Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Veronika Todorova - për kthimin në atdhe dhe jetën nëpër koncerte në Bullgari

Foto: Facebook /Veronika Todorova

Një grua e jashtëzakonshme bullgare, muzikante dhe artiste virtuoze e fizarmonikës u kthye dhe solli të gjitha koncertet e saj në atdhe. Kjo është Veronika Todorova, e cila prej afro 20 vitesh ndërton një karrierë të suksesshme si dirigjente dhe muzikante në Gjermani, Austri, Holandë, Finlandë dhe në skena të tjera evropiane. Në vitin 2006, në kampionatin botëror të fizarmonikës në Norvegji, ajo u shpall fizarmonistja më e mirë në botë. Po atë vit fitoi edhe titullin “Mjeshtër i Gjermanisë”. Vetë instrumenti është fizikisht i vështirë për femrat, prandaj fizarmonistët më të shquar në botë janë kryesisht meshkuj.

Për Veronika Todorovën, kritikët muzikorë në vendin tonë thonë se ajo e zotëron instrumentin në perfeksion, dhe përveç kësaj, ajo mund të interpretojë stile muzikore nga më të ndryshmet - nga baroku, klasikja dhe tango-nuevo përmes kompozimeve të saj deri tek etno-xhazi modern. Kjo e bën atë një partnere shumë të kërkuar në skenën e ansambleve orkestrale dhe interpretuesve solistë, siç janë projektet mbresëlënëse me violinistin Vesko Eshkenazi dhe Filarmonia e Plevenit.

Muzikantja e re fëmijërinë e ka kaluar në fshatin Debnevo të Trojanit në veri të Bullgarisë. Veronika Todorova e mëson fizarmonikën që në moshën 6-vjeçare dhe talentin e saj e zbuloi mësuesi i saj i parë Dimitër Cvetkov nga Lloveç:

“Prindërit e mi, të cilët i mbështetën me shumë dashuri dhe përkushtim aktivitetet e mia muzikore, nuk më penguan asnjëherë të marr pjesë në asnjë konkurs. Pjesën më të madhe të viteve e kam kaluar si nxënëse në Shkollën e Muzikës në Trojan, dhe me mësuesen time Marieta Zhekova. Më pas shkuam në Gjermani me familjen time dhe pata fatin të studioja me një fizarmonist shumë të mirë rus, dhe më pas u zbulova nga Renzo Ruggeri, një nga muzikantët më të ndritur - një yll i skenës botërore të xhazit - pata mundësinë dhe fatin e madh për të studiuar për tre vjet në akademinë e tij të xhazit në Itali, dhe më pas u diplomova në Akademinë e Muzikës në Darmstadt (Gjermani) për fizarmonikë.“

Veronika thotë se vitet e fundit koncertet e saj janë mbi 180, dhe në skena të ndryshme evropiane. Ajo është ndjerë mirë në skenat gjermane, ka qenë dirigjente në orkestra të ndryshme, drejtuese projektesh prestigjioze, mësuese muzike në Gjermani, por gjithmonë ndjente nevojën të ishte në atdheun e saj dhe të frymëzohej nga jeta në Bullgari.

Përveç kësaj, ajo shkruan muzikë dhe gjithnjë e më shumë fillon t'i drejtohet rrënjëve të saj dhe trashëgimisë së atdheut. Kjo e bëri atë që në fillim të pandemisë në vitin 2020, të merrte një vendim përfundimtar dhe të kthehej në Bullgari dhe mbi të gjitha në fshatin e saj të lindjes, Debnevo. Prej tre vitesh ajo është shpërngulur përfundimisht këtu së bashku me vajzën e saj dhe thotë se tani e ndjen se jeta e saj është vërtet e plotësuar dhe e suksesshme. Një tjetër ëndërr e Veronikës u realizua dhe ajo organizoi një festival muzikor në Debnevo, duke tërhequr muzikantë nga e gjithë bota. Këtë vit ai u mbajt për herë të pestë. Quhet “Jam on the River” dhe skena është në një livadh të gjelbër dhe përdekor natyror është bukuria e Ballkanit.

“Kudo, edhe në fshatin më të vogël, njerëzit kanë nevojë për artin, sepse ai është ushqim për shpirtin tonë”, thotë Veronika Todorova.

“Festivali lindi për shkak të dëshirës sime për të njohur muzikantët bullgarë dhe për të ofruar një skenë ku mund të luajnë kolegët e mi me të cilët kam punuar në Perëndim ndër vite, si dhe për të krijuar mundësi të reja për muzikantët vendas. Kështu vitet e fundit “Jam on the River” ka njohur zhvillim të vrullshëm. Këtë vit në gusht kemi gëzuar një audiencë prej 10,000 personash. Ky për mua është një sukses i madh dhe një emocion i madh.”

Një nga arsyet më të mëdha që e ndikuan në kthimin e Veronikës në Bullgari nga jashtë është mundësia që ajo të mësojë nxënësit bullgarë në piano dhe fizarmonikë. Nga 15 shtatori, Veronika është kthyer në vendin e saj të punës në shkollën lokale "Ivan Vazov" në fshatin Debnevo. Ndërmjet provave të koncerteve, ajo nuk ka reshtur së dhëni mësim për fëmijët edhe gjatë pushimeve verore:

“Puna ime me fëmijët vazhdon gjatë gjithë kohës dhe jam shumë e lumtur që përmes meje kanë mundësinë të prekin skenën, të ndjekin shumë koncerte dhe vetë puna me fëmijët më bën të lumtur. Kjo ishte gjëja e parë që fillova të bëj kur u ktheva në Bullgari. Në fshatin Debnevo, ku punoj me rreth 30 fëmijë, kemi prezantuar një risi që u jep mundësinë të gjithë fëmijëve nga klasa e parë deri në të katërtën të mësojnë një instrument muzikor. Kështu që unë i përkushtohem çdo ditë kësaj pune dhe me shumë dashuri punoj me fëmijët në fshatin Debnevo”.


Foto: Facebook /Veronika Todorova, Didi Andreeva, BGNES

Përktheu në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Medalistja jonë paraolimpike Stella Eneva niset me besim për në Lojërat e reja Paraolimpike

Më 28 gusht fillojnë garat më të rëndësishme për atletët me aftësi të kufizuara nga e gjithë bota - Lojërat Paraolimpike në Paris 2024. Për herë të katërt në një forum kaq prestigjioz, Stella Eneva do të marrë pjesë në disiplinën e hedhjes së..

botuar më 24-08-28 7.25.PD
Zdravka Jordanova

Legjenda e kanotazhit Zdravka Jordanova për medaljen e artë olimpike në Montreal: Mbretëresha e Anglisë qëndroi drejt dhe duartrokiti ekipin bullgar

Vendi ynë filloi të fitonte rregullisht medalje në Lojërat Olimpike Verore në vitin 1952. Sportisti i parë vendas që u kthye me bronz nga Lojërat e Helsinkit ishte boksieri Boris Georgiev-Mokata. Sa do të jetë numri i tyre nga lojërat e tanishme në..

botuar më 24-07-31 7.05.PD

Denica Gruber dhe jeta e saj kushtuar ilustrimit në Gjermani

Pothuajse çdo fëmijë ka dëshirën dhe aftësinë për të vizatuar. Sa i përket talentit, ndonjëherë duhen vite që ai të vihet re dhe të vlerësohet. Sidomos nëse ndodh që të rritesh në Bullgari në agimin e demokracisë. E tillë është historia e bashkatdhetares..

botuar më 24-07-19 7.30.PD