Vetëm një javë mbetet deri te vendimi përfundimtar për pranimin e Bullgarisë në eurozonë – më 8 korrik Parlamenti Evropian pritet të votojë nëse vendi do të bëhet anëtari i 21-të i zonës së euros dhe do të pranojë monedhën e përbashkët evropiane nga 1 janari 2026. Ky është hapi i fundit dhe përfundimtar pas raportit pozitiv të Bankës Qendrore Evropiane lidhur me përparimin e Bullgarisë dhe përmbushjen e të ashtuquajturave kritere të Maastrihtit për konvergjencën – inflacion, borxh publik dhe deficit si përqindje e PBB-së, norma afatgjata të interesit dhe stabiliteti i kursit të këmbimit ndaj euros.
Edhe pse perspektiva është tashmë e qartë, asgjë nuk është e sigurt derisa të bëhet edhe hapi i fundit. “Kushdo që është marrë qoftë edhe pak me këtë temë e di – nuk ka asgjë të paracaktuar. Deri në momentin e fundit, kur dikush të bën vlerësimin, mund të ndodhin shumë gjëra”, tha për Radio Bullgaria anëtari i Këshillit Fiskal dhe ish-zëvendësministër i financave, Ljubomir Dacov.
„Deri tani nuk ka asnjë arsye për të menduar se diçka është ndryshuar dhe se pas vlerësimit pozitiv profesional në dy raportet e konvergjencës nga Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane, procesi politik mund të ndalet. Me fjalë të tjera, nuk ka arsye që kjo të ndodhë. Bullgaria e meriton – ajo e përshkoi rrugën për të qenë pjesë e eurozonës. Dhe kur dikush pyet: “A jemi të gatshëm?” – këtë e përcaktojnë KE dhe BQE, dhe ato thanë se ne i përmbushëm kriteret formale për anëtarësim në eurozonë“ thotë Ljubomir Dacov.
Sa i përket rrezikut nga spekulimi me çmimet, Dacov vlerëson se ai është më tepër rezultat i pritshmërive të “shtyra artificialisht” në opinionin publik, të cilat, megjithëse psikologjike në natyrë, përfundojnë duke ndikuar realisht në rritjen e çmimeve.
"Gjithmonë kam thënë se politika që zbatohet duhet të jetë shumë më e theksuar. Prej shumë vitesh në Bullgari ndjekim atë që unë e quaj “politikë në kufi” – domethënë politika përmbush standardet, por me shumë pak. Dhe kjo nuk është diçka e re, ndodh prej vitesh. Por ne i përmbushim këto standarde në mënyrë të mjaftueshme dhe të qëndrueshme, dhe askush nuk duhet të dyshojë se Bullgaria i plotëson kriteret. Megjithatë, unë mendoj se duhet të vrapojmë më shpejt – pra, ritmi i reformave duhet të rritet. Për shembull, me buxhetin, sepse politika fiskale është çështje e respektimit të një tipi të caktuar rregullash,“ thotë eksperti financiar Ljubomir Dacov.
Sipas tij, është plotësisht normale dhe e kuptueshme që vendimi për anëtarësimin në eurozonë është më shumë politik sesa ekonomik. Me të njëjtin mendim është edhe Stojan Pançev, bashkëkryetar i Klubit Ekspert për Ekonomi dhe Politikë.
"Në këtë fazë, mendoj se është absolutisht e qartë që Bullgaria nuk i përmbush kriteret – as ato për inflacionin, as ato që lidhen me deficitin. Dhe fakti që institucione si BQE dhe KE zgjodhën të mbyllin sytë ndaj kësaj, e konfirmon këtë", thotë Stojan Pançev, kundërshtar i hyrjes së Bullgarisë në eurozonë.
Megjithatë, edhe sipas tij, pavarësisht kundërshtimeve, hyrja e vendit në eurozonë tashmë është pothuajse plotësisht e sigurt.
„Ka ende pikëpyetje, por me të vërtetë gjasat për një përgjigje pozitive ndaj raportit janë të mëdha. Çështja është nëse do të ketë ndonjë vendim politik që mund të shtyjë hyrjen tonë, por kjo është pak e mundshme“, shton bashkëkryetari i Klubit Ekspert për Ekonomi dhe Politikë, Stojan Pançev.
Vendimi politik është, në një masë të madhe, tashmë i parashikuar. Është gjithashtu fakt se gjysmë viti para hyrjes zyrtare të euros si mjet pagese në Bullgari, shumë qytetarë tashmë ndiejnë shqetësime për një rritje të mundshme të çmimeve dhe paaftësi financiare për të përballuar shpenzimet bazë.
Për momentin, të dy ekonomistët, megjithëse njëri është "pro" dhe tjetri "kundër" euros, kanë një konsensus për një çështje: pavarësisht deklaratave të bujshme të autoriteteve se do të luftojnë çdo lloj spekulimi, është shumë e dyshimtë që shteti do të mund ta menaxhojë me sukses këtë proces.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Reuters, BTA, weforum.org, BGNES
Këtë vit është hera e fundit që qytetarët bullgarë do të marrin të ardhurat e tyre në leva. Në çfarë monedhe do t’i deklarojnë të ardhurat para autoriteteve tatimore vitin e ardhshëm? Kjo është një nga gjithsej 221 pyetjet për euron, të mbledhura..
Në vitin 2025, turizmi bullgar ruan rritje të qëndrueshme, pavarësisht sfidave globale. Sipas analistëve, në muajt në vijim pritet një numër rekord vizitorësh të huaj si rezultat i tregjeve tona të qëndrueshme ndërkombëtare dhe rikuperimit të..
Bullgaria është vendi me çmimet më të ulëta të karburanteve kryesore – benzinës dhe naftës – në Bashkimin Evropian, sipas statistikave. Megjithatë, me pritshmërinë për miratimin e monedhës së përbashkët evropiane nga 1 janari i vitit të ardhshëm,..
Në vitin 2025, turizmi bullgar ruan rritje të qëndrueshme, pavarësisht sfidave globale. Sipas analistëve, në muajt në vijim pritet një numër rekord..
Këtë vit është hera e fundit që qytetarët bullgarë do të marrin të ardhurat e tyre në leva. Në çfarë monedhe do t’i deklarojnë të ardhurat para..