Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Për Vit të Ri tek bullgarët e Moldavisë

Në zakonin "Pо́le, pо́le" ndërthuren besimi i krishterë dhe traditat pagane të bullgarëve besarabianë

Foto: Arkiva personale e Galina Manollovës
Duke u zhvendosur në Besarabi më shumë se dy shekuj më parë, bullgarët morën me vete një pjesë të ritualeve tona të pasura. Në atdheun e tyre të ri, disa zakone u modifikuan nën ndikimin e traditave vendase, të tjera u zhdukën, ndërsa disa të tjera u ruajtën vetëm në fshatrat bullgare atje. Kështu ndodhi edhe me një ritual interesant të Vitit të Ri të ruajtur nga bashkatdhetarët tanë të quajtur – “Pо́le, pо́le”.

"Ky është një zakon tepër i bukur, që ka të bëjë me faktin se në mëngjesin e 1 janarit, fëmijët djem shkojnë nëpër shtëpi dhe këndojnë një këngë-bekim të veçantë, të cilën e shoqërojnë me hedhje drithi ose gruri për shëndet dhe mbarësi." - thotë etnografja Galina Manollova e lindur në fshatin Cairaclia të Moldavisë.

Në fakt, këto janë vizita fëmijësh nëpër shtëpi, dhe në pamje të parë, zakoni duket si një huazim tipik nga sllavët e veriut: ai vërehet tek rusët, ukrainasit, bjellorusët.

"Por veçanërisht këtu, do të thoja se ky është një version i bullgarizuar i një zakoni interesant, sepse ne kemi një bekim, pjesa e parë e të cilit është në bullgarisht, dhe e dyta - në rusisht. Por pse konsiderohet bullgar? Sepse korrespondon me moralin e bullgarëve të Besarabisë - thotë Galina Manollova - Kjo këngë-bekim tregon qartë se Zoti Jezu Krisht, të cilin e lindi Virgjëresha Mari, ecën mes njerëzve, pasi fusha simbolizon një shoqëri të tërë, dhe çdo kokërr simbolizon një shpirt të krishterë më vete. Gjëja tjetër që i kushtova vëmendje si etnografe është se, ndryshe nga fëmijët për Survakane, të cilët vizitojnë shtëpitë për të dhënë bekimet e tyre në orët e para të vitit të ri dhe mund të jenë edhe djem edhe vajza, pjesëmarrësit në "Pо́le, pо́le" janë vetëm djem të vegjël."

Ky bekim tregon qartë forcën e besimit të bullgarëve të Besarabisë dhe botëkuptimin e tyre të krishterë. Nuk është rastësi që gjëja e parë që bënë në vendin e ri ishin kishat. Dhe ky zakon tepër i pasur është pranuar, sepse korrespondon me thelbin e tyre ortodoks.

“Kur gjyshet e moshuara dëgjonin djalin duke shqiptuar bekimin e Vitit të Ri dhe shikonin se si hidhej gruri në dhomë, para ikonës, ato përhumbeshin në një ekstazë shpirtërore, si të thuash, e pranonin bekimin si një dritë, fjalë e mirë e ardhur nga kisha - kujton Galina Manollova në një intervistë për Radio Bullgarinë - Nga ana tjetër, zakoni është shumë interesant sepse pasqyron fillimin e vitit të ri laik, por me këtë zakon bullgarët tregojnë se si ata e perceptojnë botën e bërë nga Jezu Krishti dhe se viti i ri fillon në këtë mënyrë të mrekullueshme - të ndriçuar nga fjala e Perëndisë."

Në zakonin "Pо́le, pо́le", besimet e krishtera ndërthuren me ato pagane. Populli ynë besonte se aq grurë sa do të hidhej, aq pula do të kishin gjatë vitit.

"Por i shenjtëruar nga një bekim i tillë dhe i bekuar para ikonës, sipas ideve të bullgarëve besarabianë, gruri fiton veti çudibërëse. Më vonë si studente, vura re se si nëna ime u jepte fëmijëve që vinin për Survakane më pak lek, se sa fëmijëve që vinin për "Pо́le, pо́le". Vetëm tani e kuptoj që ajo e bënte këtë pa dashje, sepse ky zakon për të është diçka e bekuar, sepse gjithçka është e lidhur me Zotin, për bullgarët e Besarabisë është vërtet çudibërës."

Gjatë kërkimeve të saj, etnografja Galina Manollova nuk arriti t’i zbulonte rrënjët e këtij zakoni në Bullgari. “Kjo nuk do të thotë se nuk ekzistojnë aty, vetëm duhet t’i gjejmë” – është e bindur Galina dhe u dërgon të gjithë bullgarëve urimet e saj më të përzemërta:

“Uroj në këto festa sa më shumë dritë, më shumë mirësi dhe le të mbizotërojnë mendimet pozitive, sepse ne jemi këtu përkohësisht dhe çdo gjë që na ndodh na ndodh për mirë!

Lexoni më tepër:
Foto: Arkiva personale e Galina Manollovës, Facebook/ Земляки Кайраклии Молдовы, freepik.com
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

"Zbrit, Xhermane, për darkë!" – magjia e humbur e Natës së Buzmit

Nata e Buzmit, e quajtur ndonjëherë edhe Vigjilja e Krishtlindjes, Krishtlindjet e Vogla, perceptohej si pjesë e një periudhe të errët, të tmerrshme, e ngarkuar me një potencial të fuqishëm për të ndikuar në të gjithë vitin e ardhshëm. Prandaj, nata..

botuar më 24-12-24 6.45.PD

Dita e Shën Ignat Hyjmbajtësit - një festë e ngarkuar me pritjen e Zotit të Ri dhe Rilindjen e Diellit

Me 20 dhjetor Kisha Ortodokse Bullgare nderon kujtimin e Shën Ignat Hyjmbajtësit. Sipas besimeve, dhimbjet e lindjes së Nënës së Zotit fillojnë nga kjo ditë. Edhe në këngët popullore thuhet:“Filluan dhimbjet e lindjes së nënës së Zotit”. Në kalendarin..

botuar më 24-12-20 5.40.PD

Nga marmelata e shalqinit e deri tek Dita e Dervishëve - cilat janë "Thesaret e gjalla njerëzore" të Bullgarisë

Tetë tradita autentike bullgare dhe aftësi të përcjella brez pas brezi nga pjesë të ndryshme të vendit u bënë pjesë e Listës Përfaqësuese Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale dhe kështu u bënë pjesë e "Thesareve të gjalla njerëzore" të..

botuar më 24-12-12 7.35.PD