Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Tronditje të reja në boshtin Sofje-Shkup: a do të ketë sukses Bullgaria në mbrojtjen e interesave të saj në Parlamentin Evropian?

Foto: Pixabay

Një tjetër kulm në drejtimin negativ të marrëdhënieve në boshtin Sofje-Shkup. Arsyeja - votimi i ardhshëm, më 4 qershor në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, mbi deklaratën e avancimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në lidhje me integrimin e saj në familjen e bashkuar evropiane. Dokumenti përmban disa tekste, për ta thënë butë, kontradiktore në lidhje me qëndrimin tonë zyrtar shtetëror, të cilat njohin "identitetin, kulturën dhe gjuhën shekullore maqedonase" - pra një formulim që hidhet poshtë kategorikisht nga Bullgaria. Raporti po përgatitet për muaj të tërë, por tema u bë publike në mesin e majit, kur në një deklaratë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, tregoi edhe një herë, se nuk mbështetet në konsensus mbi këmbënguljen e Bullgarisë, që bullgarët etnikë të përfshihen si popull shtetformues në kushtetutën e vendit të tij - duke deklaruar se ai "do të preferonte të përfshinte spanjollët dhe portugezët" sesa bullgarët.

Hristijan Mickoski

Pasoi reagimi i pritur i Parlamentit bullgar - me unanimitet nga të gjitha partitë më 30 maj, Legjislatura e 51-të të Kuvendit Popullor miratoi një deklaratë se nuk do të hiqet dorë nga marrëveshjet zyrtare në nivel pan-evropian të arritura gjatë presidencës franceze në vitin 2022. Kushti kryesor i pranuar nga Shkupi është përfshirja e bullgarëve në kushtetutën e vendit si një "popull shtetformues", si garanci për respektimin e të drejtave të tyre.

Siç pritej, qëllimet e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut për të nxitur njohjen e "identitetit dhe kulturës shekullore maqedonase" përmes raportit të avancimit në Parlamentin Evropian, të mbështetura nga një dozë e madhe lobimi në nivele të larta, hasën rezistencën e përfaqësuesve bullgarë në Bruksel.

Sipas përfaqësuesit të GERB-Partia Popullore Evropiane , Andrej Kovaçev, i cili është aktivisht i përfshirë në këtë temë, pritet që PE të riafirmojë vendimin e arritur panevropian - domethënë, maqedonasit duhet së pari të përfshijnë bullgarët në kushtetutën e tyre në mënyrë që të ndërmarrin hapa drejt anëtarësimit në BE.

Andrej Kovaçev

"Si anëtarët bullgarë të Parlamentit Evropian, ashtu edhe anëtarët e qeverisë deklaruan qartë, se ne mbetemi në qëndrimet tona dhe nuk mund të ketë ndryshim në kushtet për fillimin e negociatave", ishte kategorik Kovaçev dhe e vuri theksin mbi termin identitet dhe gjuhë "bashkëkohore".

"Ndoshta duhet të bëjmë një sqarim të qartë në lidhje me identitetin dhe gjuhën moderne maqedonase. Ky është një realitet - kur njerëzit e gjallë thonë se ndihen maqedonas etnikë, ne duhet ta pranojmë këtë realitet, pavarësisht se sa e qartë është për ne se këta janë pasardhës të bullgarëve maqedonas. Por ne nuk mund dhe nuk do të pranojmë asnjë referencë historike ose asnjë identitet maqedonas në plan historik. Një pjesë e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut ndihen maqedonas, një pjesë tjetër ndihen bullgarë etnikë. Dhe kjo pjesë është nën presion", shtoi Kovaçev.

Pikërisht termi “identitet bashkëkohor”, në të cilin këmbëngul pala bullgare, provokoi sulmin më të fundit të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski, të dielën. “Jam i shqetësuar nga përpjekja e një eurodeputeti nga partia në pushtet në Bullgari GERB për të përfshirë një amendament në raport që do ta përcaktonte identitetin maqedonas si “të pranishëm”, gjë që nxjerr në sipërfaqe politikën e Zhivkovizmit, e cila për fat të keq është ende gjallë ndër politikanët në Sofje”, tha Mickoski gjatë një vizite në Institutin Maqedonas të Shëndetit Publik më 1 qershor, cituar nga BGNES.

Dhe këtu duhet të theksojmë, se nuk ka asnjë mënyrë që kryeministri i Maqedonisë së Veriut të jetë në dijeni të propozimeve të paraqitura, të cilat janë të njohura vetëm për shtatë "raportuesit në hije" të raportit. Të paktën jo zyrtarisht.

Faktet shqetësuese në lidhje me raportin e avancimit të Maqedonisë së Veriut  u lajmëruan për herë të parë në mesin e muajit të kaluar nga eurodeputeti Ivajllo Vëllçev nga “Ka një popull të tillë” dhe grupi i Konservatorëve dhe Reformistëve Evropian, i cili është një nga "raportuesit në hije" mbi progresin e fqinjëve tanë jugperëndimorë. Atëherë ai shprehu skepticizmin e tij mbi këtë temë në një letër zyrtare drejtuar Presidentes së PE-së, Roberta Mezzola.

