Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Andrej Kovaçev: Klima e investimeve në Bullgari duhet të përmirësohet në mënyrë drastike

Konkurrueshmëria e ekonomisë evropiane është një temë kyçe në PE sipas eurodeputetëve bullgarë

Ivajllo Vëllçev: Evropa nuk duhet të shpëtohet individualisht

Ivajllo Vëllçev, Irina Nedeva dhe Andrej Kovaçev
Foto: Rosica Petkova

Gjatë seancës së kaluar të PE-së, u prezantuan parametrat më të rëndësishëm të buxhetit të BE-së për shtatë vitet e ardhshme, një procedurë jashtëzakonisht komplekse që kërkon marrëveshje të plotë midis shteteve anëtare, dhe që ndërlikohet më tej në sfondin e temës aktuale të tarifave që do të vendosen nga SHBA-të ndaj Evropës.

Debati ekonomik dhe financiar sa i përket konkurrueshmërisë së Evropës është kyç për Parlamentin Evropian, mësojmë nga një intervistë e të dërguarës speciale të Radios Kombëtare Bullgare në Strasburg, Irina Nedeva, me eurodeputetin bullgar nga Partia Popullore Evropiane, Andrej Kovaçev, i cili është anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme të PE-së, dhe me Ivajllo Vëllçev, një eurodeputet nga Grupi i Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë.
Andrej Kovaçev (GERB/EPP)
"Tema mbetet e njëjtë. Ajo është se si ta bëjmë ekonominë evropiane efikase dhe konkurruese pikërisht për shkak të sfidave që na presin me administratën e re në SHBA - si të jemi më të shpejtë, më fleksibël, me më pak burokraci, më pak administratë, të mbështesim bizneset e vogla dhe të mesme, inovacionin, inteligjencën artificiale - ndan Andrej Kovaçev. - Pyetja më e madhe është si - me cilat akte legjislative në nivel kombëtar dhe evropian - mund të thjeshtojmë shumë rregullore, të zvogëlojmë raportimin që industria është e detyruar të bëjë, gjë që kërkon një kohë jashtëzakonisht të gjatë, largon konkurrueshmërinë e BE-së dhe i bën më pak tërheqëse investimet vendase dhe të huaja në BE.

Në një përpjekje për të rikthyer trendin e rënies industriale dhe për të rritur përpjekjet për të reduktuar burokracinë dhe kostot e energjisë, si dhe aftësinë e tij për të konkurruar me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën në fusha të reja si inteligjenca artificiale, Komisioni Evropian prezantoi në fund të janarit iniciativën e tij të parë të madhe të mandatit të ri të menaxhimit, të quajtur Competitive Compass.

Eurodeputeti Ivajllo Vëllçev, për të cilin ky është mandati i tij i parë në Parlamentin Evropian, beson se Evropa po përpiqet të riparojë dëmin që ka shkaktuar vetë.
Ivajllo Vëllçev (ITN/Konservatorët dhe Reformistët Evropianë)
"Nuk ka asnjë temë në Parlamentin Evropian që nuk lidhet me rikthimin e konkurrueshmërisë së Evropës. Rezulton se duke i kushtuar vëmendje teknologjive të reja, teknologjive të gjelbra dhe faktit që të gjithë të kenë nga 60 diploma të arsimit të lartë, në një moment Evropa mbetet pa përpunues metalesh, pa saldatorë ose njerëz për të riparuar tualetin, të cilin padyshim që inteligjenca artificiale nuk do ta zhbllokojë kur është e nevojshme," komentoi eurodeputeti.

Ursula von der Leyen premtoi të zvogëlojë barrën administrative në përpjekje për të ndaluar rrjedhjen e talenteve nga Evropa drejt SHBA-së, Singaporit dhe destinacione të tjera, veçanërisht në sektorin e IT dhe AI, kujtoi Andrej Kovaçev dhe vuri në dukje:

"Ne kemi shumë për të bërë. Ne nuk jemi aspak në një pozicion të lakmueshëm. Duhet të punojmë në dy nivele - si në nivel evropian me thjeshtimin e të gjitha procedurave, me reduktimin e raportimit, i cili është i detyrueshëm, por paralelisht me këtë në çdo vend anëtar, i njëjti legjislacion për të reduktuar administratën dhe burokracinë duhet të miratohet nga parlamentet kombëtare. Përndryshe, nuk do të mund të përmirësojmë klimën e investimeve. Për ne është shumë e rëndësishme që klima e investimeve në Bullgari të përmirësohet në mënyrë drastike me një perspektivë të qartë dhe të qëndrueshme."

Sipas Andrej Kovaçev, bisedimet intensive janë duke u zhvilluar për të shmangur një luftë tregtare me Shtetet e Bashkuara. Është në interesin e të dy vendeve - SHBA-së dhe BE-së - të kemi marrëdhënie të mira me partnerin tonë tradicional SHBA-në, pasi tregtia e lirë është një mjet themelor për prosperitetin e të gjithëve, shprehet në mënyrë kategorike eurodeputeti bullgar.

Kolegu i tij Ivajllo Vëllçev është i mendimit se Evropa nuk duhet të shpëtojë veten individualisht në mjedisin ndërkombëtar që është duke ndryshuar në mënyrë dinamike:

"Nuk do të jetë për të mirën e Bashkimit nëse secili vend fillon të kërkojë shpëtimin e tij, pa parë se çfarë po ndodh rreth tij. Gjëja e rëndësishme është të rimendohen politikat aktuale evropiane - në mënyrë që Evropa të mos kryejë vetëvrasje ekonomike dhe çfarëdo që të bëjë, ta bëjë në unitet."

Intervista: Irina Nedeva

Foto: Irina Nedeva, Rosica Petkova, europa.eu, eu-rope.ideasoneurope.eu

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Georgi Përvanov

Ka kthim të ekspertëve bullgarë, por po rritet edhe numri i punëtorëve të huaj

Ka një rritje të madhe të importit të punëtorëve nga vendet e treta, dhe deri në fund të vitit pritet të arrihet shifra prej 50 mijë vetash. Mungesa e fuqisë punëtore mbetet një problem i përhershëm, tha për radion BNR Georgi Përvanov – ekspert për..

botuar më 25-09-18 11.53.PD

Përpara vendosjes së euros në qarkullim, kompani dhe qytetarë po depozitojnë me ritëm të shtuar para në banka

Ministria e Financave të Bullgarisë emetoi në tregun e brendshëm obligacione shtetërore 7-vjeçare në vlerë prej 300 milionë leva (rreth 144 milionë euro), me një normë interesi prej 3.25%. Kërkesat për blerje arritën në 446 milionë leva, me një..

botuar më 25-09-17 9.54.PD

Një kompani investon mbi 1 milion euro shtesë për prodhimin e saj në Bozhurishte

Një kompani bullgare po zgjeron prodhimin e saj të makinave prerëse me lazer në Parkun Industrial Sofje – Bozhurishte, njoftoi Ministria e Ekonomisë. Investimi kap vlerën prej 2 milionë leva (mbi 1 milion euro). Kompania do të ndërtojë një ndërtesë..

botuar më 25-09-14 7.50.PD