Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Verë e kuqe, dragonj, arinj dhe folklor - Dellçevo feston së bashku me bashkitë nga Greqia Veriore

Foto: gotsedelchev.bg

Në fundjavë në Dellçevo do të derdhet verë falas nga dy krojet e fshatit. I vendosur në buzë të malit, fshati i zonës së Goce Dellçevos prej kohësh është bërë një atraksion turistik për shkak të arkitekturës së tij të lashtë dhe pamjeve të bukura të majave të maleve të Pirinit dhe Rodopeve përballë. Dellçevo është i pasur me tradita, dhe ndër më të njohurat është festa e verës, e cila për 20 vjet prezanton një nga mjetet më të vjetra të jetesës vendase - prodhimin e verës. 
Këtë vit kjo ngjarje do të zhvillohet më 3 dhe 4 shkurt, d.m.th. midis ditës së Shën Trifonit (1 shkurt) dhe Trifon Zarezan në stilin e vjetër (14 shkurt) kur festojnë vreshtarët dhe prodhuesit e verës. 


Nisja e festimeve do të bëhet me shfaqjen "Dëbimi i Ariut nga Vreshtat" me pjesëmarrjen e grupit të kukerëve të fshatit Musomishte. Pas kësaj do të fillojë momenti më i shumëpritur i dashamirësve të verës - konkursi për prodhuesin më të mirë të verës dhe rakisë. Tradicionalisht në garë konkurrojnë edhe pjesëmarrës nga bashkitë fqinje greke Drama, Kavala, Kato Nevrokopi, Prosoçani etj. "Këta janë kryesisht amatorë, jo profesionistë. Ata janë nga Bullgaria dhe Greqia e Veriut", thotë për Radio Bullgaria Ivan Panajotov, nënkryetar i Dellçevos. Dhe shton: 
"Karakteristikë e këtij konkursi është se rreth 120-150 mostra (verë dhe raki) janë mbledhur nga rajoni i Goce Dellçevos, nga rajoni i Dramës, Kavalës dhe vende të tjera të Greqisë Veriore. Këtë vit kemi mostra edhe nga Sofja, Bllagoevgradi dhe Melniku. Konkurrentët janë njerëz që bëjnë verën e tyre në shtëpi dhe duan të marrin pjesë në konkursin tonë sepse mendojnë se vera e tyre është më e mira. Konkursi është plotësisht anonim dhe komisioni është i paanshëm. Ai përbëhet nga 20 persona - kryesisht enologë, agronomë, etj. nga Bullgaria dhe Greqia."



Degustimi i verërës dhe rakisë të parashikuara për pjesëmarrje në garë do të mbahet më 3 shkurt në orën 12:00 në hanin Dellçovski. Dhe kulmi i festës është më 4 shkurt /e diel/, kur të gjithë do të mblidhen te vreshtat, në zonën “Baira” pranë fshatit. Aty do të bëhet krasitja e parë rituale e hardhive dhe ujitja e tyre me verë. Tradicionalisht, rituali përfshin nga 150 deri në 200 pjesëmarrës të veshur me kostume kombëtare. Spektakli mbledh një audiencë të madhe nga i gjithë rajoni, duke përfshirë bashkitë fqinje greke. 
Në çdo festë të verës në Dellçevo bëhet edhe shfaqia "Dasma e Dragoit".  Sipas legjendës lokale, një dragua vodhi vajzën më të bukur të fshatit dhe që atëherë, në këmbim, bisha e mbron fshatin nga forcat e liga, dhe njerëzit i bëjnë homazhe atij përmes shfaqjeve të tilla. Nënkryetari i bashkisë Ivan Panajotov premton humor të mirë dhe shfaqje interesante. Në program do të shfaqen grupe folklorike nga fshatrat e afërta Musomishte, Baniçan, Ablanicë, si dhe grupi i vallëzimit "Gajtani" nga Sofja. "Ne po presim konfirmim nga një grup gajdexhinjsh nga fshati fqinj grek Kali Vrisi për t'iu bashkuar programit," thotë Panajotovi.


Dellçevo ka disa shtëpi pritjeje në stilin tipik të vjetër, të pajisura me të gjitha komoditetet moderne. Në fshat ka edhe 3 restorante, si dhe dy eko shtigje, të cilat edhe tani, në mes të dimrit, janë të kalueshme dhe të çojnë në qoshe të bukura malore, thotë nënkryetari i Komunës së Dellçevos. 
"Njëri eko shteg fillon nga Dellçevo dhe arrin deri në Livadhet e Dellçevos. Është më i miri sepse nuk është i mbingarkuar, nëpër një rrugë të rrafshët nëpër pyll ecën rreth 45 minuta në një drejtim. Shtegu tjetër është për një ngjitje ekstreme deri në majën e Shën Kostadinit. Aty ka një kishëz të vogël dhe rruga zgjat një orë e gjysmë deri atje. Por nga maja e Shën Kostadinit ka pamje shumë të bukura në të gjithë fushën e Nevrokopit duke përfshirë dhe malet e Rodopit dhe të gjithë fshatrat e vendosura në shpatet e tyre” – na thotë Ivan Panajotovi.
Lexoni më tepër: 

Foto: Bashkia e Goce Dellçevos, BGNES (arkivë), stopkadër YouTube / WebMarker

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Një Kampionat Botëror i Folklorit do të tronditë Detin tonë të Zi

Nga sot deri më 30 gusht në bregun bullgar të Detit të Zi në Nesebër , Sllënçev Brjag dhe Sveti Vllas do të mbahet Kampionati i XIV Botëror Folklorik “World Folk 2024”. Fillimi është sonte në Amfiteatrin “Zhana Çimbuleva” në..

botuar më 24-08-29 6.20.PD

Festivali i kostumeve popullore në Zheravna ringjall shpirtin bullgar të kohëve të vjetra

Këngët dhe vallet popullore mbledhin dashamirët e folklorit bullgar në edicionin e radhës të Festivalit të Kostumeve Popullore në Zheravna. Këtë vit aktiviteti do të zhvillohet nga 23 deri më 25 gusht. "Pasi visheni me kostumet popullore dhe..

botuar më 24-08-23 6.10.PD

Holandezja Esther Willems i magjeps bashkatdhetarët e saj me ritmet e valleve popullore bullgare

Holandezja Esther Willems vazhdon të tërheqë njerëz nga qytete dhe kombësi të ndryshme në klubin e saj për vallet popullore bullgare, i krijuar në Hagë dhe i quajtur "Zora". Klubi u themelua në vitin 2017 dhe në të u regjistruan edhe atëherë 13..

botuar më 24-08-18 7.35.PD