Batak është një emër që çdo bullgar e shqipton me respekt dhe dhimbje, sepse fati i qytetit të vogël malor është shënuar nga një nga ngjarjet më të përgjakshme në kujtesën tonë kombëtare - Masakrat e Batakut. Dhe nuk ka asnjë bashkatdhetar, i cili të mos përjetojë emocione të forta kur e viziton Batakun dhe ndjen peshën e historisë, të fshehur në çdo pëllëmbë tokë.
Në ditët e para pas shpërthimit të Kryengritjes së Prillit në pranverën e vitit 1876 qyteti mbrohej me sukses. Por më 30 prill, autoritetet osmane dërguan njësitë e bashibozukut, të udhëhequra nga Ahmed Aga Barutanlijata, për të ndëshkuar popullsinë rebele. Më 1 maj 1876 Bataku u rrethua dhe filluan masakrat në masë. Një pjesë e popullsisë u strehua në kishë, por më kot.
Teodora Pejçinova, drejtoreshë e Muzeut Historik në qytet, tregon:
“Kisha “Shën e Diela” u bë streha e fundit e më të pambrojturve, të cilët besuan se bashibozukët e Ahmet Barutanlijata nuk do të guxonin të hynin në një tempull të krishterë dhe do t'i linin të gjallë. Ata mbetën të mbyllur atje për tre ditë pa ushqim dhe ujë. Fëmijët qanin gjatë gjithë kohës. Kur uji nuk mjaftonte, nënat gërmuan një pus me shpresën për të gjetur ujë thellë brenda. Por pranvera ishte e thatë, dhe ato nuk gjetën ujë. Dhe filluan t'u japin fëmijëve të tyre vajin nga kandilat. Dhe kur mbaroi, sepse jashtë kishte të shtëna të vazhdueshme, ato filluan të lagnin buzët e tyre me gjakun e atyre që po vdisnin rreth tyre” - nuk e fsheh emocionin Teodora Pejçinova.
Gati dy mijë njerëz vdiqën në tempull. Sot këta martirë të besimit dhe lirisë janë të kanonizuar nga Kisha Ortodokse Bullgare dhe zënë një vend të nderuar ndër shenjtorët e Ortodoksisë.
“Në vetë kishë shihen vrimat e plumbave në mure dhe pusi i hapur nga nënat me duar. Kafkat dhe kockat e të vrarëve janë të ekspozuara në një eshtërore në vet kishë – thotë Teodora Pejçinova. - Në fakt historia jonë është e shkruar me gjak dhe kocka dhe ne nuk kemi të drejtë ta ndryshojmë atë, thjesht duhet ta ruajmë, t'ua përcjellim fëmijëve tanë që të mbahet mend dhe të mos përsëritet kurrë ajo që ndodhi në Batak gjatë Kryengritjes së Prillit."
Kujtimi i këtyre faqeve të errëta të historisë bullgare ruhet jo vetëm në Kishën "Shën e Diela", por edhe në Muzeun Historik në Batak, si dhe në Rrugicën e Rilindësve, kushtuar heronjve dhe viktimave. Aty janë të vendosura pllaka përkujtimore dhe monumente, që gjurmojnë fatin mizor të viktimave dhe përjetësojnë veprën e tyre.
“Batak dha më shumë viktima në Kryengritjen e Prillit të vitit 1876. Nga një popullsi prej 6-7 mijë banorësh vdiqën afro 5 mijë njerëz – gra, fëmijë, pleq, foshnje. Në muzeun në Batak, ka një mur me emrat e disa prej banorëve të Batakut që vdiqën në Kryengritjen e Prillit. Nëse dikush shikon me kujdes, do të lexojë emrat e foshnjave, të fëmijëve të vegjël, madje edhe emrat e 100-vjeçarëve. Dhe në këtë mur përmendet vetëm një e treta e të gjithë banorëve të qytetit, që vdiqën në Kryengritjen e Prillit!” – shpjegon Teodora Pejçinova.
Ngjarjet në Batak u pasqyruan gjerësisht në mbarë botën falë gazetarit amerikan Januarius McGahan, diplomatit britanik Eugene Schuyler, shkrimtarëve dhe figurave publike si Victor Hugo e të tjerë.
Gazetat në Londër dhe Paris publikuan detaje të masakrave në Batak dhe politikani i famshëm britanik William Gladstone dënoi autoritetet osmane dhe bëri thirrje për një përgjigje të menjëhershme ndërkombëtare:
“Batak është një qytet me një histori të madhe, të vështirë, sepse është simbol i forcës së shpirtit bullgar në emër të një kauze të madhe – lirisë. Batak është simbol i frymës dhe i shpirtit bullgar, vend i shenjtë për çdo bullgar!” – thotë në përfundim Teodora Pejçinova.
Lexoni edhe:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: BNR Plovdiv, visitbatak.bg, BGNES, BTA, theguardian.com
Kisha jonë Ortodokse kremton sot Mbledhjen e Shën. Kryeengjëllit Mihail, udhëheqës i ushtrisë qiellore dhe hierarkive engjëllore të patrup, që mundi forcat e errësirës. Është një nga festat më të rëndësishme të krishtera fikse të vjeshtës, e quajtur edhe..
Vullnetarë përfshihen në pastrimin dhe rimëkëmbjen e manastirit “Shën Spas” pranë majës Bakaxhik në rajonin e qytetit Jamboll të Bullgarisë Juglindore. Aksioni u organizua më 2 nëntor nga kryebashkiaku i fshatit të afërt Çargan, Stoimen..
Në vitin 1847, në familjen e Hristo Ivanov Bankovit - një njeri i urtë nga një familje e vjetër dhe mjeshtër i të ashtuquajturave “eminii” (pantofla), në një nga mëhallët e qytetit të Gabrovos (Bullgaria Qendore) lindi djali i dytë i Hristos...