Transformimi - kjo është fjala që përcakton më saktë gjendjen aktuale të industrisë vendase. Sipas një analize të të dhënave sektoriale për periudhën nga viti 2008 deri në fillim të vitit 2024, të kryer nga Instituti për Ekonominë e Tregut, Bullgaria po humbet imazhin e saj si një destinacion që tërheq investime të huaja me fuqinë e lirë të punës. Tendencat moderne në prodhim dhe tregti, si dhe pasojat e krizave të jashtme ekonomike, çuan në një riorientim të natyrshëm të industrisë në Bullgari. Sipas të dhënave të Institutit të Ekonomisë së Tregut, sektorët e teknologjisë së ulët si ato të tekstileve, veshjeve dhe mobileve, të cilat kishin peshën më të madhe në punësim, tashmë po humbasin potencialin e tyre dhe numri i punëtorëve të punësuar po zvogëlohet. Nga ana tjetër, rritja e prodhimit, shitjeve dhe punësimi i punonjësve në sektorët e teknologjisë së mesme dhe të lartë është në rritje. Ndër to janë prodhimi i pajisjeve elektrike dhe elementeve për industrinë e automobilave, i ashtuquajturi sektori i mekatronikës. Prodhimi atje u rrit me 60 për qind që nga viti 2008 deri më tani, dhe në përputhje me rrethanat numri i të punësuarve po rritet ndjeshëm – sërish 60 për qind. Një ndryshim ka edhe në prodhimin e pajisjeve kompjuterike dhe elektronike - rritja e prodhimit këtu është 150 për qind, por tani për tani numri i të punësuarve mbetet i vogël, vetëm rreth 10-11 mijë veta.
“Pritet që sektorët me rritjen më të madhe këtë vit të jenë sërish industria e armëve, si dhe kompjuterët dhe pajisjet e komunikimit”, thotë Petër Ganev, ekonomist nga Instituti i Ekonomisë së Tregut.
“Industria e lehtë dhe industria në përgjithësi, e cila krijon afro 500 mijë vende pune, po kalon në transformimin e saj. Po ristrukturohen prodhime si tekstile, veshje, mobilie. Ndërmarrje të tilla po humbasin vendet e punës dhe ky trend do të vazhdojë. Dhe ata prodhojnë më pak se sa prodhonin dikur. Ndërsa ndërmarrjet e mesme dhe të teknologjisë së lartë si sektori i automobilave dhe mekatronikës, pavarësisht disa problemeve për shkak të rritjes së ulët ekonomike në Evropë, në fund të fundit, trendi afatgjatë është tashmë pozitiv. Ata madje arrijnë të krijojnë vende pune, arrijnë të rrisin produktivitetin dhe të kontribuojnë në rritjen ekonomike të vendit. Ky transformim do të vazhdojë. Tashmë po themi se nuk jemi destinacioni për investime për shkak të fuqisë së lirë të punës. Ne shohim disa fabrika që kanë mbyllur prodhimin e tyre në Bullgarinë Veriperëndimore. Kjo do të thotë që në momentin kur nuk e ke këtë avantazh konkurrues të një destinacioni të lirë, duhet të luftosh për gjëra të tjera. Në zonat me papunësi të lartë, kjo reflektohet, njerëzit duhet të riorientohen dhe të gjejnë vende të tjera të punës.”
Në përgjithësi, megjithatë, trendi është pozitiv - thotë Petër Ganev. Sipas tij, ne duhet të mësohemi me këtë model - ku kostot e punës në vendin tonë po rriten ndjeshëm, madje më shumë se kostot e punës në Evropë. Tani ato janë 10-15 për qind me bazë vjetore, dhe në disa industri arrijnë edhe 25 për qind në vit. Lajmi nuk do të jetë më rritja e punësimit dhe e shërbimeve. Lajmi do të jetë tashmë transformimi i këtyre 500 mijë vendeve të punës që do të kalojnë në sektorët e teknologjisë së mesme dhe të lartë - thekson Petër Ganev dhe saktëson se edhe brenda sektorëve të teknologjisë më të ulët, kompanitë e tekstilit dhe veshjeve do të kërkojnë të investojnë më shumë kapital dhe të modernizojnë prodhimin. Kështu, ato do të bëhen më efektive dhe do të jenë konkurruese në tregun e huaj.
“Ka rritje pagash në të gjithë sektorët, sepse paga minimale po rritet dhe duhet të kemi parasysh lidhjen me buxhetin, pasi po rrisim kontributet e sigurimeve shoqërore. Këto janë kosto shtesë të punës. Nëse në vitin 2027 kostot e sigurimeve rriten me 3%, kjo është një kosto shtesë e punës dhe çon në humbje të mëtejshme të konkurrencës për biznesin në këtë linjë. Pra, tema e kapitalit njerëzor, njohurive, infrastrukturës industriale do të bëhet veçanërisht e rëndësishme. Sepse këto janë elementë të tjerë përtej kostos së punës.”
Sipas analizës së Institutit për Ekonominë e Tregut, tërheqja e investitorëve për shkak të pagave të ulëta të fuqisë punëtore në vendin tonë gradualisht do të zhduket. Motivi kryesor për biznesin do të jetë aksesi në tregun e madh dhe investimet në kapitalin njerëzor. “Kjo është shumë e rëndësishme kur flasim për produktivitetin dhe rritjen e pagave dhe kostove të punës. Si pasojë e të gjitha këtyre ndryshimeve, vjen edhe një përmirësim në infrastrukturën dhe infrastrukturën industriale", tha ekonomisti Petër Ganev në një intervistë për Radio Bullgarinë.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: BGNES, BTA, se.com, industryinfo.bg, kvorum-silistra.info
Bullgaria renditet e treta në mesin e vendeve të BE-së për sa i përket rritjes së pagës minimale në periudhën 2015-2025. Sipas Eurostat, gjatë kësaj periudhe paga minimale në vend është rritur nga 184 euro në 2015, deri në 551 euro, 10 vite më..
Më pak se një muaj më parë në Bruksel, ministrja e financave Temenuzhka Petkova prezantoi përparimin e Bullgarisë në përgatitjen për anëtarësim në Eurozonë. Aty ajo deklaroi se me politikën e saj të arsyeshme fiskale vendi ynë e ka merituar prej..
Bullgaria ka kushte të favorshme klimatike për prodhimin e energjisë elektrike nga dielli, madje edhe në stinët kalimtare të pranverës dhe vjeshtës. Ndër qytetet me kushte më të mira për përdorimin e sistemeve fotovoltaike është Dupnica. Qyteti bullgar..