Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Prej 20 vitesh shkolla "Danubi" ruan të gjallë kujtimin për Bullgarinë në zemrat e nxënësve të saj

Foto: Shkolla Bullgare Danubi

Ndërkohë që para 20 vitesh në shkollën bullgare "Danubi" në Linz, Salzburg dhe Vels kishte vetëm 6 fëmijë, sot në tre filialet e saj shtatë mësues mësojnë 140 fëmijë. Ashtu si dhe qendra të tjera arsimore bullgare nëpër botë, edhe "Danubi" që nga krijimi i saj mbështetet në përkrahje të jashtëzakonshme nga njëra prej kishave në qytet: 



"Shkolla jonë prej 15 vitesh ndodhet në kishën 'Shën Françesku'. Aty kemi klasa mësimore, ku çdo klasë, përfshirë edhe grupin parashkollor, ka dhomën e vet. Kemi edhe një sallë, ku fëmijët mund të luajnë lojëra të ndryshme, dhe një tjetër, ku zhvillojmë festimet tona, shfaqje teatrale, presim mysafirët tanë zyrtarë – tregon njëra prej mësueseve në shkollë, Snezhana Shpelingvimer, dhe shton: – Në përgjithësi, ne ndjehemi si në shtëpinë tonë në këtë ndërtesë, sado që ajo nuk është e jona dhe paguajmë qira për të." 



Shkolla ka edhe një bibliotekë të pasur, në të cilën mund të gjeni mbi 1000 libra bullgarë. 
Përvjetorin e saj 20-vjeçar qendra e shënon me një festë dyditore më 10 dhe 11 maj, me pjesëmarrjen e shumë mysafirëve dhe përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, ndër të cilët MAS (Ministria e Arsimit dhe Shkencës), Agjencia për Bullgarët Jashtë Vendit dhe Ambasada e Bullgarisë në Vjenë. 



"Festa do të fillojë në kishë, ku do të vijnë nxënësit dhe mësuesit tanë nga Salzburg dhe Vels. Në program është parashikuar jo vetëm një shfaqje nxënësish, por edhe një ekspozitë e përbashkët me Gjimnazin Profesional për Teknikë Precize dhe Optikë 'M.V. Lomonosov', në të cilin do të ekspozohen piktura dhe tekste nën moton 'Gjuha e urrejtjes'. Pas kësaj është pjesa solemne, në të cilën do të priten mysafirët dhe do të luhet shfaqja, drekë dhe shëtitje nëpër qytetin Linz. Në mbrëmje kemi rezervuar vende në një restorant lokal, ku do të ulemi, për të biseduar për të kaluarën dhe të ardhmen e arsimit bullgar jashtë kufijve." 
Kjo ekspozitë është pjesë e projektit "Histori të patreguara. Kapërcimi i gjuhës së urrejtjes", hartuar nga drejtoresha e shkollës "Danubi", Darina Tonkova. Në kuadër të tij është parashikuar botimi i librit "Gjuha e urrejtjes" dhe një tryezë e rrumbullakët, në të cilën do të diskutohet kjo temë. 



Programi festiv vazhdon edhe ditën tjetër, kur të gjithë nxënësit dhe mësuesit, së bashku me mysafirët nga gjimnazi "Lomonosov", do të marrin pjesë në një ceremoni në kompleksin përkujtimor "Mauthausen", kushtuar viktimave të regjimit nazist. 
Në kompleksin përkujtimor, i cili ndodhet jo larg nga qyteti Linz, monumente ose pllaka përkujtimore kanë të gjitha shtetet, qytetarët e të cilave kanë gjetur vdekjen në ish-kampin nazist të përqendrimit. Ndër to janë edhe 20 bullgarë. Në kujtim të tyre, skulptori Ljubomir Dallçev skaliti një monument, i vendosur atje në vitin 1975. Sipas traditës, çdo vit në të dielën e dytë të muajit maj nderohen viktimat që kanë vdekur në kampin, i cili ka ekzistuar nga viti 1938 deri më 1945. 



Snezhana pranon se e ka të vështirë të veçojë momente të caktuara të rëndësishme për të nga historia 20-vjeçare e shkollës, por është e bindur për këtë: 
"Më e bukura është që ajo vazhdon të ekzistojë dhe të zgjerohet, që do të thotë se ne po bëjmë mirë punën tonë. Momentet e bukura janë kur shohim shkëlqimin në sytë e fëmijëve, dëshirën me të cilën vijnë në shkollë dhe flasin në gjuhën amtare, kur dalin dhe fillojnë të recitojnë poezinë e Ivan Vazovit 'Unë jam bullgar' ose ndonjë të Dora Gabes." 



Një pjesë e rëndësishme e ekipit të shkollës është edhe gjyshja Petja, e cila çdo javë përgatit mëngjese të preferuara për fëmijët, ndër të cilat janë petullat, pallaçinkat dhe fetat e skuqura. Shija dhe aroma e tyre, qoftë edhe për një moment, i kthen në atdhe dhe kështu ata as edhe për një çast nuk e humbin lidhjen me të. 



Fotografi: Shkolla Bullgare "Danubi" – Linz

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Parlamenti Evropian miratoi raportet për Serbinë dhe Kosovën me theks në të drejtat e bullgarëve

Parlamenti Evropian miratoi me shumicë të madhe raportet mbi Serbinë dhe Kosovën, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë të drejtave të komuniteteve bullgare, njoftoi korrespondentja e BNR-së në Bruksel Angelina Piskova. Ato përfshijnë propozimet e..

botuar më 25-05-08 10.36.PD
Manastiri i Zografit në Malin Athos

Një delegacion bullgar është në Malin Athos për festën patronale të Manastirit të Zografit

Igumeni i sapozgjedhur i Manastirit bullgar të Zografit në Malin Athos, Gavriil, u ngrit nga hieromonaku në arkimandrit në festën e Shën Gjergjit. Kjo u njoftua nga Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Bullgare, Peshkopi..

botuar më 25-05-06 1.34.MD

Një paradë ushtarake u zhvillua në Sofje me rastin e Ditës së Trimërisë dhe Ushtrisë Bullgare – 6 maj

Në Ditën e Shën Gjergjit në Monumentin e Ushtarit të Panjohur në kryeqytet u mbajt bekimi i flamujve të betejës dhe i flamujve të relikteve ushtarake. Presidenti dhe Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura Rumen Radev mori pjesë në ritualin..

botuar më 25-05-06 12.14.MD