Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ndërmjet artit dhe realitetit – të rinjtë dhe idetë e tyre për jetën pas shkollës

Foto: BGNES

Në sezonin e maturave dhe në fundin e vitit shkollor në qershor, hedhim një vështrim ndaj emocioneve të të rinjve, të cilëve u pret përpara të hapin një faqe të re në jetë pas përfundimit të arsimit të mesëm. Është karakteristikë për çdo adoleshent të ketë shumë ëndrra dhe plane për realizimin e vet pas përpjekjeve të bëra dhe njohurive të grumbulluara në shkollë. Biseda mbi tema si talenti, interesat dhe realizimi i ardhshëm profesional i shqetëson edhe prindërit, edhe nxënësit dhe kjo shumë përpara se të vijë koha për provimet e maturës në fund të klasës së 12-të. Sipas të dhënave të përmbledhura të një prej agjencive që shërbejnë si ndërmjetës mes universiteteve dhe nxënësve të shkollave të mesme, nxënësit bullgarë më së shpeshti orientohen drejt specialiteteve ekonomi dhe menaxhim, ose programim dhe dizajn kompjuterik. Pas tyre, ndër drejtimet profesionale të dëshiruara radhiten psikologjia, shkencat inxhinierike, mediat dhe komunikimet, pedagogjia, mjekësia etj. Sipas fjalëve të menaxherëve në arsim, të rinjtë po bëhen gjithnjë e më të orientuar dhe që nga klasa e 9-të, 10-të shumë nxënës nisen për pushime gjuhësore jashtë vendit. Kështu ata testojnë sistemin arsimor të huaj, grumbullojnë përvojë dhe njohuri dhe jo në vend të fundit – orientohen në botën e gjerë të programeve arsimore që ofrohen. Kur që herët dinë çfarë duan, fëmijët janë më të motivuar dhe më lehtë mund të zgjedhin shkollën e lartë të duhur në të cilën të vazhdojnë pas gjimnazit.



Nuk është për t’u habitur që të rinjtë, të cilët janë rritur me aplikacionet kompjuterike dhe përdorin lirshëm teknologjitë e reja, janë të tunduar të vazhdojnë arsimimin pikërisht në fusha të tilla. Tashmë është një tendencë që universitetet të ofrojnë kombinim të shkencave kompjuterike të aplikuara në përputhje me depërtimin e gjerë të inteligjencës artificiale në çdo mësimdhënie të specializuar, theksojnë analistët e trendeve në arsim. Dhe megjithëse jetojmë në një botë në të cilën përdorimi i teknologjive të reja hap një fushë më të gjerë për realizim, të rinjtë bullgarë nuk humbin interesin dhe dëshirën për t’u marrë me art dhe për t’u shfaqur në skenë. Pikërisht këtë e tregon takimi ynë me nxënësit, të cilët çdo të shtunë bëjnë prova në studion teatrale “IUVENES”. Shumica prej tyre janë nxënës të gjimnazeve me profil ekonomik-bankar dhe ekonomik. Thonë se duan që aktivitetet teatrale të vazhdojnë të dominojnë në jetën e tyre dhe për këtë ka një shpjegim konkret: “Këtu ne punojmë me emocionet tona, në studio mblidhen fëmijë që kanë mendim të ngjashëm, perceptime të ngjashme dhe këtu ata krijojnë mjedisin e tyre. Ne jemi si një familje, një komunitet” – thotë Veneta Atanasova, e cila është aktore profesioniste dhe drejton studion teatrore për nxënës “IUVENES” që nga viti 2007.

Veneta Atanasova

“E para gjë me të cilën pres të gjithë anëtarët e rinj të trupës është se këtu nuk është shkollë, nuk vendosen nota, këtu secili vjen për të gjetur diçka që do t’i mbushë shpirtin. Por nota më e rëndësishme, sipas meje, është ajo që e vendos publiku dhe vetë fëmijët. Në grupin tonë ka vazhdimësi, ka të rinj që kanë përfunduar prej kohësh, por nuk duan të largohen. Vetë fakti që edhe ata që kanë mbaruar shkollën vazhdojnë të duan të vijnë dhe nuk heqin dorë nga trupa, është tregues për nevojën e këtij teatri në jetën e të rinjve tanë. I fus në shfaqje të reja, ku figurat lejojnë të ketë edhe personazhe më të rritur në moshë. Kështu ata u transmetojnë përvojën e tyre anëtarëve të rinj. Unë kujdesem shumë që në trupë të ketë marrëdhënie miqësore, nuk lejoj konflikte. Gjithmonë flas me ta si me njerëz të rritur, të mëdhenj.”



