Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Tema nga radio rrjeti evropian "Euranet Plus":

E majta europiane dëshiron të jetë sërish ndër më të fortët e ditës

Foto: www.economist.com

Kryetarja e Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve, Iratxe García Pérez, mori pjesë në një Samit me gazetarët e rrjetit kryesor evropian të radios "Euranet Plus", gjatë të cilit ajo sqaroi qëndrimin e grupit të saj për një sërë çështjesh.

Në përgjithësi, viti 2024 nuk ishte i mirë për partitë e majta në Evropë – mbështetja për socialistët dhe të gjelbërit u dobësua në vende të ndryshme në dallim të së djathtës ekstreme. Në zgjedhjet e Parlamentit Evropian në qershor, për shembull, të gjelbërit rezultuan të ishin humbësit më të mëdhenj. Dhe megjithëse forcat e majta në Parlamentin Europian kanë gjithsej 235 nga 720 eurodeputetë, ndarja e rezultateve sipas vendeve tregon se ambiciet e socialistëve, socialdemokratëve, partive të punës dhe eko-partive nuk janë arritur. Megjithatë, një sukses mund të raportohet në disa vende, si Danimarka - ku Partia Popullore Socialiste kishte mbështetjen më të madhe në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, dhe në vendin e dytë - socialdemokratët e kryeministres Mette Frederiksen, e cila miratoi një politikë gjithnjë e më kufizuese të imigracionit, që kur Partia Popullore Daneze e ekstremit të djathtë hyri në arenën politike. Në Finlandë, Aleanca e së Majtës u rendit e dyta me një platformë politike që fokusohet në klimën, të drejtat e punëtorëve, investimet në shërbimet sociale dhe shpërndarjen e barabartë të të ardhurave. Partia e Punëtorëve në Belgjikë dhe Partia Komuniste Austriake gjithashtu bënë përparim elektoral në zgjedhjet evropiane.

Megjithatë, e majta në Evropë kërkon përfundimisht rezultate më të mira. Sipas analistëve, vitet e fundit duket se kanë braktisur idetë tradicionale socialiste në favor të politikave liberale dhe kështu janë bërë thuajse të padallueshme nga partitë e qendrës së djathtë, të cilat janë po aq pro-evropiane, me qëndrime të ngjashme për çështjet ekonomike dhe klimatike. E majta europiane mbron gjithashtu të drejtat e njerëzve me orientim seksual jotradicional dhe politika të gjelbra, tema të njohura ndër votuesit e rinj, por jo aq shumë mes familjeve të punës. Shembulli i Danimarkës tregon se disa parti të majta kanë shënuar sukses duke ndërthurur politika progresive dhe konservatore. Socialdemokratët në Rumani gjithashtu kombinojnë vlerat konservatore dhe tendencat euroskeptike me politikat ekonomike të qendrës së majtë.

Pandemia e Covid-19, lufta në Ukrainë, lufta kundër ndryshimeve klimatike dhe kriza aktuale e standardeve të jetesës janë të gjitha mundësi që politikanët në të majtë të dallohen me iniciativa për të forcuar masat sociale. Vëzhguesit arrijnë në përfundimin se nuk ka liderë të fortë për të përfituar nga këto momente. Duke parë mbrapa, shohim Tony Blair, Gerhard Schröder dhe François Mitterrand, dhe tani duket se liderët në Evropë janë Viktor Orbán, Giorgia Meloni dhe Marine Le Pen.


Nga kjo verë, socialdemokratët kanë një drejtuese të re në Parlamentin Evropian - Iratxe García Pérez. Në fillim të këtij muaji, ajo bëri vizitën e saj të parë zyrtare të huaj që nga zgjedhja e saj - në Kiev, për të shprehur përkushtimin e grupit të saj për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës - pavarësisht nga ndjenjat kundër luftës të së majtës tradicionale. Pse është kjo e rëndësishme?

“Evropa është me Ukrainën, sepse së bashku ne duhet të mbrojmë dinjitetin, territorin dhe vlerat tona të përbashkëta.”

Në konferencën për shtyp të rrjetit radiofonik Euranet Plus, pyetja nga Austria ishte lidhur me financimin e mediave publike dhe përdorimin e buxheteve të tyre si një mjet për të minuar pavarësinë e tyre, veçanërisht në vendet ku në pushtet janë partitë populiste. Kjo bie ndesh me parimet e parashikuara në legjislacionin evropian për lirinë e medias dhe është veçanërisht shqetësuese duke pasur parasysh faktin se në të njëjtën kohë Rusia po rrit fondet për mediat e saj. Në një kontekst të ngjashëm, si mund të fitohet lufta kundër dezinformimit dhe nëse ekziston një vullnet për të siguruar më shumë para për armë për Ukrainën, a nuk duhet të sigurohet mbështetje financiare edhe për mediat?

