“Muzika më gjeti vetë”, thotë Georgi Grozev dhe, duke qeshur, fillon të tregojë një ngjarje nga kopshti i fëmijëve, kur kishte shkuar vetë të regjistrohej për mësime në piano.
Dhe kështu, në fakt, filloi rruga ime në muzikë. Krejt pa ndonjë angazhim, krejt si me shaka.
Georgi Grozev është student – studion muzikë klasike në Konservatorin Mbretëror në Gent, Belgjikë, dhe trumbetë barok në Bruksel. Ai është laureat i shumë konkurseve kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka dhënë koncerte në tre kontinente, duke përfshirë salla prestigjioze si "Carnegie Hall" në Nju Jork, "Bozar" në Bruksel, salla "Mbretëresha Elisabeth" në Antwerp dhe "Tonhalle" në Dyseldorf. Ai thotë se kthimi në shtëpi është gjithmonë më i vështirë sesa të shkosh diku tjetër, ku publiku nuk të njeh. Ndërsa ajo për të cilën ëndërron, është që me muzikën ta bëjë botën pak më të bukur.
"Belgjika ishte vazhdimi i natyrshëm i studimeve të mia në Bullgari. Mora gjithçka që munda nga shkolla e jashtëzakonshme bullgare dhe nga mësuesi im, Penço Pençev. Madje, gjatë një bisede me të në fund të studimeve të mia në Shkollën e Muzikës në Plovdiv, ne të dy arritëm në mënyrë krejt natyrale në përfundimin se ndoshta do të ishte mirë për mua të vazhdoja studimet diku jashtë kufijve të Bullgarisë. Aplikova në disa vende. Për të qenë i sinqertë, po përgatisja edhe një aplikim për SHBA, por disi më dukej shumë larg. Procesi më dukej shumë i gjatë. Dhe vendosa që ndoshta në shpirt jam evropian, prandaj pse jo në qendrën e Evropës – pikërisht në Belgjikë. Atëherë kontaktova me profesorët në shkollat e larta muzikore belge, kryesisht në Bruksel dhe pjesën flamanase. Fillova me konservatorin në Bruksel, më pas me atë në Gent dhe në fund me atë në Antwerp. Në fund, mora vendimin të aplikoj në Gent, sepse sinergjia mes meje dhe profesorit tim të trumbetës ishte padyshim e pranishme, dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme në një marrëdhënie të tillë personale."
Për moshën e tij të re, vetëm 22 vjeç, Georgi Grozev ka korrur një sërë suksesesh. Ai është laureat i shumë konkurseve kombëtare dhe ndërkombëtare. Po si është ndjesia kur ngjitesh në një skenë të madhe?
"Në fund të fundit, në momentin kur je në vendin e duhur dhe duhet të ekzekutosh koncertin e caktuar, duhet të dish se puna tashmë është bërë. Përgatitja kryesore dhe gjithë ai proces – vite të tëra përpjekjesh dhe pune – tashmë kanë kaluar. Dhe në shumicën e rasteve, unë i shijoj këto momente – thotë Georgi. - E vërteta është se, nëse flasim për skena të mëdha botërore, evropiane apo çfarëdo tjetër, si dhe për ato në shtëpi, në Bullgarinë time të dashur – do të thoja se kthimi në shtëpi është gjithmonë më i vështirë sesa të shkosh diku tjetër, ku publiku nuk të njeh. Përgjegjësia për të dhënë një ekzekutim vërtet të shkëlqyer, sepse në audiencë janë njerëzit më të afërt me zemrën tënde, gjithmonë mbart rreziqet e veta."
Për t’u mbajtur financiarisht gjatë studimeve në Belgjikë, Georgi punon në disa vende.
"Kohët janë të tilla që, për fat të keq, studentët nuk janë prioriteti më i madh i politikës botërore, asaj evropiane, apo politikës së cilitdo shtet. Qoftë nëse shohim Bullgarinë, qoftë këtu në Belgjikë. Kështu që nuk janë kohë të lehta, jo vetëm për mua, por për çdo student që studion jashtë vendit – për të përballuar të gjitha shpenzimet që jeta e përditshme i sjell.
Të paktën, duhet të paguash qiranë, konviktin dhe faturat mujore. Unë përpiqem të ndihmoj sa më shumë prindërit e mi duke punuar në bibliotekën muzikore të konservatorit. Jap mësime për trumbetë në akademi të ndryshme në Belgjikë, kryesisht në Gent. Gjithashtu, jap mësime private. Kam disa ansamble vokale që i drejtoj. Në fakt, bëj pak nga të gjitha, ose më saktë, të gjitha nga shumë, për të siguruar studimet dhe jetën time të përditshme në Belgjikë. Sepse nuk është e lehtë – jo vetëm për mua, por për çdo student që ka zgjedhur këtë rrugë dhe studion jashtë kufijve të Bullgarisë."
Për çfarë ëndërron muzikanti i ri dhe a lidhen planet e tij për një karrierë të ardhshme muzikore me atdheun e tij?
"Në çdo rast, ky është atdheu im. Ja, së fundmi pata një koncert me Orkestrën Simfonike – Sliven. Në fund të fundit, unë gjithmonë do të kthehem në shtëpi, të paktën tek prindërit e mi në qytetin tim të lindjes Plovdiv. Një muzikant nuk duhet të kufizohet nga kufijtë e një shteti, por Bullgaria është padyshim në listën e destinacioneve ku do të më pëlqente të performoja."
Ku vlerësohet më shumë talenti – në Bullgari apo në Belgjikë?
"Talenti vlerësohet shumë kudo. Por puna dhe përpjekjet që njeriu duhet të bëjë për ta mbajtur dhe përmirësuar talentin e tij, do të thoja se janë shumë të vlerësuara këtu në Belgjikë – bën një krahasim i riu dhe shpjegon pse: – Sepse këtu njerëzit veprojnë shumë pragmatikisht. Ata thjesht i kryejnë të gjitha detyrat dhe angazhimet e tyre dhe marrin atë që në fund të fundit e kanë fituar me punë. Ndërsa, ndonjëherë në Bullgari duhet të lutesh për të marrë atë që të takon me të drejtë. Unë jam i lumtur që këtu çdo përpjekje paguhet dhe paguhet mjaft mirë, në mënyrë që të mund të mbulosh shpenzimet e tua të përditshme dhe të jesh i sigurt se ajo që bën, vërtet vlerësohet."
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski
Foto: Arkivi personal Georgi Grozev, Golden Classical Music Awards, Orkestra Simfonike – Sliven
Një koncert në Los Anxhelos me një program tërësisht bullgar, kushtuar festës kombëtare 3 mars , do të mbahet më 21 mars. Këtë e bëri të ditur në një intervistë për Radio Bullgarinë kompozitorja e njohur e filmit Penka Kuneva. Për “Gruan..
Piktor ikonash dhe mësues - këto dy fjalë i përmendim gjithmonë kur përpiqemi të ringjallim nga harresa e së shkuarës një piktor që hapat e parë në art i hodhi në vitet e para pas Çlirimit të Bullgarisë nga sundimi osman (1878). I tillë është Miljo..
"Shh... Është koha për një film" - me këtë moto Sofja bëhet kryeqyteti kinematografik i Evropës për dy javët e ardhshme. Edicioni i 29-të i forumit më të madh kinematografik në Ballkan – Sofia Film Festi Ndërkombëtar hapet sonte në sallën nr. 1 të..