Në fund të javës së kaluar u bëmë dëshmitarë të votës së tretë radhazi të pasuksesshme të mosbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit Rosen Zheljazkov. Këtë herë ajo u iniciua nga forca e tretë më e madhe politike në parlament – "Vëzrazhdane", dhe tema ishte “dështimi në fushën e politikës fiskale”. Megjithëse pati debate të ashpra në sallën plenare, rezultati nuk ishte premtues për opozitën – vota mblodhi vetëm 54 vota nga gjithsej 240.
Një detaj interesant – ende pa u votuar vota e tretë e mosbesimit, në parlament tashmë u dorëzua një tjetër, e katërta me radhë që nga formimi i kabinetit "Zheljazkov". Ajo u iniciua nga partia "Veliçie" dhe ka si temë "dështimi i shtetit në fushën e mjedisit dhe ujërave".
Edhe pse jemi mësuar t’i pranojmë dramat dhe përplasjet politike në Kuvendin Popullor si një përditshmëri normale, debati dhe votimi për votën e tretë të mosbesimit u zhvilluan në prag të një date kyçe – 8 korrik, kur Parlamenti Evropian pritet të votojë përfundimisht nëse Bullgaria do të adoptojë euron nga 1 janari 2026. A mund të ndikojë një përpjekje e tillë për rrëzimin e qeverisë në vendimin përfundimtar të Evropës dhe çfarë sinjali dërgon ajo atje?
"Më shumë jo", komentoi për Radio Bullgaria politologia Doc.Tatjana Buruxhieva, pedagoge në Universitetin e Sofjes dhe anëtare e ekipit të Agjencisë “Gallup International”.
“Në Evropë, sigurisht që merret parasysh çdo gjë që ndodh në vendin tonë. Megjithatë, përshtypja ime është se situata tani është shumë më ndryshe nga, për shembull, pranimi ynë në Shengen. Ndërsa ai ishte një prioritet kombëtar bullgar dhe për një kohë të gjatë kishte vende që për arsye të ndryshme shtynin anëtarësimin e Bullgarisë në Shengen, tani më tepër është vetë Evropa faktori kryesor, që shpreh dëshirë Bullgaria të bëhet pjesë e eurozonës. Sigurisht, merren parasysh qëndrimet brenda Bullgarisë, por për fat të keq, nuk ka pasur rast në Evropë kur këto qëndrime të popullsisë të kenë ndikuar mbi vendime kaq strategjike”, tha ajo.
Buruxhieva e përmblodhi – në fund të fundit, vota në fjalë ka efekt pikërisht të kundërt me atë që dëshiron opozita, domethënë, arrin ta tregojë qeverinë si edhe më të bashkuar.
“Në rastin e votave të mosbesimit, opozita duhet të ketë një strategji të qartë, jo thjesht të kërkojë sasi dhe intensitet. Për mua problemi është se vota e mosbesimit po shndërrohet në diçka tjetër nga thelbi i saj – ajo duhet të tregojë alternativën. Fatkeqësisht, kjo votë nuk tregoi as politika alternative, as garanci që opozita ka një alternativë qeverisëse pa korrupsion. Këto vota të mosbesimit kthehen kundër vetë opozitës, sepse fakti që nuk mund të prezantohet një alternativë vetëm tregon që qeveria është stabile. Dhe ndoshta ky do të jetë përfundimi që do të nxjerrin vendet në Evropë – se pavarësisht tensioneve, qeveria funksionon në një situatë mjaft stabile.”
A nuk e humb kuptimin e vet një procedurë kaq e rëndësishme në një demokraci parlamentare si vota e mosbesimit, kur ajo përdoret shpesh, me vetëdije të plotë se nuk do të ketë sukses?
“Vota e mosbesimit është një instrument jashtëzakonisht i rëndësishëm, që tregon se demokracia mund të ekzistojë vetëm përmes mundësisë që i jepet tjetrit – qoftë edhe në pakicë, qoftë edhe në opozitë – të shprehë qëndrimet, politikat dhe vizionin e tij për qeverisjen e vendit. Prandaj, unë me vendosmëri i bëj thirrje politikanëve të heqin dorë nga vlerësimet se çfarë përfaqëson një apo tjetri instrument i demokracisë. Fakti, se opozita nuk mund ta përdorë atë në mënyrën më efektive, nuk do të thotë që vota e mosbesimit është humbje kohe. Kjo vetëm do të thotë se njerëzit që shprehin këto qëndrime nuk kanë asgjë të përbashkët as me demokracinë, as me parlamentarizmin”, theksoi Doc. Buruxhieva.
Dhe ndërsa vota e tretë e mosbesimit vështirë se mund të rrezikojë pranimin e monedhës së përbashkët evropiane në Bullgari nga 1 janari 2026, rreziku i vërtetë është krejtësisht tjetër – një dështim në përgatitjen e një përditësimi adekuat të buxhetit shtetëror këtë vjeshtë. Pra, nëse të dhënat e reja atëherë sërish nuk tregojnë stabilitet fiskal, paralajmëron Tatjana Buruxhieva, Bullgaria mund të përballet me një vonesë të datës, pavarësisht vendimit tashmë të marrë nga Brukseli.
Lexoni më shumë mbi temën:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: BTA
Masat fiskale godasin familjet në Rumani në sfondin e një deficiti rekord Rumania po hyn në një periudhë të vështirë ekonomike dhe komentuesit parashikojnë që kriza do të zgjasë të paktën një vit. Që nga 1 gushti i këtij viti, në vend hyrën..
Në Prokurorinë e Qytetit të Sofjes u hap një hetim para-gjyqësor në lidhje me vdekjen e kapitenit Marin Marinov, njofton BTA, duke iu referuar organit të akuzës shtetërore. Hetimi u hap më 19 maj pas një sinjali nga avokati Minço Spasov dhe ka të bëjë..
Personalitete publike kërkuan nga shteti të marrë një qëndrim për situatën në Gaza. "Ndërkohë që në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë pranë OKB-së po zhvillohet një proces mbi akuzat për gjenocid, Bullgaria nuk ka të drejtë morale të heshtë apo të..