Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ivan Stojanov: Nisa të fitoj për jetën, por fitova Jetën!

Ivan Stojanov me familjen e tij
Foto: Aleksandra Karamihaleva

Ivan Stojanov është bullgar besarabian nga Moldavia. Ekipi ynë u takua me të në kishën bullgare "Shën Sofronij Vraçanski", ku përgatitëm episodin e radhës të podkastit “Ura e besimit”, i kushtuar komunitetit bullgar ortodoks në Lion, Francë.

Familja e Ivanit dhe bashkëshortja e tij e dashur, me dy djemtë e tyre dhe vajzën e vogël, menjëherë na tërhoqën vëmendjen me unitetin e tyre, me ngrohtësinë e veçantë dhe kujdesin ndërmjet tyre. Qasja e tyre e përzemërt ndaj bullgarëve të tjerë të komunitetit dhe, mbi të gjitha, sjellja e devotshme dhe plot respekt gjatë shërbesës, binin në sy.

Bashkatdhetari ynë është nga Moldavia, ndërsa në Francë jeton prej 15 vitesh, ku familja e tij është vendosur në Bordo. Ka përfunduar Liceun Teorik “Ivan Vazov” në Taraklija (në jug të Moldavisë), dhe më pas ka arritur të fitojë një nga dy vendet e përcaktuara për komunitetin bullgar atje për studime të larta teologjike në Bullgari – një vend për Universitetin e Veliko Tërnovos dhe tjetri për Universitetin e Shumenit. Kështu Ivani niset për në Bullgari dhe përfundon studimet për Teologji në Universitetin e Shumenit.

Universiteti i Shumenit 'Peshkopi Konstandini i Presllavit'

Ndërsa rrëfen historinë e tij, i mbushen sytë me lot, kur përmend të atin, i cili kurrë nuk e ka parë Bullgarinë, por ishte rritur me dashurinë për të. Kujton amanetin e tij, kur e përcolli për në Shumen: “Ivane, kur të mbërrish atje, puth tokën!”. E ka puthur. Dhe kur është nisur për në Francë, ka marrë me vete një pjesë nga ajo tokë e shenjtë, për të dhe për të afërmit e tij. Që rrënjët të mos vyshken.

Në Francë është nisur për arsye të zakonshme – për të gjetur mjetet e jetesës për veten dhe familjen. U nis "për të fituar për jetën, por fitoi Jetën", dhe shpreh vetë misterin e bashkimit të tij me Zotin, që u forcua gjatë ditëve të provave, në vend të huaj. "Sepse vetëm kur jemi larg, i vlerësojmë traditat tona, gjuhën, dashurinë e atit", thekson Ivani dhe shton:

"Për këtë jam në Kishë. Traditat ruhen në jetën kishtare. Kisha është në gjakun tonë. Nëse themi “bullgar”, menjëherë kuptojmë “i krishterë ortodoks”.

Ivan Stojanov dhe një nga djemtë e tij gjatë shugurimit të tyre si ipodiakonë

Kështu Ivan Stojanov edukon edhe fëmijët e tij – në frymën bullgare, e cila për të është e barasvlershme me frymën e Ortodoksisë.

"Fëmijët e mi më shohin dhe ata dinë për Bullgarinë vetëm të mira, dinë që atje ka njerëz të mirë. U tregoj vetëm për të bukurat – si janë malet, si janë vallet, si të luten, u tregoj për trimërinë e tyre dhe ata krenohen me këtë. E shohin tek unë një baba dhe mbrojtës. E unë e kuptoj se pa Zotin nuk jam aspak mbrojtës. Tek Ai mbështetem."

Edhe fëmijët e tij i mëson të mbështeten te Zoti. Prej Tij të marrin edhe forcën, edhe arsyen, edhe shpresën, edhe përkrahjen – të gjithë jetën ta përshkojnë me lutje. Çfarëdo që të bëjnë, ta nisin me lutje dhe pa Zotin të mos hedhin as një hap.

"Po rriten të tre – Ivani, Dimitri dhe Sofija. Çdo mëngjes zgjohemi, përqafohemi, i themi njëri-tjetrit 'Ati ynë' dhe shkojmë në punë, në shkollë. Kthehemi dhe para se të shkojmë në shtrat, qëndrojmë përpara ikonave dhe përqafohemi, lutemi dhe flemë."

Ivan Stojanov me dy nga fëmijët e tij

Kur kthehet pas dhe sheh gjithçka që ka përjetuar, Ivan Stojanov kupton se Zoti e ka udhëhequr gjatë gjithë rrugëtimit të tij, se nuk ka asgjë rastësore në jetën e tij. Ai gjithashtu kupton se Zoti kurrë nuk e ka lënë vetëm, por e ka përkëdhelur, përkrahur dhe ngushëlluar në kohë sprovash. E sheh dhe e njeh me zemrën e tij Zotin kudo rreth vetes dhe kjo prani hyjnore i jep paqe dhe gëzim shpirtit të tij.

