Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Fuqia punëtore nga diasporat bullgare – një ide e mirë, por nuk do t’i zgjidhë problemet

Foto: Pixabay

Një sërë institucionesh – Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Agjencia e Punësimit, Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit, Ministria e Brendshme, si dhe deputetë të Kuvendit Popullor, kanë marrë një angazhim të qartë: të përmirësojnë kushtet për tërheqjen e njerëzve nga diasporat tradicionale bullgare jashtë vendit drejt tregut të punës në Bullgari.

Ashtu siç raportoi e para Radio Bullgaria, në mbledhjen e datës 12 qershor të këtij viti të Komisionit Parlamentar për Politikat e Bullgarëve Jashtë Vendit u prezantua platforma “Zgjidh Bullgarinë”. Ky është një program që do të financohet nga Fondi Social Evropian Plus (ESF+) me 26 milionë leva dhe që ka si qëllim kryesor tërheqjen e specialistëve. Brenda kuadrit të saj do të krijohet edhe një portal unik informativ për hapat administrative që duhet të ndjekin të interesuarit për të ardhur dhe punuar në Bullgari.
Bullgarja nga Besarabia, Ina Çukur, është përfaqësuese e një shoqate që merret pikërisht me tërheqjen e specialistëve të tillë në Bullgari dhe prezantoi problemet kryesore me të cilat përballen:
Ina Çukur
“Ligji është i tillë që fillimisht duhet të regjistrohen atje, dhe më pas Agjencia e Migracionit duhet t’u japë leje qëndrimi në Bullgari. Por aktualisht, në momentin që ne dorëzojmë dokumentet pranë Agjencisë së Punësimit brenda 7 ditëve, ende nuk ka një qëndrim nga Drejtoria e Migracionit, dhe për këtë arsye na refuzojnë. Pas marrjes së këtij refuzimi, ne jo vetëm që duhet t’i largojmë këta njerëz, por përballemi edhe me procese gjyqësore që zgjatin një vit, një vit e gjysmë, gjë që sigurisht pengon biznesin dhe mundësinë për të punësuar bullgarë nga jashtë. Dhe kjo shpesh na bën të heqim dorë nga punësimi i bullgarëve nga jashtë dhe të drejtohemi drejt punësimit të personave të tjerë,” sqaroi zonja Çukur për Radio Bullgarinë.

Përveç nga Ukraina dhe Moldavia, interes të veçantë për Bullgarinë ka edhe nga bullgarët nga Serbia – tregojnë vëzhgimet e Ina Çukur.

“Ka shumë njerëz, veçanërisht nga fshatrat dhe qytetet afër kufirit bullgar, që punojnë në ndërmarrje prodhuese etj. Kohët e fundit ka një fluks të konsiderueshëm nga Serbia,” tha ajo.

Iniciativa si “Zgjidh Bullgarinë” janë pozitive, dhe tërheqja e njerëzve nga diasporat tona historike është një nismë e mrekullueshme, por fatkeqësisht do të jetë vetëm “një pikë në oqean” kur vjen puna tek zgjidhja e problemeve të thella në tregun e punës – shprehu realizmin e tij të ashpër Vasil Velev, kryetar i një prej organizatave më të mëdha të punëdhënësve në vend – Shoqatës së Kapitalit Industrial në Bullgari (AIKB).
Vasill Velev
Pesimizmi i tij i arsyeshëm mbështetet edhe nga të dhënat zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale – që nga viti 2018 janë regjistruar vetëm 1 228 persona me prejardhje të dëshmuar bullgare që kanë gjetur punë. Dhe për shkak të rënies demografike, çdo vit numri i pensionistëve tejkalon me rreth 50,000 numrin e të punësuarve të rinj në Bullgari, që është një pasojë direkte edhe e normës së ulët të lindshmërisë:

