Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Shpresë apo frikë – çfarë është euroja për bullgarët?

Foto: Pixabay

Që nga 1 janari i vitit të ardhshëm, mundësia që Bullgaria të bëhet shteti i 21-të në Bashkimin Evropian që pranon monedhën e përbashkët evropiane duket gjithnjë e më reale. Të tilla sinjale vijnë si nga qeveria vendase, e cila ka deklaruar disa herë se kjo është ndër synimet kryesore të kabinetit, ashtu edhe nga institucionet evropiane. Siç duket, ekziston një konsensus për këtë edhe nga shumica në parlament, përfshirë edhe nga një pjesë e opozitës. Megjithatë, më 9 maj Presidenti Rumen Radev njoftoi se po i paraqet Kuvendit Popullor një propozim për të mbajtur një referendum kombëtar për futjen e euros në vend.
Para pak kohe, ministrja e financave Temenuzhka Petkova shprehu përsëri besimin e saj: vendi ynë i përmbush të gjitha kriteret për anëtarësim – për deficitin maksimal të lejuar buxhetor, për inflacionin, ndërsa stabiliteti i çmimeve është në nivele të qëndrueshme.

Ndryshe nga entuziazmi i politikanëve, shumica e bullgarëve – sipas sondazheve – janë skeptikë ndaj pranimit të euros. Të dhënat nga agjencitë e ndryshme sociologjike ndryshojnë, por janë të njëzëshme në atë se më shumë se gjysma e bashkëqytetarëve tanë nuk dëshirojnë ndërrimin e monedhës.

Cilat janë qëndrimet e njerëzve mbi këtë çështje?

Kundër euros është Toni Vasilev, i punësuar në një kompani të madhe ndërkombëtare dhe që jeton në qendër të kryeqytetit – një zonë që tradicionalisht konsiderohet më “pro-europiane”.
Toni Vasilev
“Nëse e shohim euron si monedhë në vetvete, nuk kam asgjë kundër. Shqetësimet e mia lidhen kryesisht me faktin se shteti nuk ka një mekanizëm për të përballuar spekulimet pas pranimit të euros. Dhe gjëja tjetër që më shqetëson është emetimi i borxhit të ri evropian. Nëse bëhemi pjesë e euros, do të jemi pa zë në marrjen e një vendimi të tillë. E nëse mbetemi me levën – ne jemi në bord valutor, jemi të lidhur me euron sido që të jetë, dhe me të vërtetë nuk shoh ndonjë kuptim në pranimin e monedhës së përbashkët evropiane,” argumenton euro-skepticizmin e tij bashkëbiseduesi ynë.

Takojmë edhe Thomas Price, një irlandez që punon në Sofje. Irlanda është një vend që e ka pranuar euron më shumë se 25 vite më parë, por përfaqësuesi i saj këshillon bullgarët: më mirë qëndroni me levën.

“Gjithçka pas vitit 1999 u bë më e shtrenjtë. Kjo me siguri do të ndodhë në gjithë Evropën dhe mendoj se do të ndodhë edhe në Bullgari.”

Nga ana tjetër, bullgarët më të rinj janë më pozitivë ndaj pranimit të monedhës së përbashkët evropiane.
Martin
“Leva sido që të jetë është e lidhur me euron. Do të preferoja të udhëtoja në Evropën Perëndimore dhe të mos kem nevojë të shkëmbej levat në euro, si dhe që çdo gjë të mund ta bëj me kartë. Prandaj, unë jam absolutisht pro euros,” shpreh optimizmin e tij ndaj euros, Martini.

Nga ana tjetër, ekonomistët dhe politikanët vazhdojnë me debatet “pro” ose “kundër” – sipas njërës palë, ekziston rreziku për rritje të çmimeve dhe të shpenzimeve shtetërore.
Georgi Vullxhev
“Si rreziqe më të menjëhershme do të theksoja goditjen inflacionare plotësisht të mundshme dhe përshpejtimin e inflacionit. Rrezik më i madh se inflacioni është situata fiskale në vendin tonë. Ne manipuluam të dhënat për të përmbushur kriteret për deficitin dhe këtë Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane e dinë shumë mirë,” paralajmëron ekonomisti Georgi Vullxhev.

“Pavarësisht sinjaleve të qarta politike, deri në momentin e fundit nuk mund të thuhet me 100% siguri se pranimi i euros nga viti i ardhshëm është plotësisht i sigurt,” thekson Ljubomir Dacov, anëtar i Këshillit Fiskal dhe ish-zëvendësministër i financave. Arsyeja është situata politike dinamike si në vend, ashtu edhe në BE.

A ka rrezik për rritje të çmimeve?

“Ekziston rreziku për ndonjë spekulim. Tek ne madje nuk do të ndodhë as kjo gjë. Kjo është një tezë shumë qesharake – Bullgaria gjithmonë ka pasur dhe ka inflacion më të lartë se eurozona,” thekson financieri.

Lexoni më tepër mbi temën nga arkivi i Radio Bullgarisë:

Foto: BGNES, arkiva personale, BNR, Pixabay
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Biznesi i turizmit në Bullgari është i gatshëm të punojë me monedhën e përbashkët evropiane

Turizmi është një nga sektorët në vendin tonë që është më i gatshëm për të vazhduar punën pa probleme pas hyrjes së Bullgarisë në eurozonë - është e bindur drejtoresha ekzekutive e Bordit Kombëtar të Turizmit, Dr. Polina Karastojanova. Në turizëm,..

botuar më 25-03-31 7.05.PD

Bullgaria ka koston më të ulët të punës ndër vendet e BE-së

Kostoja e punës në Bashkimin Evropian në vitin 2024 ishte mesatarisht 33,5 euro në orë, dhe vetëm në vendet e eurozonës - mesatarisht 37,3 euro në orë. Kështu tregojnë të dhënat e fundit të Agjencisë Evropiane të Statistikave “Eurostat”. Kostot e..

botuar më 25-03-28 6.16.MD

Toka bujqësore në Bullgari vazhdon të bëhet më e lirë

Për të paktën dy vite të tjera, toka bujqësore në Bullgari do të vazhdojë të bëhet më e lirë. Të dhënat vijnë nga shoqata e pronarëve të tokave bujqësore në vendin tonë dhe tregojnë se tregu i tokës bujqësore në vendin tonë është shumë i..

botuar më 25-03-28 9.14.PD