Parku "Mini Bullgaria" është një vend i pazakontë për vizita turistike. Këtu, sikur në pëllëmbë të dorës, takohen monumentet më të rëndësishme të historisë, arkitekturës, kulturës shpirtërore dhe bukurive natyrore të Bullgarisë. Njeriu vjen për të hedhur një vështrim nga lart mbi trojet tona dhe për të rizbuluar pasurinë e tyre të madhe.
Jo rastësisht, parku shtrihet në një sipërfaqe prej 10 dynymësh pikërisht në qytetin historik Veliko Tërnovo, dhe në këmbët e fortesës Carevec dhe kullës së famshme të Ballduinit – që ka ruajtur dikur pjesën më të prekshme të kështjellës. Shumë turistë e shohin parkun për herë të parë kur ngjiten në kullë, dhe më pas u lind dëshira të zbresin për të parë miniaturat nga afër.
"Mini Bullgaria" mbledh modele të monumenteve bullgare, të realizuara në shkallë 1:25, që është standardi botëror për ndërtimin e figurave të tilla.
Parku hapi dyert në vitin 2017 dhe u krijua si projekt nga një ekip i tërë projektuesish dhe piktorësh, të cilët realizuan modele të detajuara të ndërtesave. Aktualisht, në "Mini Bullgaria" ka 63 objekte, mes të cilëve janë përfaqësuar si ndërtesat simbolike të Sofjes, ashtu edhe Teatri Antik dhe godina e bukur e stacionit hekurudhor në Plovdiv, kisha-monument "Lindja e Krishtit" në Shipka, kalaja "Baba Vida" në Vidin e të tjera.
Të gjitha maketet mahnitin me përpunimin preciz dhe me vëmendjen e thellë ndaj kryeveprave të arkitekturës bullgare. Prandaj, me entuziazëm dhe shumë admirime, turistët i afrohen çdo objekti në "Mini Bullgaria" – shpjegon Dimitër Spasov, i cili punon si ciceron turistik në park që nga viti 2017. Ai thotë se ky është një nga të paktët muze privatë në Bullgari, i krijuar me investime të mëdha nga bullgarë patriotë.
„Interesi më i madh për ne vjen nga rumunët. Ata e pëlqejnë qytetin Tërnovo në përgjithësi, prandaj tregojnë interes të madh për parkun, i cili tashmë është si një emblemë për qytetin dhe për Bullgarinë në tërësi. Vetëm këtu, nga qyteti bregdetar Varna deri në Sofje arrin për 15 minuta. Këtu mund të ndiqet edhe zhvillimi logjik i ngjarjeve që kanë ndodhur në Bullgari, ka edhe gabimet nga historia jonë, dhe fatkeqësitë që na kanë ndodhur si shtet” – rrëfen Dimitër Spasov.
Turi i objekteve dhe monumenteve fillon jo rastësisht nga kishat në qytetin antik bregdetar të Detit të Zi, Nesebër – „Shën Sofja“ dhe „Krishti Pantokrator“,
„Në fakt, ambienti ku u gjetën bullgarët kur u organizuan si shtet ishte ai i krishterë – bizantin ose romak i vonë – dhe ky ka qenë drejtimi në të cilin kemi evoluar. Prandaj, nga Khani Asparuh deri te Mbreti Boris, ne gradualisht u krishterizuam dhe përvetësuam nga kultura dhe mënyra e diplomacisë, gjë që na ka përcaktuar si shtet. Për më tepër, kemi pasur sundimtarë vizionarë që kanë ditur drejtimin ku të udhëheqin shtetin. Kështu, kjo bërthamë që ka qenë baza e zhvillimit tonë paraqitet në parkun tonë përmes qytetit Nesebër, i cili është më i vjetër madje se vetë shteti ynë.”
Një nga modelet që Dimitër Spasov veçon në "Mini Bullgaria" është ndërtesa e njohur si Ndërtesa e të Ardhurave në qytetin Ruse, e cila kombinon mirë shpirtin bullgar dhe arkitekturën evropiane.
„Do të thosha se kjo ndërtesë, me arkitekturën e saj austro-hungareze, mban një shpirt thellësisht bullgar. Shpesh, me vizitorët ndalemi gjatë në biseda për rrugën që kishte marrë atdheu ynë dikur, përse devijoi dhe çfarë ndodhi më pas. Ajo ndërtesë është një poezi në gur dhe dritë – një vepër arkitekturore plot hijeshi dhe madhështi. Por në Ruse, bukuria e saj fshihet pas pemëve, çadrave dhe kafeneve që e rrethojnë. Këtu, në parkun tonë, ajo qëndron e hapur për syrin dhe shpirtin – e zbuluar në gjithë detajet e saj, që t’i japë çdo vizitori një shikim të qartë mbi hijeshinë që shpesh mbetet e fshehur.”