Ivajllo Vëllçev

"Këtu lindin pyetje të tjera - sa herë raportuesi për këtë temë, Thomas Weitz nga Partia e Gjelbër Evropiane kërkoi qëndrimin bullgar. Do t'ju them - asnjë herë.Ai pati një takim të vetëm me përfaqësues të shtetit bullgar me iniciativën e palës bullgare. Nga  gati 40 takime me palën maqedonase, zoti Weitz pati një takim me palën bullgare" - shpjegoi Vëllçev për Radio Bullgarinë dhe shprehu kënaqësi për qëndrimin kategorik të Kuvendit Popullor në mbështetje të interesit bullgar, duke shtuar se ishte “disi vonë”.

"Aktualisht, puna ime si përfaqësues i Bullgarisë dhe përfaqësues i Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë është të sigurohem që formulimet e përfshira në raport korrespondojnë me të vërtetën historike dhe realitetin politik."

Sipas ish-eurodeputetit të VMRO-së, Angell Xhambazki, njohja e mundshme e një "identiteti shekullor maqedonas" është fshirja dhe vjedhja e historisë bullgare”:

Angell Xhambazki

"Ky është rezultat i lobimit politik shumë të organizuar mirë nga Shkupi në Parlamentin Evropian, rezultat i mosveprimit vërtet të turpshëm të institucioneve bullgare, parlamentit, Ministrisë së Jashtme, si dhe përfaqësuesve bullgarë në PE, me pak përjashtime, për shembull z. Vëllçev",  u shpreh ashpër Xhambazki për këtë temë, sipas të cilit përfshirja e një "identiteti të tillë të rremë maqedonas" në një deklaratë të PE-së është një problem i madh për Bullgarinë."

Angell Xhambazki është i medimit, se mungon “diplomacia e qetë” që do të parandalonte miratimin e teksteve antibullgare. Dhe ai pa një lidhje midis raportit për Maqedoninë e Veriut dhe raportit të konvergjencës të pritur në të njëjtën datë - 4 qershor, mbi pranimin e Bullgarisë në eurozonë:

"Jam i bindur se përfaqësuesit bullgarë, ata që përfaqësojnë autoritetet, nuk guxojnë të flasin hapur për këtë temë, që dikush në KE t’u thotë atyre - "nëse bëni shumë zhurmë, nuk do t'ju pranojmë në eurozonë".

Bullgaria nuk mund të sfidojë vullnetin e askujt për të krijuar legjendat dhe mitet e veta, por duhet të mbrojë të vërtetën historike, tha për Radio Bullgarinë profesori Ivan Illçev, ish-rektor i Universitetit të Sofjes dhe anëtar i Komisionit Historik Bullgaro-Maqedonas, që nga themelimi i tij. Në të njëjtën kohë, duhet të kemi parasysh se problemet tona janë "mikroskopike" për evropianët, të cilët janë kryesisht të interesuar për paqen në Ballkan dhe nuk janë të vetëdijshëm për natyrën e problemit, shtoi ai.

Bllokimi i marrëdhënieve në nivel ndërshtetëror transmetohet edhe në nivelin e ekspertëve – komisioni i përbashkët multidisiplinor i ekspertëve për çështjet historike dhe arsimore të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut de jure vazhdon të punojë, por de facto nuk jep asnjë rezultat – theksoi Prof. Ivan Illçev:

Prof. Ivan Illçev

"Përparimi është minimal në të gjitha këto vite. Jemi të zhytur në debate të padobishme dhe budallaqe. Le të themi se kishim ndërmarrë disa hapa inkurajues që në fillim... Por praktikisht asgjë nuk ka ndryshuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe nuk pres që diçka të ndryshojë së shpejti. Na akuzuan për 6 vjet se po zbatonim urdhra politikë. Në vendin tonë, rreth 6 qeveri ndërruan në këto vite, dhe asnjë anëtar i komisionit nuk u zëvendësua. Dhe me ta, qeveria ndryshoi një herë dhe të gjithë anëtarët u zëvendësuan menjëherë. Gjë që tregon se ku komisioni po zbaton urdhra politikë dhe ku jo."

Nëse Bullgaria do të jetë në gjendje t’i rezistojë interesit të saj shtetëror dhe të pengojë lobimin e Shkupit, do të dihet shumë shpejt - më 4 qershor. Përveç kësaj, nga burimet e saj në PE, Radio Bullgaria mësoi se eurodeputetët bullgarë do të ndërmarrin veprime shtesë mbi këtë temë, të cilat ende nuk janë njoftuar.


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: BTA, BGNES, Parlamenti Evropian, Pixabay




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Ngjarjet me adresë ballkanike

Ambasadori i BE-së në Shkup bëri gërmimin e parë për një pikë të re kufitare Filloi puna për ndërtimin e pikës kufitare Markova Noga – Lemos midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, e financuar nga BE-ja. Projekti u prezantua në..

botuar më 25-06-06 4.00.MD

Ngjarjet me adresë ballkanike

Skandal me subvencionet bujqësore të BE-së trazon ujërat në Greqi Qeveria greke vendosi të mbyllë Organizatën për Pagesa dhe Kontroll të Subvencioneve Komunitare (OPEKEPE), e cila ishte përgjegjëse për dhënien e subvencioneve bujqësore në vend,..

botuar më 25-05-31 7.00.PD

Parlamenti i bëri thirrje përsëri Maqedonisë së Veriut të përmbushë angazhimet e saj për të drejtat e bullgarëve

Kuvendit Popullor miratoi një vendim unanim mbi përparimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në BE. Deputetët treguan se presin që, në zbatim të Konsensusit Evropian të vitit 2022, Republika e Maqedonisë së Veriut të..

botuar më 25-05-30 5.31.MD