“Në vitet e fundit lindin më pak se 60,000 njerëz, ndërsa pensionohen pak më shumë se 100,000. Nëse duam që në vitet në vijim ekonomia bullgare të mos shembet, duhet të tërheqim fuqinë punëtore – tha me bindje Velev. – Diaspora bullgare padyshim që është në vend të parë, sepse atje nuk ka barriera gjuhësore, nuk ka probleme me socializimin apo jetesën. Por ajo, së pari, është e vogël, dhe së dyti, nuk ka arsimimin dhe kualifikimet e nevojshme në ato përmasa dhe në ato nivele që tregu i punës ka mungesë. Kjo do të thotë që nuk mund të jetë një zgjidhje për problemin. Ajo ndihmon, por në kufizime shumë të ngushta. Për Ukrainën aktualisht nuk ka asnjë kufizim për të filluar punën menjëherë, por në praktikë ata janë shumë pak,” theksoi Vasill Velev.

Në tre vitet e fundit ka një tendencë të qartë rritjeje të punëtorëve nga vendet e treta – nga rreth 10,000 në vitin 2022 në 32,500 në vitin 2024, ku këtu flasim kryesisht për punë sezonale në sektorin e shërbimeve, veçanërisht në turizëm, por jo vetëm. Në krye janë njerëzit nga Uzbekistani, Nepali, Turqia, India, Kirgistani dhe të tjera. Një pengesë e madhe për biznesin përballë kësaj tendence pozitive për të janë procedurat e ngadalta administrative, theksoi me vendosmëri Velev.

“Kjo është një procedurë e gjatë, e ngadaltë, e shtrenjtë. Ne kemi afate prej rreth 4-6-9 muajsh nga momenti që nis procedura deri në momentin kur punëtori i huaj ose specialisti fillon punën. Çdo hajdut mund të kalojë ilegalisht kufirin dhe brenda një dite të jetë në qendër të Sofjes duke pirë kafenë në ‘Vitoshka’, por një punëtor i rregullt, specialist i zgjedhur, me kontratë të nënshkruar, nuk mund të fillojë ligjërisht punën për 9 muaj.
Grozdan Karaxhov
Për zgjidhjen e problemeve të përmendura është krijuar një grup pune, i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Grozdan Karaxhov, në të cilin marrin pjesë institucione të ndryshme dhe organizata punëdhënësish. Ambicia është e qartë – që shumë shpejt të propozohen dhe miratohen nga parlamenti ndryshime ligjore që lehtësojnë punësimin e punëtorëve nga vendet e treta, të cilat të hyjnë në fuqi madje edhe para përfundimit të sezonit veror.

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: Pixabay, events.starazagora.bg, BGNES, Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Punëve Publike



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Eurostat: Inflacioni në Bullgari ngadalësohet deri në 2.8%

Shkalla e rritjes së çmimeve në BE u ngadalësua në 2.4% në prill 2025 në bazë vjetore krahasuar me 2.5% në mars, tregojnë llogaritjet e Eurostat. Për Bullgarinë, të dhënat e raportuara sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumatorit tregojnë..

botuar më 25-05-19 4.24.MD

Motoja "ZOT MBROJE BULLGARINË" po rikthehet në monedhën bullgare prej 2 eurosh

Kur Bullgaria i bashkohet eurozonës dhe ka monedha me karakteristika kombëtare bullgare, në monedhën prej 2 eurosh do të vendoset imazhi i Shën Paisit. Në buzë të monedhës do të shkruhet me shkronja kapitale: "ZOT MBROJE BULLGARINË". Kjo moto u përdor..

botuar më 25-05-19 11.09.PD

Shpenzimet u rritën me 13% dhe të ardhurat me 15% për tremujorin

Të ardhurat mesatare tremujore totale për person në një familje në Bullgari në tremujorin e parë të vitit 2025 ishin 3271 leva (1672 euro) dhe u rritën me 15.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Këtë e tregojnë të dhënat e monitorimit..

botuar më 25-05-16 2.18.MD