Fitorja në dukje vendimtare e GERB-SDS në zgjedhjet për parlamentin kombëtar nuk do të thotë se partia me çdo kusht do të arrijë të formojë një qeveri në të vetmen formë të mundshme të imponuar gjatë qeverisjes së fundit, pra të ashtuquajturin montim. Edhe nëse liderët e forcës së parë politike Bojko Borisov dhe pretenduesi për vendin e dytë DPS Deljan Peevski, të cilët shpesh i shprehin qëndrimet e tyre me një zë, bien dakord për një kabinet të përbashkët, ata do të kenë nevojë për mbështetjen e një lojtari të tretë politik. Kështu, me shumë gjasa do t'u duhet t'i drejtohen shërbimeve të partisë së vogël, por të dëshmuar si të pabesë "Ka një popull të tillë" (ITN), e cila përmbysi qeverinë e Kirill Petkovit në një moment kritik. Еdhe marrëdhëniet e tensionuara midis "jo-partnerëve" të fundit në pushtetin ekzekutiv GERB-SDS dhe PP-DB dhe kërkesa e Bojko Borisov për të pranuar personalisht mandatin për të formuar një kabinet, i largon më tej dy koalicionet nga pajtimi dhe “montimi” eventual numër dy. Për këtë arsye dilema parazgjedhore - qeveri apo zgjedhje të reja - mbetet mbi konfigurimin e ri në parlamentin bullgar.
Me pjesëmarrjen jashtëzakonisht të ulët të votuesve (rreth 32%), votimin për partitë e vogla, duke përfshirë opsionin "Nuk mbështes askënd" (afërsisht 5%) dhe hyrjen befasuese në Kuvendin Popullor të formacionit të ri "Veliçie" të ish-kolonelit të Shërbimit TË Sigurisë Kombëtare, Nikollaj Markov, qytetarët i treguan një karton portokalli, thënë në zhargonin e futbollit, shtresës aktuale politike, komentoi për BNR drejtori ekzekutiv i “Gallup International Balkan” Përvan Simeonov. Sipas tij, epërsia dyshifrore e GERB-SDS nuk do të thotë se votuesit papritmas filluan ta donin këtë koalicion, por se ata hapin një vend për lojtarin e ardhshëm më të madh që ofron ndryshim, dhe ai mund të jetë presidenti Rumen Radev. Sociologu është i bindur se partia e Bojko Borisovit do të bëjë një gabim nëse do të formojë një qeveri thjesht politike. Sipas tij, kombinimi më logjik është midis GERB, DPS dhe ITN.
"Nuk duhet të jetë shumë politike, duhet të jetë punëtore - deklaroi Përvan Simeonov. - Nëse GERB dhe DPS formojnë një qeveri politike adekuate, qoftë edhe me një rol paksa të fshehur të DPS-së, ndjenjat e protestës në Bullgari do të rriten. Ata duhet të bëjnë një variant të kabinetit teknik, por këtë herë me një program të qartë, pa këto rrotullime dhe pa eksperimente.”
Edhe politologu Georgi Kirjakov ndan mendimin se nëse bëhet fjalë për formimin e qeverisë, me shumë mundësi ajo do të jetë mes GERB-SDS, DPS dhe ITN. Megjithatë, ai hodhi poshtë idenë e një kabineti ekspertësh dhe rekomandoi "negociatat normale për qeverisjen e koalicionit" për të shmangur mjegullimin e përgjegjësisë. Sipas tij, rezultati i dobët i PP-DB-së është për shkak të fushatës negative ndaj tyre me të gjitha skandalet dhe incizimet e bëra nga kundërshtarët e tyre politikë.
“Arsyeja e dytë është fushata e organizuar keq, si dhe mesazhet e ndërtuara keq kryesisht përmes mediave sociale dhe komunikimi i dobët me votuesit e vet - shton Georgi Kirjakov. - Kjo është një tjetër fushatë në të cilën jo vetëm PP-DB, por edhe i gjithë spektri i ish-partive autentike të djathta prisnin që votuesit të vinin tek ata. Por logjika e fushatave politike është që ata të shkojnë tek votuesit dhe kjo është ajo që duhet të bëjnë politikanët në Bullgari – të fërkojnë thembra në trotuare, sheshe dhe gjetkë”.
Politologu Petër Çollakov nuk pajtohet me deklaratën për mungesën e një fushate aktive zgjedhore:
“Në fakt kishte një fushatë, kishte goditje nën bel, materiale komprometuese, kështu që beteja për kockën ishte shumë e rëndë dhe nuk duhet nënvlerësuar. Ajo që shihet në Bullgari është se populli tashmë është mjaftuar dhe nuk u kushton vëmendje shtetarëve. Ky është problemi dhe ka qartë uri për fytyra të reja dhe lojtarë të rinj.”
Befasia e këtyre zgjedhjeve - partia Veliçie (Madhëria), për shkak të profilit të saj të paqartë, krahasohet si me "Vëzrazhdane" më të moderuar dhe me PP-DB më radikale. Sipas Përvan Simeonov, të dyja deklaratat janë të vërteta.
“Muajt e fundit, kudo që shkoja, fjalë për fjalë kudo ishte dikush që më pyeste se si renditej në sondazh koloneli Markov - shtoi ai. - Ai ishte bërë legjendë dhe kjo shprehje për kolonelin Markov u bë diçka si një shaka e brendshme e një fabrike. Megjithatë, doli që nuk ishte shaka, sepse vërtet këta njerëz kanë kohë që veprojnë dhe nëse nuk do të ishin këto zgjedhje, por, për shembull, në zgjedhjet e ardhshme në vjeshtë, ata mund të rriteshin gradualisht."
Përvan Simeonov nuk ka asnjë përgjigje se deri ku mund të shkojë ylli i ri politik dhe nëse po ia bllokon rrugën e partisë nacionaliste “Vëzrazhdane”.
Tekst: Diana Cankova / janë shfrytëzuar intervistat e Petër Stamatov dhe Sillvia Velikova, BNR "Horizont"/
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Sipas të dhënave nga exit poll-et e të gjitha agjencive sociologjike, GERB-SDS me lider Bojko Borisov është padyshim forca e parë politike. Vitet e fundit partia është përmbajtur nga komentet para shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ...
Në prag të zgjedhjeve të gjashta të parakohshme parlamentare në më pak se tre vjet, vërehet lodhja e qytetarëve bullgarë nga pashpresa menaxheriale. Një gjë e tillë duket se ekziston edhe në fushën politike – dëshmi është fushata tejet letargjike..
Abdullah Öcalan propozoi bisedime paqeje me PKK nga burgu Lideri i Partisë terroriste të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), Abdullah Öcalan, i cili po vuan një dënim me burgim të përjetshëm, u vizitua nga një i afërm i tij për herë të parë..
Athina paralajmëroi se pret të respektohen të drejtat e grekëve në Epirin e Veriut Greqia paralajmëroi kryeministrin shqiptar Edi Rama se..