Nëse duam të mbrojmë Ukrainën, duhet ta bëjmë atë nga këndvështrime të ndryshme – mbështetje financiare, ushtarake dhe humanitare, si dhe ndihmë për rindërtim. Kjo është e qartë dhe ne insistojmë në rëndësinë e rritjes së buxhetit të mbrojtjes. Por në të njëjtën kohë, grupi ynë i Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve bën të qartë se rritja e buxhetit të mbrojtjes nuk mund të nënkuptojë ulje të buxhetit për politika të tjera të rëndësishme si media publike dhe politika tradicionale, ndër të cilat janë kohezioni, bujqësia, për dixhitalizimin ose për mjedisin.

Një koleg gazetar nga Rumania vuri në dukje se si në vendin e tij, ashtu edhe në vende të tjera në Evropë, partitë e ekstremit të djathtë dhe pro-ruse fituan shumë vota në zgjedhjet e fundit. Ky fakt nga shumëkush ia atribuohet paaftësisë së partive tradicionale për t'u marrë me dezinformatat, por edhe me shqetësimet reale, të përditshme të qytetarëve të zakonshëm. Çfarë përgjegjësie është i gatshëm të marrë për këtë çështje lideri i Social Demokratëve Evropianë?

Sigurisht që forcat politike tradicionale janë gjithmonë përgjegjëse. Unë e kuptoj këtë dhe ne duhet të bëjmë diçka më të mirë - të punojmë për të përmirësuar jetën e njerëzve. Por në të njëjtën kohë, nuk mund të injorojmë faktin se disa të tjerë përpiqen të shkatërrojnë gjithçka që forcat politike tradicionale kanë arritur në të kaluarën. A mund të jetë më mirë? Sigurisht. Gjithmonë mund të jetë më mirë. Por është e rëndësishme të ndalet ndërhyrja, të ndalohen ata që duan të jenë në politikë për të shkatërruar vlerat evropiane.”

Dhe çfarë mund të bëjnë Iratxe García Pérez dhe kolegët e saj centristë për ta kthyer këtë prirje?

Ne e dimë se e djathta ekstreme fiton më shumë pushtet kur pabarazia është një realitet në shoqëritë tona. Dhe për këtë arsye është e rëndësishme që të bëhet ky debat për burimet, për politikën sociale. Shtylla e të drejtave sociale është e një rëndësie parësore. Ajo që ne nuk mund të bëjmë është thjesht të investojmë më shumë para në armë dhe të shkurtojmë para për politikat sociale. Ky është pozicioni ynë si grup. Ne duam të zgjerojmë dimensionin social, politikat sociale. Ne duhet të zgjerojmë strategjinë tonë në sferën industriale dhe ekonomike, të përmirësojmë konkurrencën tonë. Por ne nuk mund ta bëjmë këtë duke kufizuar të drejtat sociale dhe të drejtat e punëtorëve.”

Me këtë temë ishte lidhur edhe pyetja nga Greqia, ku partia e majtë opozitare SIRIZA është në krizë, më konkretisht - si do të ishte e mundur që progresi ekonomik të shkonte paralelisht me drejtësinë sociale, barazinë dhe solidaritetin:

Ne duhet të vazhdojmë të punojmë, për shembull, në direktivën e të ardhurave minimale – kjo është diçka e rëndësishme. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë në shkallën e të drejtave sociale, kjo është thelbësore. Një element i rëndësishëm për ne është diskutimi i investimeve në Bashkimin Evropian. Ne duhet të investojmë – më shumë dhe më mirë, dhe kemi nevojë për më shumë burime.”

Sa më shumë sfida të përballet Bashkimi Evropian, aq më shumë para nevojiten, është kategorike kryetarja e Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve, Iratxe García Pérez. Sipas saj, është e nevojshme të hapen rrugë të reja për sigurimin e burimeve të veta:

Ne kemi nevojë për burime për të mbështetur ata që kanë më shumë nevoja. Dhe ata që kanë më shumë le të vënë më shumë “në tavolinë”, që të ketë një rishpërndarje.”


Në vitin e kaluar, socialdemokratët evropianë nuk mund të mburren me suksese të veçanta - një shumicë e qendrës së djathtë po formohet në Parlamentin Evropian dhe shumë nga kërkesat e tyre duket se nuk do të respektohen. Si planifikon grupi i socialistëve dhe demokratëve ta kthejë këtë lëvizje?

Ne duhet të ndërtojmë shumicë pro-evropiane dhe këtë mund ta arrijmë vetëm me Partinë Popullore Evropiane, Rinovimin e Evropës, të Gjelbrit dhe ne. Kjo do të jetë strategjia jonë – të përfshijmë të gjitha këto grupe në negociatat për paketën e ardhshme të dokumenteve në një përpjekje për t'u bashkuar rreth një qëndrimi të përbashkët.”

