Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Violinistja Aljona Çehova: Simfonieta-Vraca është një fenomen në jetën muzikore të Bullgarisë

Muzikantët në orkestër janë nga 14 vende dhe janë jashtëzakonisht mirënjohës ndaj dirigjentit të tyre, Prof. Asoc. Hristo Pavllov

Foto: arkiva personale

Orkestra Filarmonike e qytetit Vraca – Simfonieta – është shndërruar në një strehë për violinisten Aljona Çehova. E lindur në qytetin rus Tjumen (Siberia Perëndimore), e rritur në Krimenë ukrainase dhe pasi ka jetuar më shumë se 10 vjet në Moskë, ku punonte në Orkestrën e Radios dhe ku njohu bashkëshortin e saj, sot Aljona thotë se nuk ka qenë ajo që e zgjodhi Bullgarinë, por Bullgaria e zgjodhi atë.

"Kam dashur gjithmonë të largohem nga Rusia, sepse situata politike atje nuk është e mirë. Prandaj vendosa të marr pjesë në konkurse të orkestrave të ndryshme në botë, kryesisht kërkoja në Azi, sepse mendoja se askush në Evropë nuk do të më legalizonte dokumentet me të cilat të mund të punoja në një orkestër. Rastësisht pashë një njoftim nga Simfonieta-Vraca dhe vendosa t’u dërgoja një regjistrim timin. Më ftuan dhe tani jam këtu" – tregon violinistja në një intervistë për Radio Bullgarinë.

Bashkëshorti i saj, megjithatë, ishte skeptik se do të kishte ndihmën e nevojshme për dokumentet, derisa takuan dirigjentin e orkestrës, Prof. Asoc. Hristo Pavllov, i cili, sipas fjalëve të Aljonës, “nëse ka dëshirë – mund të bëjë gjithçka”.
Hristo Pavllov
E pritur ngrohtësisht në orkestër, violinistja është jashtëzakonisht mirënjohëse dhe pranon se kanë gjithçka të nevojshme për të bërë mirë punën e tyre:

“Ka atmosferë, gjithashtu edhe salla të reja të mira, ku mund të bëjmë prova. Ekip i shkëlqyer me muzikantë, administratë dhe punonjës skene që na ndihmojnë shumë me gjithçka. Të gjitha këto ia kemi borxh një njeriu – Hristo Pavllovit, i cili gjithmonë përpiqet të ftojë muzikantë të ndryshëm dhe shumë interesantë, me të cilët të punojmë. Gjëja më e rëndësishme për ne, si muzikantë, është që kemi njerëz nga shkolla të ndryshme nga të cilët mund të mësojmë dhe njerëz me të cilët mund të ndajmë atë që dimë.”

Aljona është e bindur se Simfonieta-Vraca është një fenomen dhe dukuri në jetën muzikore të vendit, duke përmendur si shembull përbërjen shumëkombëshe të orkestrës, që është me të vërtetë e jashtëzakonshme.

“Flasim gjuhë të ndryshme, disa zotërojnë dy, tre, madje edhe pesë gjuhë. Kemi njerëz nga Italia, Spanja, SHBA-ja, Moldavia, Letonia, Rusia, Ukraina, Norvegjia, Japonia dhe Koreja e Jugut. (Në orkestër ka muzikantë edhe nga Shqipëria, Azerbajxhani, Polonia, Kolumbia). Të gjitha këto vende janë të bukura, por kanë probleme– rrëfen Aljona dhe jep një shembull: – Në Rusi, jo vetëm politika, por edhe qëndrimi ndaj muzikantëve nuk është i mirë. Këtu, në Bullgari, ndihem shumë më mirë sesa në shtëpi.”


Talenti dhe përkushtimi i saj ndaj muzikës i kanë realizuar një ëndërr Aljonës – të ketë një koncert të shkruar posaçërisht për të. Ja si i lindi ideja muzikantit dhe kompozitorit Vencisllav Micov:
Vencisllav Micov
“Kjo ndodhi në maj të vitit 2024, kur Simfonieta-Vraca ishte në turne me trion italiane ‘Soprano’. Pas një prove zanore, unë vazhdova me provat dhe Venci ishte në sallë. Me të flasim shumë për muzikën dhe kompozitorë të ndryshëm, dhe disa ditë më parë kishim diskutuar për Philip Glass dhe dy koncertet e tij për violinë. Ndërsa më dëgjonte teksa po ushtrohesha, më ndaloi dhe tha: ‘Do të shkruaj një koncert për ty’. Nuk mund ta besoja, por nga ana tjetër, e njoh Vencin dhe e di që ai kurrë nuk thotë fjalë boshe. Pse vendosi të shkruajë një koncert për mua – nuk e di, dhe edhe sikur të mos e luaj unë, por dikush tjetër, për mua është tashmë një lumturi që unë kam qenë frymëzimi që ai të krijojë një vepër të tillë. Koncerti është rezultat i një jete të tërë – ka gjithçka brenda tij: dhimbje, frikë, tragjedi, por gjëja më e bukur për mua është që gjithçka përfundon në majeur,” – thotë Aljona Çehova dhe pret me padurim premierën e “Koncertit për violinë” në maj të vitit 2026 në Sallën “Bullgaria” në Sofje.

Deri atëherë, ajo shpreson që të arrihet paqe mes Ukrainës dhe Rusisë: “Nuk jam politikane dhe nuk e di nëse është e mundur, por e dua shumë një paqe të drejtë për Ukrainën.”


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: Facebook/Alena Chekhova, vso.bg, Facebook/Venci Micoff


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

"Asgjë më shumë", ose diçka më shumë nga DARA

DARA prezanton këngën e saj më të fundit "Asgjë më shumë". Ajo është në një stil balade që nuk është veçanërisht tipik për të, por mbart një mesazh dhe ndikim shumë të fortë. Kënga u krijua gjatë Kampit të Shkrimit të Këngëve në Sofje nga vetë DARA në..

botuar më 25-06-03 6.35.PD

"Për gjërat e bukura" – një tjetër mesazh pozitiv nga Ljubo Kirov

Ljubo Kirov vazhdon të këndojë për gjëra të bukura – ky është madje titulli i këngës së tij të fundit. Pas mesazheve pozitive qëndrojnë autori i tekstit Ljubo Kirov dhe kompozitori i muzikës Bojan Hristov. Në aranzhim, kitaristi Angell Djullgerov la..

botuar më 25-06-02 6.55.PD

"Dragana dhe bilbili"

Kompozitori, dirigjenti dhe folkloristi i shquar Filip Kutev krijon një sintezë emblematike midis muzikës popullore bullgare dhe asaj klasike. Fillimi është vënë në vitin 1951, kur është themeluar Ansambli Shtetëror për këngë dhe valle popullore (sot..

botuar më 25-05-30 6.00.PD