komunat.”
Një analizë e fushatave zgjedhore për pushtetin vendor deri në vitin 1944 tregon se ato nuk ishin shumë të ndryshme nga ato të bashkëkohësve tanë:
“Luftimet partiake, denigrimet dhe sharjet ndaj kandidatit rival i kanë shoqëruar të gjitha fushatat në vendin tonë – është kategorike docentja Milena Stefanova, studiuese e interesit publik për vetëqeverisjen lokale. – Edhe para Çlirimit, gjatë Rilindjes, kur çifligarët bullgarë si sundimtarë lokalë mund të perceptohen si prototipa të kryebashkiakëve, krijuan parti të çifligarëve. Pas kësaj, ata luftuan me të gjitha mjetet dhe nuk frikësoheshin as nga vrasja,as nga shkatërrimi i shkollave ekzistuese. Arsyeja, për shembull, ishte se palët konkurruese debatonin se në cilën lagje duhej të ishte shkolla. Gjithmonë ka pasur këtë lloj pandershmërie. Sot, në vend të kësaj, ne jemi dëshmitarë të blerjes së votave dhe përpjekjeve të dështuara për t'u përballur me këtë praktikë të mbrapshtë.”
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: BТА, BGNES, bulgarianhistory.org, arkiv
Kanë kaluar 147 vjet nga betejat për mbrojtjen e qytetit Stara Zagorës në vitin 1877. Në shenjë respekti dhe nderimi për heroizmin e të rënëve për liri, më 31 korrik në Kompleksin Përkujtimor "Mbrojtësit e Stara Zagorës" do të kryhet një ritual..
Gjatë gërmimeve të shpëtimit, nga nekropoli i kolonisë romake Ulpia Raciaria (në afërsi të fshatit Arçar, komuna Dimovo, rajoni i qytetit Vidin) u zbuluan 17 varre, nga të cilat pesë varre dhe 12 varre në gropa. Këtë e njoftoi Zdravko Dimitrov nga..
Në vitin 2009, bashkatdhetari ynë Anton Orush solli koleksionin e tij kushtuar teknologjisë bullgare. Ndër eksponatet në të ka televizorë, radio, pajisje kuzhine, kompjutera, telefona, pajisje për lëshim faturash etj. Gradualisht, ky pasion i tij e shtyu..
Vullnetarë përfshihen në pastrimin dhe rimëkëmbjen e manastirit “Shën Spas” pranë majës Bakaxhik në rajonin e qytetit Jamboll të Bullgarisë Juglindore...