Presidentja e Partisë Popullore Evropiane të Komisionit Evropian të qendrës së djathtë, Ursula von der Leyen është akuzuar se "flirton gjithnjë e më shumë me të djathtën ekstreme". García Pérez konfirmon se socialdemokratët kanë qenë shumë të pakënaqur me shumicën e procesit të miratimit të Komisionit të ri Evropian. Dhe sidomos nga vendimi për të marrë postin e zëvendëspresidentit një përfaqësues i konservatorëve dhe reformistëve europianë. Megjithatë, tani është koha për bashkim, thotë ajo, por thekson – brenda kufijve të arsyeshëm:

Jemi në një moment shumë të vështirë për Bashkimin Evropian. Në të gjithë botën, situata gjeopolitike është shumë e vështirë. Ne kemi nevojë për stabilitet. Duhet një qeveri - një qeveri evropiane. Dhe për këtë arsye ne e mbështesim këtë Komision Evropian, por jo me çdo çmim. Është më e rëndësishme se kurrë të punohet në unitet, por vetëm me forcat politike pro-evropiane. Ne nuk mund të negociojmë, nuk mund të punojmë me ata që duan të shkatërrojnë projektin evropian dhe vlerat evropiane.”

A do të thotë kjo se Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve është e shqetësuar për krijimin e aleancave midis Partisë Popullore Evropiane dhe të djathtës ekstreme, pavarësisht marrëveshjes mes socialdemokratëve dhe PPE?

Tani po fillojmë të punojmë me kolegjiumin e ri të komisionerëve evropianë me propozimet e reja – legjislative, politike... Jemi të hapur, natyrisht, të punojmë me PPE – këto gjëra nuk mund t’i arrijmë të vetëm. EPP duhet të jetë me forcat pro-evropiane. Megjithatë, EPP nuk mund të përpiqet të luajë një lojë të dyfishtë. Kjo është diçka për të cilën do të jemi shumë të qartë gjatë hapave të ardhshëm dhe fazave të ndryshme të negociatave.”

Mes kontekstit kompleks gjeopolitik - lufta në Ukrainë dhe paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme, mundësia e luftërave reale tregtare me Kinën dhe SHBA-në pas inaugurimit të Donald Trump si presidenti i ardhshëm i SHBA-së, miliona evropianë po kërkojnë zgjidhje nga brenda për problemet e tyre thjesht të brendshme të lidhura me inflacionin dhe çmimet e larta të energjisë, megjithëse ato shpesh varen nga vendime komplekse globale. Ne kemi nevojë për Evropën, është kategorik Iratxe García Pérez:

Mbroni projektin europian më shumë se kurrë! Mbroni më shumë se kurrë gjithçka që na bashkon dhe gjithçka që na ka sjellë përpara. Mos u ktheni mbrapa, mos u ktheni në hapat që hodhëm për të ndërtuar Evropën.”

Liderja e Socialistëve dhe Demokratëve pranon se rruga është e pjerrët, por beson me vendosmëri se Bashkimi Evropian luan një rol konstruktiv në skenën botërore:

Evropa duhet të modernizojë ekonominë dhe industrinë e saj. Por kjo duhet bërë nga një pozicion respekti për mjedisin dhe planetin tonë. Bashkimi ynë duhet të udhëheqë ndërkombëtarisht në luftën kundër ndryshimeve klimatike.”

Dhe mbi të gjitha, sipas fjalëve të saj, Evropa mund dhe duhet të shërbejë si një standard botëror për demokracinë dhe qëndrueshmërinë: "Evropa është një model për shumë njerëz që besojnë në demokracinë dhe sundimin e ligjit, për ata që besojnë në një zhvillim më të drejtë dhe më miqësor ndaj mjedisit."

Ky material është përgatitur në kuadër të radio rrjetit evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Muzeu Historik Rajonal - Sofje prezanton video histori të ndërtesave ikonike në kryeqytet

Në rubrikën e tij të fundit digjitale "Ndërtesat tregojnë", Muzeu Historik Rajonal - Sofje paraqet historitë e ndërtesave emblematike në qendër të Sofjes, si dhe të njerëzve që dikur kanë jetuar në to. Nisma me video materiale është pjesë e projektit..

botuar më 24-12-28 6.45.PD
Foto: Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Shqipëri

Për të pestin vit radhazi nxënësit e Gorës dhe Gollobordës shënojnë “Festat e fundvitit në mënyrë bullgare"

Me mbështetjen financiare të shtetit bullgar dhe në kuadër të një projekti të realizuar nga shoqata "Bullgarët në Shqipëri", fëmijëve nga Gora dhe Golloborda iu dorëzuan dhurata për festat e fundvitit. Në këto dy rajone jeton një pjesë e madhe e pakicës..

botuar më 24-12-27 11.06.PD

“Krishtlindjet bullgare” mblodhi 2.9 milionë leva (pothuajse 1.5 milionë euro) për fëmijët në nevojë për trajtim

Vazhdon edicioni i 22-të i "Krishtlindjeve bullgare" nën patronazhin e Presidentit të Republikës së Bullgarisë. Këtë vit, fushata është në mbështetje të fëmijëve me sëmundje dhe gjendje të rëndë kronike. Shuma e mbledhur pas shfaqjes bamirëse të mbajtur..

botuar më 24-12-26 10.24.PD