"Kur zgjohesha në mëngjes dhe isha i lumtur që ndieja diellin, isha i lumtur që ndieja shiun… Dhe ajo ngrohtësi… Këtu në fillim isha vetëm dhe, siç e dinë të gjithë, në fillim është e vështirë, por vetëm me dashurinë e Zotit, me Shpirtin e Zotit, e kuptoja që nuk isha vetëm. Kjo më jepte kurajo, energji, dashuri… Në gjithçka shihja vetëm të mirën. Kuptova se kur fryn një erë e lehtë, asnjë grua nuk do të të përkëdhelë ashtu. Kur sheh pikat e shiut, kur sheh barin si shkëlqen si diamant – kudo, kudo mund ta shohim Atë, nëse e hapim shpirtin tonë ndaj Tij. Prandaj jam i lumtur që Zoti më dha këto sprova. E di që Zoti jep aq sa mund të durosh, aq sa mund të mbash. Nuk do të japë më shumë."

Pikërisht në këto sprova, të cilat i përballojnë së bashku, me besim te Zoti dhe duke u mbështetur tek Ai, familja e tij bëhet më e bashkuar, sepse kanë Zotin në qendër të jetës së tyre. "Krishti ishte në qendër të gjithçkaje", thekson Ivani.

Kështu lind edhe ideja, të cilën e ndan me bashkëshorten e tij, për të organizuar krijimin e një famullie në Bordo, dhe tashmë po punojnë për realizimin e saj:

"Me mëshirën e Zotit, me ndihmën e Zotit kjo do të ndodhë. Shpresoj, sepse ka njerëz, ka bullgarë, dashamirës të Zotit dhe besimtarë, të cilët pyesin dhe shoh që edhe ata kanë nevojë, edhe unë kam nevojë. Për tani vetëm mblidhemi, por me ndihmën e Zotit do të gjejmë një ambient, do të mund ta rregullojmë, që të mblidhemi, të jetojë fryma dhe tradita bullgare. Të shohim fëmijët të lumtur, të kenë kripë brenda tyre."

Ivani beson fort se vetëm me traditat ortodokse bullgare, të cilat e kanë ruajtur popullin tonë gjatë shekujve, jeta e fëmijëve të tij dhe e bashkatdhetarëve tanë do ta ruajë "kripësinë" e saj. Pikërisht kjo "kripësi" na mbron nga prishja e kësaj bote, është i bindur Ivani dhe kujton fjalët e Shpëtimtarit drejtuar ndjekësve të Tij: "Ju jeni kripa e tokës. Por, nëse kripa humbet forcën, me çfarë do të bëhet e kripur? Ajo nuk vlen më për asgjë, përveçse të hidhet jashtë dhe të shkelet nga njerëzit." (Mateu 5:13)

"Sepse kush jemi ne, nëse e lëmë besimin? Atëherë kush jemi? – Ta bëjmë këtë pyetje: Kush jemi ne pa Krishtin? Nuk do të kemi kripë. Do të hidhemi jashtë. Do të shkelemi. Prandaj dua që jeta ime të jetë e dobishme për njerëzit rreth meje, ashtu siç na tregoi Krishti me shembullin e Tij."

Foto: Aleksandra Karamihaleva, Darina Grigorova, shu.bg

Përgatiti dhe publikoi në shqip: Sindi Nikollofski


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Doc. Arsenija Ivanova

Përulësia është një udhëtim drejt vetvetes, pa kufij për shpirtin, talentin dhe synimin njerëzor

" Ndoshta besimi, lutja ose feja, të cilat i kuptojmë në mënyra të ndryshme, sjellin një ndjenjë përulësie. Por ajo  është gjithashtu një udhëtim drejt vetes, drejt vetëpërmirësimit dhe vetëzbulimit” – thotë Doc. Arsenija..

botuar më 25-04-19 5.55.PD
Monument i Imzot Francesco Galloni në Lodetto di Rovato

Peshkopi Francesco Galloni ia kushton jetën e tij të varfërve dhe jetimëve në Bullgari

Një prift ushtarak i thjeshtë realizon kontaktin e tij të parë me Bullgarinë në vitin 1921, duke ardhur me detyrën për të kërkuar ushtarë italianë të zhdukur pa gjurmë gjatë Luftës së Parë Botërore. Megjithatë, ai nuk mbetet indiferent ndaj..

botuar më 25-04-14 7.00.PD

Historia e Deanna Haag dhe libraria e saj e ngrohtë në Varna

Deanna Haag ka lindur në Klivland, në Ohajo të SHBA-së. Është rritur me ëndrra për aventura dhe horizonte të reja. Ka përfunduar specializimin në “Arte të Bukura” në kolegjin Wittenberg në Ohajo, por jeta e saj merr një drejtim të papritur. Në..

botuar më 25-04-11 7.00.PD