Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Italia hap dy qendrat për emigrantët në Shqipëri
Matteo Piantedosi
Italia do të hapë në tetor të parën nga dy qendrat për emigrantët në territorin e Shqipërisë. Kështu ka bërë të ditur ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, raporton ANSA. Të dy vendet kanë një marrëveshje për ndërtimin e qendrave për emigrantët e shpëtuar në det nga anijet italiane. Të ardhurit e rinj do të qëndrojnë në Shqipëri ndërkohë që Italia shqyrton kërkesat e tyre për azil. Marrëveshja me Italinë për emigrantët është kritikuar nga opozita shqiptare dhe italiane dhe nga grupet e të drejtave të njeriut. Ajo u kundërshtua në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, por vendimi i gjykatës ishte në favor të asaj që u miratua nga zyra e kryeministrit Edi Rama. Marrëveshja ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë është shembulli i parë i një vendi joanëtar të BE-së që pranon emigrantë në emër të një shteti anëtar të BE-së.

Serbia rikthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak 

Qeveria serbe ka urdhëruar Ministrinë e Mbrojtjes që të nisë procedurën për kthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në vend. Ai u hoq në vitin 2011 dhe që atëherë Serbia mbështetej në ushtrinë e saj profesionale, raportoi televizioni serb B92. Kohëzgjatja e shërbimit do të jetë 75 ditë, me synimin që vendimi të hyjë në fuqi në mesin e vitit 2025. Aktualisht po saktësohet se si do të shërbejnë rekrutët në njësitë përkatëse organizative të Ushtrisë Serbe dhe Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat kërkojnë aftësi më të specializuara teknike.

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut Mickoski në Bruksel: Integrimi evropian nuk duhet të bazohet në çështje bilaterale
Hristijan Mickoski
"Procesi i integrimit brenda BE-së, si për ne ashtu edhe për rajonin, duhet të bazohet në një proces që do të vlerësojë arritjet dhe jo çështjet dypalëshe si faktor vendimtar." Kështu tha kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski, të enjten në Bruksel, ku mori pjesë në një drekë pune të organizuar nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen së bashku me liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Sipas Mickoskit, vendi i tij ka dy dekada e gjysmë që përpiqet të hyjë në strukturën evropiane, por është viktimë e çështjeve bilaterale. "Do t'ju kujtoj se në emër të vlerave evropiane, ne ndryshuam flamurin, ndryshuam kartëmonedhat, ndryshuam disa herë Kushtetutën, ndryshuam emrin për të treguar se ne vërtet duam të jemi pjesë e familjes evropiane, " – komentoi ai, cituar nga agjencia MIA. Deklarata vjen në sfondin e një skandali që tronditi Bullgarinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut, pasi zëvendëskryeministri i RMV-së Aleksandër Nikolloski i quajti bullgarët "të paqytetëruar" në një intervistë televizive.

Rumania i kërkon BE-së kompensim për shkak të çmimit të lartë të energjisë elektrike
Sebastian Burduzha
Rumania do t'i kërkojë BE-së kompensim për ndryshimin e konsiderueshëm në çmimet e energjisë elektrike midis pjesës perëndimore dhe lindore të kontinentit, tha ministri i energjisë i vendit Sebastian Burduzha, cituar nga Radio Romania International. Ai shpjegoi se ndryshimi është për shkak të rënies së prodhimit të energjisë hidroelektrike në vend për shkak të thatësirës, si dhe problemeve me lidhjet mes sistemeve që pengojnë eksportin e energjisë më të lirë nga perëndimi në lindje. Rumania ofron gjithashtu mbështetje energjitike për Moldavinë dhe Ukrainën, gjë që ushtron më tej presion mbi çmimet në vend. Çmimi në Rumani aktualisht është pothuajse 150 EUR/MWh, shumë mbi mesataren evropiane prej gati 102 EUR/MWh.

Popullsia e breshkave të detit në brigjet e Qipros po rritet

Breshkat e mbrojtura të gjelbërta të detit dhe breshkat е detit caretta caretta po bëjnë një rikthim aktiv përgjatë brigjeve të dy bazave ushtarake britanike në Qipro. Numri i foleve të tyre tejkalon rekordin e vitit të kaluar me gati 25%, raportuan mbrojtësit e natyrës, të cituar nga BTA. Në këtë vit janë regjistruar 382 fole breshkash deti në plazhet e dy bazave, 100 më shumë se në vitin 2023. "Rritja e menjëhershme e numrit të foleve të breshkave është rezultat i një qasjeje të qëndrueshme, sistematike pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë njerëzore, së bashku me zbatimin e përpjekjeve për të minimizuar aktivitetet e paligjshme dhe të dëmshme në plazhet e foleve," tha për Associated Press Aleksija Perdiu, një specialiste për mjedisin, si dhe oficer policie. Britania e Madhe ka ruajtur dy baza ushtarake përgjatë bregdetit jugor të Qipros që kur ishulli lindor i Mesdheut fitoi pavarësinë nga sundimi i tij kolonial në vitin 1960.

Përpiloi: Miglena Ivanova
Foto: ansa.it, vs.rs/sr, vlada.mk,forbes.ro, apnews.com
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello

Më shumë nga rubrika

Presidentët Rumen Radev dhe Gordana Siljanovska

Presidenti Rumen Radev u takua me Presidenten e Republikës së Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska

Presidenti Rumen Radev u takua në Baku me Presidenten e Republikës së Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska, njoftoi BNT. Në fillim të bisedës, Radev falënderoi Siljanovskën për ftesën dhe theksoi se takimi është një vazhdim i rëndësishëm i..

rinovuar më 24-11-13 3.48.MD

Shkelja e traditave parlamentare është shenjë e afrikanizimit të thellë të politikës bullgare

U mbyll seanca e parë e Kuvendit Kombëtar të sapozgjedhur. Ashtu si në tre parlamentet e kaluara bullgare, zgjedhja e kryetarit doli të ishte një sfidë serioze, pasi asnjë nga dy kandidatët - Raja Nazarjan nga GERB-SDS dhe Andrej Cekov nga Po e vazhdojmë..

botuar më 24-11-13 7.30.PD

Ngjarjet me adresë ballkanike

Athina paralajmëroi se pret të respektohen të drejtat e grekëve në Epirin e Veriut Greqia paralajmëroi kryeministrin shqiptar Edi Rama se respektimi i të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri mbetet një kusht i detyrueshëm për anëtarësimin..

botuar më 24-11-08 3.30.MD