Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Specialistja e gjuhës spanjolle Marija Paçkova: Përkthyesi jeton disa jetë

"Puna në Radio Bullgarinë ishte periudha më e lumtur e jetës sime"

Foto: Arkiva personale

Pak studiues bullgarë kanë pasur rastin të njohin baskët në tërësinë e tyre - gjuhën, mënyrën e jetesës, zakonet, sjelljet dhe traditat. Mes tyre është edhe studiuesja e gjuhës spanjolle Marija Paçkova, e cila prej dekadash ka qenë pjesë e ekipit të redaksisë spanjolle të Radio Bullgarisë dhe rreth dhjetë vjet më parë fitoi një bursë që e çoi në San Sebastian – një nga tre qytetet më të mëdha në Spanjë. “San Sebastiani është një qytet i madh, i bukur, me shumë tradita kulturore”, thotë Marija Paçkova, duke bërë një krahasim mes baskëve dhe bullgarëve:
San Sebastian, Spanjë
"Midis baskëve, ekziston një traditë e bërjes së takimeve me poetë-improvizues, të cilët argëtojnë të tjerët dhe i kënaqin me krijimtarinë e tyre. Kjo lidhet me traditat mesjetare të poezisë trubadure, e cila ka ekzistuar prej shekujsh. Dhe ajo që i lidh ata me ne, bullgarët, është se baskët kanë një traditë shumë të lashtë të blegtorisë, rrisin dele dhe njihen si blegtorë shumë të aftë. Ndërtimi i anijeve është forca e tyre e madhe, edhe ne jemi të ngjashëm, sepse edhe vendi ynë ka ndërtuar anije të mëdha deri para 30 vjetësh”.

Me kthimin e saj në Bullgari, Marija Paçkova i shton koleksionit të madh të letërsisë së përkthyer nga autorë të rëndësishëm spanjollë edhe tekste të reja – këtë herë nga bota letrare baske. Ajo emocionohet sinqerisht nga botëkuptimi dhe perceptimi i tyre, dhe me çdo përkthim ajo niset përsëri drejt territoreve të banuara nga folësit e gjuhës më të vjetër të folur dhe aktualisht aktive në Evropë - Euskara. Kësaj radhe, “shoqëruesit” e Marija Paçkovës janë një tregimtar origjinal i tregimeve të ditëve të sotme dhe një kalimtar i rastësishëm nëpër vendin bask – personazhe në librin e fundit, të cilin ajo, së bashku me Shtëpinë Botuese Plamar, ia prezanton lexuesit bullgar në përkthim nga gjuha baske:
Tregimi Minjan
"Deri më tani kemi paraqitur kryesisht shkrimtarët më të rëndësishëm, më të shquar bashkëkohorë baskë. Autorët e tregimit "Minjan" / që do të thotë "vëlla i vogël" / janë një afrikan - Ibrahima Balde, dhe një bask - Ametz Arsalus. Pse vendosëm ta botonim këtë libër? – ai lidhet me një temë shumë të dhimbshme për të gjithë Evropën – refugjatët. Është e mbushur me shumë drama, sepse fati i çdo refugjati është një dramë”.

"Ndoshta fati i emigrimit të madh jashtë vendit e ka bërë popullin bask më të ndjeshëm ndaj fatit të emigrantëve. Edhe ne, bullgarët, kemi një emigracion të madh - vitet e fundit, por edhe më parë, kur bullgarët u vendosën në Amerikën Latine, në Argjentinë dhe në Uruguai" - vazhdon krahasimet Marija Paçkova:

Marija Paçkova e përkufizon veprimtarinë të cilës i ka kushtuar gjithë jetën e saj, përkatësisht përkthimin, si një mënyrë unike që njeriu të hapë një dritare të madhe drejt botës. Megjithatë, për të, është gjithashtu një mënyrë për të ruajtur dhe përmirësuar gjuhën e saj amtare. “Të mos harrojmë se sa e rëndësishme është bullgarishtja, është e jona, ndaj duhet të kujdesemi për të, por edhe të përpiqemi ta përdorim saktë” – është mesazhi i saj si një përkthyese e përkushtuar që punon çdo ditë me fjalët:

