Modë që nuk vishet, por të frymëzon. Fustane të bukura, por jo prej dantelle apo mëndafshi, por prej metali. Skulpturat e krijuesit Zivko Sedlarski janë në pronësi të muzeve, galerive dhe koleksioneve private në 3 kontinente, duke i dhënë atij pseudonimin "Kalorësi i zonjave të çelikut".
Kohët e fundit, skulptori bullgar, i cili prej vitesh jeton në Francë, mbërriti në vendin tonë për të nisur një sërë ekspozitash kushtuar krijimtarisë së tij. Fillimi i kësaj lloj "ofensive estetike" u vu më 16 shtator në galerinë e kryeqytetit "Misioni" me ekspozitën "Haute Couture – Haute soudure", që përmban rreth 30 skulptura të tij - sigurisht me fustane metalike! Sepse famën botërore skulptori bullgar ua detyron pikërisht atyre. Me kalimin e viteve, "zonjat e tij prej çeliku" u bënë një sensacion i vërtetë. Ato zbukurojnë parqet e kështjellave, sheshet e qyteteve, muzetë dhe galeritë. “Që nga viti 2008 e deri më sot bëj vetëm fustane”, pranon Sedllarski në një intervistë për Radio Bullgarinë dhe shton se frymëzohet nga joshja prej femre dhe lëvizja e materies në hapësirë. Dhe më shumë:
“Unë shikoj shumë sfilata të modës dhe nga këtu еrdhi edhe emri i serisë sime të veshjeve, që përfshin gjithë periudhën që nga viti 2008. Titulli i ekspozitës është lojë fjalësh. Në bullgarisht duhet përkthyer kështu: haute couture do të thotë modë e lartë, dhe haute soudure do të thotë saldim. Kështu që unë bëj saldim të lartë, sepse fustanet e mia të modës së lartë nuk janë prej pëlhure, por prej metali” – thotë Sedllarski.
Bullgari punon me materiale të ndryshme - metal, rrëshirë, bakër, dru, granit...
Veshjet e tij janë vitale, minimaliste, joshëse. Ato mbajnë emra delikate, si “Frymë”, “Ylber në natë”, “Heshtje e bardhë”... Por autori i tyre pretendon se nuk i intereson moda:
"Shikoj sfilata të modës vetëm për të kapur momentet e lëvizjes sëmodeleve të veshura me fustane. Unë dua të kap momentin - qoftë era, qoftë hapat, qoftë lëvizja e gruas që bën diçka interesante në hapësirë dhe skulpton një formë. Dhe tani, me idenë e kuratores sime Allbena Nenkova, ne prezantojmë një sërë vizatimesh për skulpturat e mia. Këto janë skica përgatitore për një skulpturë të caktuar në të ardhmen. Ekspozita përkon edhe me premierën e librit-album kushtuar krijimtarisë sime” - thotë Sedllarski.
Skulptori bullgar me famë botërore jeton prej 33 vitesh në Francë Ai lindi në qytetin Ellhovo të Bullgarisë Juglindore, mbaroi një shkollë teknike për qeramikë dhe qelq dhe më pas Akademinë Kombëtare të Artit në Sofje. Jeta e tij mori një kthesë në fillim të viteve 90- të shekullit të kaluar:
“Kur erdhi ndryshimi dhe hymë në krizë, kultura ishte më e prekura atëherë. Ajo ishte viktima e parë e krizës. Dhe kuptova që për një kohë të gjatë nuk do të mund të shprehesha me mjetet që kisha mësuar. Shkuam në Francë me gruan time - kudo, vetëm për të vazhduar të shprehem me mjete plastik, për të qenë në gjendje të flas me njerëzit në mënyrën time” – kujton Sedllarski.
Talenti i tij i pamohueshëm po fiton shpejt fansa. Ai hap atelienë e tij dhe porositë fillojnë të vërshojnë nga e gjithë bota. Në vitin 2011, Sedllarski u ftua të prezantojë Bullgarinë me veprën "Lufta e Paqes" në një ekspozitë në shkallë të gjerë të organizuar nga BE. Dy vjet më vonë, fustanet e tij eterike shkaktuan sensacion teksa u paraqitën në katedralen e një qyteti të vogël në rajonin e Bretanit të Francës Perëndimore. Dhe në vitin 2017, maestro pati një shfaqje solo, përsëri në Francë, së bashku me studentët e stilistit Jean Paul Gaultier.
Deri më tani, bullgarët kishin takime të rralla, por të paharrueshme me krijimtarinë e Sedllarsk. Deri në fund të vitit janë edhe 4 paraqitje të tij në vendin tonë. Nga 19 deri më 28 shtator, “zonjat e çelikut” të skulptorit kthejnë Pallatin Kombëtar të Kulturës në kryeqytet në një hapësirë mode dhe hapën kalendarin kulturor vjeshtor të Pallatit.
Më shumë për bullgarët e suksesshëm jashtë vendi mund të lexoni këtu:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Veneta Nikollova
Na ishte njëherë e një kohë një lagje e jashtëzakonshme. Prej saj filloi ndërtimi i Sofjes së Vjetër, sepse ndodhej midis Pallatit dhe stacionit - rruga kryesore që bënte lidhjen e jetës në qytet. Në këtë hapësirë njerëzit jo vetëm plotësonin nevojën e..
Në vjeshtën e vitit 1992, nëpërmjet një urdhri të Këshillit të Ministrave në Bullgari, u krijua Agjencia për Bullgarët Jashtë Shtetit për të koordinuar politikën shtetërore ndaj bashkatdhetarëve tanë në mbarë botën. Kryetari i parë, Georgi Danaillov,..
Edicioni i 20-të i Festivalit Botëror të Filmit të Animuar mbahet nga 11 deri më 15 shtator në Qendrën e Kongreseve në qytetin bregdetar bullgar Varna. Janë të përzgjedhur mbi 70 tituj në 7 kategori, ndër të cilët më të priturit, sipas ekipit, janë..