Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

"Survivor" bullgar ose ndryshe si mbijetojnë banorët e fshatit Radevo

11
Foto: Dimitrina Donçeva

Fshati Radevo ndodhet në Bullgarinë Verilindore, jo shumë larg nga kryeqyteti ynë detar dhe po ashtu qytet i madh turistik - Varna, distanca është rreth 30-40 minuta me makinë. Në Radevo ka jo më shumë se 60 banorë, shumica e të cilëve janë mbi 60-70 vjeç dhe për një popullsi të tillë më e rëndësishmja është përkujdesja. Megjithatë, jeta në Radevo është një mësim i vërtetë mbijetese. Këtë e dëshmon Dimitrina Donçeva nga BNR-Varna, e cila bisedon me të moshuarit atje.

Në fshat nuk ka shërbim shëndetësor, nuk ka postë, bibliotekë, nuk ka as kishë. Në Radevo as telefonat pothuajse nuk punojnë, sepse mbulimi i operatorëve celularë është i dobët. Rruga për në fshat është tërësisht e prishur, është e mbushur me barishte dhe shkurre, por më e keqja është se askush nuk i kushton vëmendje problemeve të njerëzve – thonë ata në reportazh.

Ndjenja e shkëputjes nga bota shtohet edhe nga mungesa e transportit. Vite më parë, autobusi qarkullonte tre herë në ditë, por tani ai qarkullon vetëm të hënën dhe të premten. Kjo është vështirësia më e madhe e banorëve të zonës, shumica e tyre nuk kanë veturë dhe kur duhet të shkojnë te mjeku, kërkojnë ndihmë nga fqinjët dhe të njohurit për t'i çuar në qytetin Aksakovo. Pavarësisht kësaj, fshati është i rrethuar nga një natyrë piktoreske, me ajër të pastër dhe më e rëndësishmja: uji këtu është gjithmonë i mjaftueshëm, ata nuk e njohin regjimin ujor të vendeve të tjera të Bullgarisë.

Në zgjedhjet evropiane dhe ato parlamentare, të cilat u mbajtën më 9 qershor të këtij viti, banorët e Radevos sërish dolën të gjithë për të votuar. “Nuk besojmë se do të ndryshojë gjë, por gjithsesi votojmë” – thotë Ani Divleva, e cila është pensioniste, por vazhdon të punojë si ndihmësmjeke për të mirën e banorëve të fshatit. Ja çfarë ndan edhe Margarita Kollarova.

"Që nga viti 1980 kam votuar gjithmonë. Jemi të harruar nga Zoti dhe nga qeveria. Por ne mendojmë se jemi mjaft të zgjuar dhe të arsimuar, ndaj shkojmë për të votuar. Çfarëdo që kërkohet prej nesh, ne e bëjmë, por askush nuk bën asgjë për ne."

Dhe pavarësisht se prej 4-5 vitesh asnjë politikan apo administrator vendas nuk ka shkelur në fshat, njerëzit tregojnë godinën e shkollës vendase, ku janë mbajtur tubime masive dhe shumë mbledhje të organizuara më shumë se 40 vjet më parë. Të lidhura kryesisht me mbrojtësin e fshatit - Dimitër Radev, të cilit i është ngritur edhe një përmendore në qendër - tregojnë gratë nga fshati i Varnës:

“Këtu ka pasur një partizan që ka jetuar në fund të fshatit, quhej Dimitër Radev, atë e vranë dhe fshati mori emrin e tij të cilin e mban edhe sot e kësaj dite. Festa e fshatit ishte e lidhur edhe me përkujtimin e të ndjerit, të cilit i ishte ngritur përmendorja. Në Radevo ka pasur edhe një shkollë fillore, por ndërtesa tani është duke u rrënuar, ndërsa dikur ka qenë vend për festime të mëdha. Tani oborri është i mbushur me barishte, xhamat janë thyer, dyert nuk mbyllen, ndërsa tjegullat po bien nga çatia”.

Prej vitesh askush nuk i kushton rëndësi shkollës së vjetër të fshatit, sepse këtu nuk ka fëmijë. Nuk ka as polici. Shumë rrallë ndodh që të shfaqet ndonjë polic i cili patrullon në fshatrat e afërta - thonë banorët e Radevos. Megjithatë, njerëzit janë mësuar të jetojnë së bashku, duke u mbledhur në dyqanin vendas për të shkëmbyer informacione dhe për të diskutuar lajmet e ditës. Mirëpo, dimri në fshatin Radevo më shumë se një herë ka sjellë surpriza. Ndodh që bie shumë borë dhe më pas të moshuarit vujanë, të bllokuar në shtëpitë e tyre. - thotë një grua nga fshati Radevo dhe tregon se cila është formula e mbijetesës në rrethana të tilla krize:

"Në dimër të gjithë i kemi marrë masat. Mbajmë gjithmonë nga 5-6 bukë në ngrirje, një kuti patatesh, miell, vaj, sheqer – nga të gjitha dhe me shumicë, sepse mund të mos vijnë për të furnizuar dyqanin, prandaj secili prej nesh duhet të ketë bukë në shtëpi. Askush nuk e di se kur do të jetë furnizimi i radhës. Nëse dikujt i mbaron buka ndërkohë, të tjerët ndihmojnë. Kur buka ime mbaron, dikush do të më japë mua, një tjetër do t'i japë dikujt tjetër, e kështu me radhë."

Përpiloi: Gergana Mançeva (bazuar në intervistën e Dimitrina Donçevës, BNR-Radio Varna)
Foto: Dimitrina Donçeva
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Për përulësinë ndaj iluministëve dhe dimensionin bashkëkohor të iluminizmit

Iluministët janë individët për të cilët ndjejmë jo vetëm mirënjohje dhe admirim, por edhe i perceptojmë si disa nga figurat më domethënëse të historisë sonë, sepse na zgjojnë ndjenjën e bashkimit kombëtar. Megjithatë, çfarë fshihet pas konceptit të..

botuar më 24-11-01 1.05.MD

Persona me vështirësi mendore prezantojnë në fotot "Histori arkitektonike nga Sofja e Vjetër"

Persona me aftësi të kufizuara mendore ndajnë këndvështrimin e tyre unik mbi trashëgiminë arkitekturore të Sofjes në ekspozitën fotografike "Histori arkitektonike nga Sofja e Vjetër". Ekspozita u rregullua në Hapësirën Kulturore të Kompleksit..

botuar më 24-11-01 5.20.PD

Një peticion insiston për shpalljen e rezervatit të parë detar në Bullgari

Më 31 tetor festojmë Ditën Ndërkombëtare të Detit të Zi. Qëllimi i saj është të tërheqë vëmendjen e shoqërisë për problemet e detit dhe mënyrat për ta mbrojtur atë, për të siguruar një të ardhme më të mirë për 16 milionë njerëz nga gjashtë vende që..

botuar më 24-10-31 6.05.PD