Aksenija Pançeva është me sukses të shkëlqyer në Gjimnazin Kombëtar Financiar-Ekonomik në Sofje. Me të njëjtin sukses dhe përkushtim ajo ndjek edhe studion teatrore. Sipas fjalëve të vajzës, njeriu nuk duhet vetëm të mësojë apo të punojë, por duhet të merret të paktën me një lloj arti, për të pasur një perspektivë më ndryshe për jetën:

“Më ndezi për teatrin gjyshja ime, në përgjithësi në familjen time i kushtohet shumë vëmendje artit. Nuk është e nevojshme të përshtatesh me ndonjë normë shoqërore dhe të jesh pjesë e turmës. Duhet të kesh vetë shije dhe stil të ndërtuar. Unë përpiqem të jem ndryshe nga bashkëmoshatarët e mi dhe aktivitetet me teatër më ndihmojnë për këtë. Kur luajmë role të ndryshme, kjo më ndihmon të komunikoj në mënyra të ndryshme me njerëz të ndryshëm. Përmes teatrit, ne jetojmë një jetë më emocionuese dhe më të vërtetë.”



Aktualisht trupa e drejtuar nga Veneta Atanasova po përgatitet të vendosë në skenë një shfaqje sipas motiveve nga “Iliada” e Homerit. Nxënësve u duhet të hyjnë në rolet e perëndive greke dhe atletëve mitologjikë. Shtatëmbëdhjetëvjeçari Denis nga Gjimnazi i Gjuhëve Nr. 31 në Sofje hyn në rolet e dy prej personazheve kryesorë:

“Në përgjithësi më pëlqen të merrem me teatër, në këtë mjedis mund të tregosh veten. Përveç kësaj më pëlqen shumë të hyj në role dhe të imagjinoj se jam si Akili, apo si Agamemnoni. Për mua kjo është një mënyrë për të gjetur vendin tim në jetë. Do të doja edhe pas shkollës të vazhdoj me teatrin, por për shkak të vështirësive për të aplikuar dhe konkurrencës që vjen më pas, mendoj se nuk do ta zgjedh këtë profesion. Megjithatë teatri na jep edhe shumë kulturë të përgjithshme.”



Martin gjithashtu është 17 vjeç. Ai është nxënës i një prej shkollave bullgare të së dielës në Spanjë, por familja e tij vendosi të kthehet në Bullgari gjatë pandemisë në vitin 2022. “Më pëlqejnë të gjithë njerëzit në studion teatrore, për shkak të tyre jam këtu” – ndan me ne Martin dhe vazhdon:

“Më sjell kënaqësi të vij, dhe këtu jam vetvetja, mund të paraqitem ashtu siç jam, të shpreh emocionet. Prandaj dua të merrem edhe në të ardhmen me teatër. Dua të bëhem aktor i mirë, madje kjo është ëndrra ime e fëmijërisë dhe kur u ktheva në Bullgari, për një kohë të gjatë nuk gjeja ku mund të vazhdoja të merresha me teatër. Më pëlqen shumë të kërcej valle popullore. Në to na mësonin në shkollën bullgare në Spanjë, por kur u ktheva këtu, për fat të keq shoh që në shkollën bullgare nuk mësohen vallet popullore – kjo më mungon.”


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski


Foto: BGNES, Studio Teatrore "IUVENES"



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Tulla, baltë dhe nostalgji – fshati Mandricë dhe shtëpitë e tij të jashtëzakonshme

Në jug nga Ivajllovgrad hasim një nga vendet më të çuditshme në Bullgari – mirë se vini në Mandricë! I themeluar në shekullin e 17-të nga të shpërngulurit shqiptarë, ky fshat i vogël në Rodope ka ruajtur jo vetëm gjuhën, por edhe ndërtesat e larta..

botuar më 25-06-07 8.10.PD
Prezantimi i anketës sociologjike në Këshillin e Mediave Elektronike

Dëgjuesit presin nga Radioja Kombëtare Bullgare më shumë lajme, muzikë dhe informacion të dobishëm

Lajmet dhe koncertet e transmetuara nga Radioja Kombëtare Bullgare (BNR) janë më të dëgjuarat nga auditori. Këtë e tregon një sondazh përfaqësues i "Alfa Research" i porositur nga Këshilli i Mediave Elektronike që eksploron misionin publik të BNR-së..

botuar më 25-06-06 5.03.MD

Rajna Manxhukova bëri thirrje për lehtësimin e pranimit të studentëve nga diaspora

Një takim i zgjeruar i Këshillit të Rektorëve të Institucioneve të Arsimit të Lartë u mbajt më 5 qershor në Burgas, bënë të ditur sot nga këshilli në një njoftim për shtyp. Ndër të pranishmit në takim ishte edhe drejtoresha ekzekutive e Agjencisë..

botuar më 25-06-06 12.04.MD