Një kishë ortodokse bullgare për nder të "Shën Joanit të Rilës" do të ndërtohet në Londër në vendin e kishës së mëparshme në territorin e ambasadës bullgare në kryeqytetin britanik. Në një ngjarje të organizuar posaçërisht në ambasadën tonë, e cila mblodhi shumë nga bashkatdhetarët tanë që jetojnë në ishull, ambasadori Marin Rajkov prezantoi projektin dhe nisi zyrtarisht një fushatë donacionesh, qëllimi i së cilës është mbledhja e fondeve për ndërtimin e kishës. Në mes të pranishmëve ishin Shkëlqesia e Tij Mitropoliti i Evropës Perëndimore dhe Qendrore Antonij dhe At Dobromir, i cili drejtoi shërbesën në kishë.
Sipas ambasadorit Rajkov, projekti i kishës është klasik. Ajo i ngjan arkitekturës së kishave të vjetra bullgare - ato në Pliska, Preslav, Veliko Tërnovo dhe Serdika. Edhe pse “Shën Joani i Rilës” do të jetë në territorin e ambasadës, leja nga autoritetet londineze ishte e nevojshme për realizimin e projektit. Kjo u arrit si rezultat i përpjekjeve aktive të përfaqësisë sonë diplomatike dhe arkitektit të tempullit.
“Projekti, autor i të cilit është një arkitekt italian, u miratua nga Këshilli i Uestminstër. Nuk ishte e lehtë, por arritëm pajtim. Kisha do të ngrihet në një pjesë qendrore të Londrës. Nuk ka asnjë kishë tjetër ortodokse përreth, përveç kësaj” - tha ambasadori Marin Rajkov para korrespondentit të BNR në Londër, Veselin Paunov.
Arkitekt i kishës bullgare “Shën Joan Rillski” është italiani nga Pulia Karllo Bugi. Zgjedhja e tij nuk është e rastësishme, pasi ai njihet për afinitetin e tij ndaj ortodoksisë dhe arkitekturës ortodokse. Ndër detyrat e vështira përpara tij ishte nevoja për të përmbushur kërkesat për ruajtjen e pamjes kulturore të zonës me kërkesat e kanunit ortodoks për dukjen e kishës nga jashtë dhe nga brenda.
“Kjo është një sfidë e madhe për arkitektin, për ndërtuesit, për të gjithë. Kjo është para së gjithash një kauzë për Bullgarinë”, theksoi Mitropoliti Antonij dhe falënderoi “të gjithë bullgarët që do të jenë pjesë e këtij projekti dhe do të ngulitin një pjesë të zemrës dhe të besimit të tyre në këtë ndërtesë”.
“Kjo fushatë donacionesh synon, mbi të gjitha, të bashkojë bullgarët në Mbretërinë e Bashkuar, t'i bëjë ata të përjetojnë me zemrat e tyre këtë ngjarje vërtet historike, sepse për 30 vjet bullgarët frekuentojnë kishën e vogël në oborrin e ambasadës dhe tani do të kenë mundësinë ta vizitojnë një tempull i bukur, i gjerë me të gjitha kërkesat e nevojshme të dizajnit të brendshëm të Kishës Ortodokse” - tha Mitropoliti Antonij.
Deri më tani për ndërtimin u grumbulluan rreth 400 mijë euro. Disa prej tyre u ndanë nga qeveria bullgare, ndërsa pjesa tjetër u dhurua nga besimtarët. Megjithatë, këto fonde rezultuan të pamjaftueshme. Prandaj At Dobromir bën një apel:
"U bëj thirrje bullgarëve në Londër dhe në Britaninë e Madhe, pse jo edhe në të gjithë botën, të ndihmojnë këtë kauzë të mirë që do të na bashkojë. Kisha është i vetmi vend në këtë botë që mund të bashkojë, sepse jemi të ndarë në hapësirën politike dhe në shoqëri. Prandaj duhet të kemi një vend i cili të na bashkojë. Pavarësisht bindjeve politike, pavarësisht gjinisë, moshës, arsimimit, ne jemi gjithmonë bashkë në kishë. Kjo është një nismë shumë e mirë bullgare në Londër.”
Teksti: Miglena Ivanova / bazuar në një reportazh të Veselin Paunov, korrespondent i BNR në Londër/
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: BTA, BNR
Eurodeputetët dëgjuan 26 kandidatët për komisionerë në Komisionin e ri të Ursula von der Leyen në komisionet përkatëse. Megjithatë, përfundimi i procedurës nuk çoi në një marrëveshje mes forcave politike për Komisionin e ardhshëm Evropian dhe ambicia është..
Minoriteti kombëtar bullgar në Shqipëri është një nga më të mëdhenjtë në vend, sipas të dhënave nga censi i fundit zyrtar i popullsisë atje. 7 057 persona janë deklaruar si bullgarë, në krahasim me 23 000 që janë identifikuar si grekë, 12 000 si..
Një pemë e Krishtlindjeve me dekorime bullgare është vendosur në një vend qendror në Muzeun e Industrisë në Çikago. Për të pestin vit radhazi, bashkatdhetarët nga qyteti amerikan bënë dekorimin luksoz të pemës bullgare të Krishtlindjes me mbi 30 mijë drita..
Instituti për Shkenca Kompjuterike, Inteligjencë Artificiale dhe Teknologji (INSAIT) pranë Universitetit të Sofjes “Shën Kliment Ohridski" vuri në..