Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Esther Willems - një koreografe nga Haga, sipas së cilës shpirti i bullgarit është i injektuar në valle

Foto: Arkiva personale

Haga, një qytet në pjesën jugore të Holandës, një qendër administrative dhe një vend ku jeton dhe vepron mbretëresha... Vështirë se dikush e lidh këtë qytet me folklorin dhe traditat bullgare. Megjithatë, është fakt se në Hagë interesimi për vallet bullgare, për rëçenicën dhe në përgjithësi për hapat e valleve bullgare daton që në vitet 70-80 të shekullit të 20-të. Kjo është koha e rritjes së interesit për folklorin dhe në veçanti për vallet dhe muzikën e Ballkanit dhe Evropës Lindore. Më pas në Holandë u shfaq një brez i tërë koreografësh, të cilët studionin dhe prezantonin para nxënësve të tyre vallet ballkanike dhe në veçanti ato bullgare. Fatkeqësisht, pak dihej dhe flitej për këtë gjë në Bullgari në vitet para rënies së Perdes së Hekurt. Megjithatë, është fakt se koreografë nga Holanda morën pjesë në Tubimin e katërt Kombëtar të Artit Popullor Bullgar në Koprivshtica në vitin 1981. Esther Willems, një koreografe dhe mësuese e valleve popullore bullgare në Hagë, ruan kujtime nga vizita e saj e parë në Bullgari.

Esther Willems ka më shumë se 25 vjet që vjen në Bullgari, duke vizituar vazhdimisht tubimin në Koprivshtica dhe që nga viti 1988 fillon të punojë me fëmijët dhe krijon një ansambël për fëmijë me 12 vajza dhe 12 djem. Ajo e quan ansamblin “Zarove” dhe me të vazhdimisht shkëmben performanca mes Bullgarisë dhe Holandës. Krijon kontakte me njerëz nga ansamblet në vendin tonë. Në të njëjtën kohë, në Hagë u themelua një ansambël për vallet bullgare "Praznik" dhe koreografët e tij erdhën në Bullgari për të studiuar vallet e Trakisë dhe Dobruxhës. Në këtë ansambël merr pjesë edhe Esther Willems, ndërsa kostumet bullgare për kërcimtarët ishin dërguar nga rajoni i Shopeve. Kjo e bëri koreografen e ardhshme të lidhet përgjithmonë me ritmet bullgare, dhe me kolegët e saj nga mbarë Bullgaria.
Ester Willems me valltarët nga Klubi i Valleve Popullore Zora në Hagë
Esther njihet me vallet bullgare që në moshen 19 vjeçare. Ajo thotë se në atë kohë në Holandë ishin një hit i madh vallet nga Ballkani, Armenia, Izraeli etj. Por asaj gjithmonë i bënte përshtypje muzika nga Bullgaria. "E ndjeja si të ishte një histori e madhe dhe dramatike e shprehur përmes muzikës. Sidomos kur luanin në gajde, gjeja diçka misterioze në atë tingull", thotë Esther Willems.

"Në kërcime ju përdorni shumë lëvizje të ndryshme me këmbët dhe duart. Kjo është e vështirë. Kur je i ri, kërkon një përvojë, të mësosh diçka të re dhe të panjohur, dhe folklori bullgar ishte më i vështirë, krahasuar me vallet nga Greqia dhe Rumania dhe unë zgjodha sfidën. Kështu u bëra pedagoge veçanërisht për vallet bullgare. Këtu dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për Prof. Nikollaj Cvetkov dhe Profesorin e Asociuar Georgi Garov, të dy nga Universiteti Jugperëndimor "Neofit Rillski" në Bllagoevgrad. Ata më dhanë mundësinë për të studiuar, me mbështetjen e shtetit. Unë u regjistrova atje në vitin 2017 dhe u diplomova në shtator të vitit 2021. Ishte një aventurë e madhe për mua – të isha studente në Bullgari në moshën 65-vjeçare. Kam studiuar me korrespondencë sepse koreografia është profesioni im dhe duhet të mbahem prej saj në Hagë. Përveç mësimit të emigrantëve bullgarë tek ne, tani punoj si koreografe zyrtare në shkollën bullgare "Shën Kirill dhe Metodij" në Hagë. Punoj edhe me shumë të huaj që shfaqin interes dhe së bashku krijuam një grup amator vetëm për valle bullgare.
Vallja, hapat, ritmi - janë pjesë e së vërtetës në lidhje me shpirtin e një bullgari, janë historia e tij”.

Esther Willems i ka kushtuar shumë orë të jetës së saj studimit dhe mësimit të hapave si dhe krijimit të koreografisë së valleve bullgare. Çdo vizitë në vendin tonë është një përvojë e madhe për të, ajo pëlqen të kthehet në Bullgari kryesisht për shkak të njerëzve:

"Është e lehtë të them se çfarë dua më shumë te Bullgaria – e dua aromën e ajrit në vendin tuaj, e dua natyrën dhe veçanërisht i dua njerëzit! Kur vjen këtu si i huaj, hyn në një kafene dhe thua se cili je, nga vjen dhe tregon se mund të flasësh pak bullgarisht, fytyrat e bullgarëve shkëlqejnë dhe një valë mikpritjeje të mbështjell. Ata më mirëpresin si të afërmin e tyre. Këtë nuk mund ta gjesh kurrë në Holandë dhe më mungon shumë kjo gjë në vendin tim."

Foto: Arkiva personale e Esther Willems, facebook.com/zoradenhaag
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Plovdivi fton dashamirët e profesioneve të harruara në Muzeun e tij Etnografik

Një Muze Etnografik Rajonal në Plovdiv hap dyert për edicionin e 16-të të Javës së Artizanateve Tradicionale, raportojnë organizatorët e muzeut. Hapja është në Ditën e Enjos (24 Qershor), e nderuar në traditën tonë popullore si dita e barërave dhe fuqisë..

botuar më 24-06-24 5.30.PD

Festivali "Babina Dushica" në Montana mbledh kuzhinierë nga e gjithë Bullgaria

Më 22 qershor mbi 30 kuzhinierë nga i gjithë vendi mblidhen në Montana për festivalin e kuzhinës popullore "Babina Dushica". Festivali i kuzhinës është pjesë e programit për kremtimin e festës së Montanës "Shpirti i Shenjtë" në Kopshtin e..

botuar më 24-06-22 10.15.PD
D-r Mustafa Haxhi

Mirëdashja është në qendër të festës së Kurban Bajramit

Myslimanët në Bullgari festojnë Kurban Bajramin. "Kurbani është një fjalë arabe që do të thotë “afrim”. Përmes kurbanit, myslimanët bëjnë gjithçka që është e mundur për t'iu afruar mëshirës së Allahut", tha kryemyftiu në Bullgari, Dr. Mustafa Haxhi, në..

botuar më 24-06-16 5.50.PD