"Kisha një fat shumë të madh. Fillova të mësoja spanjisht për shkak të rrethanave familjare, por rinia ime përkoi edhe me një interesim të madh për gjuhën spanjolle, pasi menjëherë pas fitores së revolucionit kuban, u hap dega filologji spanjolle në Bullgari. Kështu u diplomova me klasën e parë në këtë filologji. Më pas, për fat, shpejt gjeta një punë në radio, ndërsa isha ende studente - disa prej nesh dolën vullnetarë për të marrë pjesë dhe për të mësuar, puna ishte shumë interesante. Puna në radio është periudha më e lumtur e jetës sime dhe jo vetëm për mua, por për të gjithë në redaksi. E gjeta veten mes njerëzve që kishin një interes dhe dëshirë të madhe për zhvillim, dëshirë për t'u përmirësuar dhe mësuar. Ne kërkonim çdo lloj mënyre për t'u pasuruar.”

Paralelisht me përkthimet nga spanjishtja në bullgarisht, Marija Paçkova përkthen edhe nga bullgarishtja në spanjisht – thotë se kjo krijon një ekuilibër në përkthim, përkthyesi krijon lidhjen midis gjuhëve dhe e ruan nivelin e të dyjave njëkohësisht:
Ekipi i transmetimit në gjuhën spanjolle në një studio të BNR-së. Nga e majta në të djathtë: Vencisllav Nikollov, Rajna Petkova, Katja Dimanova, Evelina Savova, Ani Georgieva, Marija Paçkova, Ljudmilla Petrakieva dhe Mihaill Mihajllov
"Profesioni i përkthyesit është si çdo tjetër, ai kërkon që njeriu të punojë vazhdimisht. Nuk mund të ndalesh, sepse fjalët nuk kanë fund, dhe realiteti ndryshon vazhdimisht, fjalë të reja për gjëra të reja shfaqen, sepse jeta ndryshon. Besoj se një përkthyes jeton disa jetë. Me çdo libër që përkthen, hyn në një realitet që nuk është i yti dhe prandaj jeton shumë jetë. Nuk mund të mërzitesh kurrë. Unë përkthej kryesisht mbrëmjeve, natën, sepse për shumë vite ditët e mia i kushtoheshin radios, kam edhe fëmijë, familje dhe gjithçka zhvillohet paralelisht. Nuk mund të ankohem për asgjë, jeta më ka lejuar të zhvillohem plotësisht në çdo aspekt”.

Mësoni më shumë për Redaksinë e Gjuhës Spanjolle dhe redaktorët e saj nga koleksioni i Radio Bullgarisë:

Foto: arkiva personale, Muzeu i Historisë së Radios në Bullgari “Prof. V. Dimitrov”, Universiteti i Ri Bullgar
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Asgjë nuk është e pamundur në muzikë

Më 1 tetor, bota feston gjuhën universale të muzikës. Vështirë se dikush dyshon në aftësinë e këtij arti për të shëruar shpirtrat dhe për t'u dhënë krahë mendimeve, por sot do të shtojmë edhe një histori tjetër që e vërteton këtë - atë të bateristit të..

botuar më 24-10-01 7.30.PD

Kur shkruaj tekste të ashpra publike, është pikërisht sepse e dua Bullgarinë dhe besoj në potencialin e bullgarëve

Kanë kaluar 116 vjet që nga 22 shtatori i vitit 1908, kur Bullgaria zuri vendin e saj të barabartë midis vendeve të tjera të pavarura të Evropës në atë kohë. Ndonëse, ndryshe nga Bashkimi, shpallja e Pavarësisë ishte një akt tërësisht politik, kjo nuk e..

botuar më 24-09-22 8.30.PD
Jaap van Beelen

Jaap van Beelen dhe koleksioni i tij unik i qilimave të vjetër bullgarë

Ai thotë se ka kohë që nuk ndihet i huaj në Bullgari. Kjo është shtëpia e tij, ai e di bullgarishten dhe, si shumica e bashkatdhetarëve tanë, është i emocionuar për situatën politike në vend. Por pasioni i tij më i madh, ajo që i mbush ditët me dritë..

botuar më 24-09-15 10.45.PD