Para disa ditësh filluan Lojërat Olimpike Verore XXXIII. Për herë të tretë në historinë tonë moderne dhe saktësisht një shekull pas pritjes së fundit, forumi më i rëndësishëm sportiv po mbahet sërish në kryeqytetin francez Paris, i cili është dhe vendlindja e "babait" të lëvizjes moderne olimpike - Pierre de Coubertin.
Në prill të vitit 1896, në kryeqytetin grek Athinë u mbajtën Lojërat e para Olimpike moderne. Të dytat ishin katër vjet më vonë në Paris. A e dini se Bullgaria është një nga 14 bashkëthemeluesit dhe pjesëmarrësit në Olimpiadën e parë verore 128 vjet më parë? "Një fakt për të cilin çdo bullgar duhet të jetë shumë krenar," tha për Radio Bullgarinë Katja Ivanova, kuratore në Muzeun e Sportit në Sofje.
“Në vitin 1894 mbërritën në Bullgari dhjetë mësues zviceranë të gjimnastikës, të cilët u dërguan në gjimnazet e mëdha pedagogjike të vendit tonë. Këta zviceranë luajtën një rol të jashtëzakonshëm në edukimin fizik modern në Bullgari, por emri i një prej tyre është i lidhur ngushtë me pjesëmarrjen e Bullgarisë në Lojërat e para Olimpike moderne, vendi ynë u përfaqësua nga mësuesi zviceran i gjimnastikës Charles Champaud. Ai u rendit në vendin e pestë dhe, në kuptimin modern të fjalës, solli pikët e para për sportin bullgar nga Lojërat Olimpike.”
Në Muzeun e Sportit në Sofje, mund të shihet edhe sot medalja përkujtimore nga kjo pjesëmarrje e parë e Bullgarisë në Lojërat Olimpike.
Zonja Ivanova na kujton edhe pjesëmarrjen e Bullgarisë në vitin 1928 në lojërat në Amsterdam, atëherë Holandë, kur vendi ynë dërgoi vetëm pesë sportistë. Fondet e përcaktuara për një delegacion më të madh sportiv u drejtuan për të ndihmuar të lënduarit pas tërmetit në qytetin e Çirpanittë Bullgarisë Qendrore, i cili ndodhi në prill të të njëjtit vit me magnitudë 7.0 të shkallës Rihter.
"Dhe këtu, në Muze, është kostumi i skermës i Dimitër Vasilev, me të cilin ai mori pjesë në Lojërat Olimpike në vitin 1928. Kjo është një ekspozitë e jashtëzakonshme. Këta njerëz e kanë shtruar shtegun olimpik të Bullgarisë pothuajse pa pasur kushte materiale për stërvitjen e tyre."
Medalja e parë olimpike për Bullgarinë ishte prej bronzi nga lojërat në Helsinki në vitin 1952. Ajo u fitua nga boksieri Boris Georgiev në kategorinë deri në 75 kilogramë.
“Në muze kemi dy medalje të arta olimpike - të mundësit Georgi Markov, të fituar në Munih në vitin 1972 dhe të kampionit tonë të parë olimpik të boksit Georgi Kostadinov nga i njëjti vit.
Kemi edhe disa medalje argjendi dhe bronzi, por do të ndalem në dy medalje argjendi të ekspozuara në muze, të cilat për ne bullgarët kanë shkëlqimin e arit. Kjo është medalja e argjendtë e Diana Jorgova në kërcimin së gjati, e cila u mposht për vetëm një centimetër nga përfaqësuesja e vendësve në vitin 1972 në Munih të Gjermanisë. Edhe sot e kësaj dite ka dyshime nëse përvoja e saj ishte matur me saktësi, sepse atëherë nuk kishte matje elektronike dhe gjithçka bëhej me dorë.
Këtu duhet përmendur edhe medalja e argjendtë e Jordanka Bllagoeva nga e njëjta Olimpiadë në Munih në disiplinën e kërcimit së larti. Pasi e përballon lartësinë për medaljen e artë, ajo largohet nga fusha, dhe 17 sekonda pas kërcimit të saj shufra bie. Skuadra bullgare atëherë, për ndonjë arsye të panjohur, nuk ka bërë asnjë kontestim dhe ajo mbetet me medaljen e argjendtë me 188 centimetra të përballuar”.
Vite më vonë, një botim sportiv gjerman doli me një teori se një fotograf në fushë e ka shtyrë shiritin anësor. 20 ditë më vonë, në shtator, në një garë ndërkombëtare në Zagreb të Kroacisë, Jordanka Bllagoeva u bë atletja e parë bullgare me një rekord botëror prej 194 cm.
Katja Ivanova vë re edhe argjendin me shkëlqimin e artë të gjimnastit tonë Jordan Jovçev nga gara e unazave në Olimpiadën në Greqi në 2004.
Ajo e drejton vëmendjen tonë edhe te medalja e bronztë e Krasimira Gjurovës, pjesë e ekipit të basketbollit për femra në Lojërat Olimpike në Montreal në vitin 1976. “Për herë të parë në program u përfshi gara e basketbollit për femra dhe bullgaret u renditën të tretat pas skuadrave të Bashkimit Sovjetik dhe Çekosllovakisë.”
Bullgaria ka qenë një fuqi botërore në garat e peshëngritjes prej vitesh dhe kampioni i parë olimpik në peshëngritje ishte Norair Nurikjan, i cili fitoi medaljen e artë në Munih në vitin 1972. Në Montreal në 1976, ai ishte përsëri i pathyeshëm dhe u bë i vetmi kampion olimpik bullgar dy herë në këtë sport.
Lojërat Olimpike më të suksesshme për Bullgarinë ishin ato të vitit 1980 në Moskë, kur vendi ynë fitoi 41 medalje, nga të cilat 8 të arta, dhe u rendit në vendin e tretë për nga numri i medaljeve.
Foto: Vesella Krësteva, BGNES, nsb.bg, kolazhi Ivan Petrov
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Shahistet bullgare përfunduan në vendin e 10-të në renditjen përfundimtare të Olimpiadës së Shahut, e cila u mbajt në Budapest të Hungarisë. Në ditën e fundit të garës, Bullgaria mundi Italinë 3.5 me 0.5. Antoaneta Stefanova, Nurgul Salimova dhe..
Për të dhjetën vit, Bullgaria merr pjesë në Javën Evropiane të Sportit #BeActive. Në periudhën 23-30 shtator, Ministria e Rinisë dhe Sportit organizon aktivitete të shumta për inkurajimin e marrjes aktive me sport, përmirësimin e aktivitetit fizik..
Një nga maratonat më sfiduese në Bullgari, ultramaratona Pirin Ultra, zhvillohet në malin Pirin. Gara mbahet mes bukurisë madhështore, shtigjeve shkëmbore dhe majave të Pirinit nga 21 deri më 23 shtator. Sipas aftësive të tyre, pjesëmarrësit..