Në parkun e miniaturave janë shfaqur edhe mrekullitë e qytetit mikpritës – Veliko Tërnovo. Qartë dallon kodra madhështore e Carvecit, me katedralen patriarkale që ngrihet lart mbi majë, si një kurorë e historisë. „Këtu ndodhej edhe pallati mbretëror i sundimtarëve si Kalojani dhe Ivan-Aseni II – burra të mëdhenj, të cilët tekstualisht, kur flisnin, mbarë Evropa ndalonte frymën për të dëgjuar vendimet e tyre“, – rrëfen Dimitër Spasov dhe vazhdon me emocion:
„Manastiret shkëmbore të Ruses janë gjithashtu një vend magjik – dhe janë përfaqësuar edhe ato në parkun tonë të miniaturave. Vetë relievi atje të fton në meditimin e heshtur dhe në bashkimin me Zotin. Nuk ka njeri që të ketë vizituar qytetin Ruse e të mos i ketë këto manastire ndër vendet më të dashura në Bullgari. Aty njeriu ndien sikur shpirti dhe natyra janë bashkuar në një të vetme. Ja ku është edhe monumenti i majës Shipka – aty ku janë zhvilluar betejat më të mëdha gjatë Luftës Çlirimtare Ruso-Turke. Kjo është një nga kartëvizitat historike të Bullgarisë. Një vend që ka përmbledhur në vetvete të gjitha pasionet bullgare – sakrificën, nderin ushtarak dhe shpirtin kombëtar. Vetë ndërtimi i këtij monumenti në zemër të malit nuk ka qenë aspak më i lehtë sesa mbrojtja heroike që është bërë aty. Çdo gur është rrokullisur, bartur mbi shpinë – një vepër vërtet madhështore e popullit bullgar. Madje edhe vetë ndërtuesit e „Shipkës“, ata meritojnë një monument.“
Një tjetër objekt te i cili drejtohemi janë Shkëmbinjtë e Bellogradçikut. Ato janë paraqitur në shkallë 1:500, për shkak të përmasave të tyre madhështore. „Një nga modelet më të bukura është ai i Manastirit të Rilës“ – shton ciceroni ynë në parkun e miniaturave. Përreth modelit janë vendosur edhe shkallëza të vogla, në mënyrë që vizitori të mund të hedhë një sy edhe përtej mureve – aty ku është fshehur bukuria e Shenjtërores së Rilës,“ – shpjegon Dimitër Spasov.
"Manastiri nga jashtë duket si një kala – dhe me të drejtë, sepse është ndërtuar në një kohë të trazuarave, kur duhej të ishte i mbrojtur. Prandaj, struktura më e vjetër në brendësi është një kullë luftarake, e quajtur Kulla e Hreljos. Por bukuria e vërtetë e manastirit ndodhet brenda. Aty gjendet një hapësirë shpirtërore e mbyllur, e shkëputur nga bota përmes mureve të trasha prej guri. Kur e shikon nga sipër, zbulohet bukuria e vërtetë e Shenjtërores së Rilës."
Ideja është që parku të zgjerohet vazhdimisht. Ka interes gjithnjë e më të madh për të vendosur edhe modele të atyre godinave që sot nuk ekzistojnë më, por që ende ngjallin nostalgji në zemrat e njerëzve. Në park është përfshirë edhe një tjetër simbol i Bullgarisë – Lugina e Trëndafilave, që na kujton figurën e famshme të personazhit të Aleko Konstantinovit, i cili mori udhët për në Evropë për të shitur vajin e tij të trëndafilit.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Gergana Mançeva, mini-bulgaria.com, Facebook /Mini Bullgaria (Hristijan Canev)
Më 20 prill, të gjithë të krishterët kremtojnë Ringjalljen e Krishtit. Në sfondin e botës sonë të përçarë dhe të dhunshme, katolikët, së bashku me ortodoksët, armenët dhe protestantët, do të dërgojnë një mesazh shprese, duke ndarë gëzimin e përbashkët..
Këtë vit, ortodoksët dhe katolikët kremtojnë së bashku Ringjalljen e Krishtit. Në të njëjtën datë, e gjithë bota e krishterë do ta kthejë vështrimin nga varri i zbrazët dhe do të përpiqet, me të gjitha mundësitë e saj, të bashkëpërjetojë habinë e grave..
Sulmi në kishën katedrale "Sveta Nedelja" më 16 prill 1925 është akti më i përgjakshëm terrorist në historinë e Bullgarisë. Për nga brutaliteti dhe qëllimi i tij – në të Enjten e Madhe, nuk i afrohet asnjë akti tjetër. Gjatë Javës së Shenjtë,..