Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Zdravka Evtimova: Për bullgarët jashtë shtetit, Bullgaria vazhdon të jetë një ilaç i mirë

Zdravka Evtimova
Foto: SofiaPress

“Në vendet e largëta, ku japin mësim, mësuesit bullgarë krijojnë Bullgarinë.” Shkrimtarja Zdravka Evtimova, autore e këtyre fjalëve, në fund të korrikut do të jetë mysafire speciale e konferencës vjetore të Shoqatës së Shkollave Bullgare jashtë vendit, e cila do të mbledhë mësues nga mbarë bota në Veliko Tërnovo në periudhën 22-25 korrik. Radio Bullgaria është partner mediatik i forumit.

Një nga shkrimtaret bullgare më të lexuara pikturon një imazh të idealizuar të mësuesve bullgarë jashtë vendit. Gjatë vizitave të shpeshta në qendrat arsimore, i sheh ata si “ndriçues,” “njerëz me dritë shpirtërore, të cilët ndërtojnë shpirtin e tyre brenda nxënësve.” Prandaj edhe hap shpirtin e saj për njerëzit që e kanë përqafuar si mision detyrën që nëpërmjet gjuhës bullgare, historisë, kulturës, ta afrojnë Bullgarinë pranë fëmijëve dhe ata ta ndiejnë më afër, të dëshirojnë ta njohin.



Ende me emocion rrëfen për një orë të përbashkët të dy shkollave bullgare në Qipro:

Shkolla Kombëtare Bullgare “Strehë Atdheu” – Qipro

“Arsimtaret kishin përgatitur një dramë për Vasil Levski, rolin e të cilit e luante një maturant – kujton Zdravka Evtimova. – Në fund, e gjithë salla u ngrit në këmbë dhe kishte lot që shkëlqenin në sy. Këtë e bëjnë këta mësues bullgarë – i pashë edhe si mësonin fëmijë të vegjël të luanin valle bullgare, si recitonin së bashku me nxënësit. Në shkollën bullgare “Ivan Vazov” në Paris, drejtoresha Elena Saçkova dhe Janeta Dimitrova me zemra të zjarrta kishin krijuar një program të mrekullueshëm – nga fëmijët në kopsht deri te maturantët. Mësuesja e dinte atë përmendësh dhe kur dikush ngatërrohej, i vinte dorën mbi supe dhe ia thoshte fjalët me buzëqeshje. Mendoj se mësuesit krijojnë momente të paharrueshme për nxënësit e tyre, të cilat ata do t’i mbajnë me vete për aq kohë sa mendimi, ndërgjegjja dhe shpirti jetojnë brenda tyre.”



Pikërisht në shkollën e Parisit u zhvillua ceremonia zyrtare ku u shpërblyen fituesit e konkursit ndërkombëtar letrar “Pena magjike” me pjesëmarrjen e fëmijëve dhe të rinjve nga tetëmbëdhjetë vende. Ndjenja prekëse, sipas kryetares së jurisë Zdravka Evtimova, krijojnë ngrohtësinë e fjalëve në krijimet e tyre.

“Të rinjtë e ndiejnë Bullgarinë si një vend ku magjia realizohet, ku njeriu – mjafton të jetë i ndershëm dhe trim – mund t’i realizojë ëndrrat e veta. Kishte tregime për magjistarë të mirë, kishte tregime për Rodopet, të cilat më mbetën në zemër, kishte edhe një poezi nga 9-vjeçarja Margarita, e cila thotë: “Vjeshta u rrotullua si portokall nga prehrri im. Ju lutem, pemë, mos shushuritni!” Kishte gjëra aq të sinqerta dhe të bukura, sa më ishte e vështirë të veçoja më të mirët. Dhe kur po i dorëzoja çmimet, fëmijët dridheshin nga gëzimi.”



Gëzim të madh ndien edhe Zdravka Evtimova, duke qenë pjesë e jurisë në konkursin rinor të Radios Kombëtare Bullgare për ese për bullgarët nga Ukraina dhe Moldavia: “Por burimi i këtij gëzimi ishte ndryshe – pashë përgjegjësinë e bullgarëve, të cilët kishin studiuar në mënyrë të detajuar jetën e Vasil Levski, Hristo Botevit, Rajna Knjagija.” Në të, pjesëmarrësit duhej t’i përgjigjeshin pyetjes: “Me cilën figurë historike do të dëshironin të bisedonin, çfarë pyetjesh do t’i bënin asaj?”



“Sikur jo bisedë, por një lumë besimi, lumë ëndrrash rrjedh mes atij që shkruan dhe figurës historike – shton shkrimtarja. – Ajo që i bashkon të dy konkurset është se në ndërgjegjen e njerëzve që shkruajnë jashtë Bullgarisë, vendi ynë shkëlqen nga mirësia dhe në të mund të arrihet gjithçka. Natyrisht, ky imazh është në një shkallë të lartë i idealizuar, por njeriu me një shpirt të tillë, që ndien dashuri ndaj Bullgarisë, nuk do të trembej para vështirësive këtu. Përkundrazi, kur shpirti përballet me sfida, ai bëhet më i fortë, më i pathyeshëm dhe atëherë fitorja gjithmonë arrihet. Por me siguri nuk është e lehtë, sepse hapat drejt fitores janë në të vërtetë hapa drejt ndërtimit të karakterit. Dhe këta njerëz e ndërtojnë karakterin e tyre me krijimet që shkruajnë dhe, nëse vijnë tek ne, jam e bindur se do të gjejnë mënyrë jo vetëm të përshtaten, por edhe të kapërcejnë vështirësitë.”

Kureshtje ndaj Bullgarisë, mall për t’i përjetuar përsëri emocionet e fëmijërisë dhe për të përjetuar dashurinë e parë, dëshirë për të kontrolluar vërtetësinë e historive të mbyllura ndërmjet kopertinave të librave – të gjitha këto i gjen Zdravka Evtimova në pyetjet e bashkatdhetarëve dhe të të huajve në takimet e shumta me adhurues jashtë vendit.



“Për bullgarët jashtë vendit, Bullgaria vazhdon të jetë një ilaç i mirë, prekja me fjalët bullgare zgjon jo vetëm kujtime, por edhe dëshirën për të bërë diçka për vendin tonë – thotë ajo. – Të huajt thjesht duan të vijnë dhe të krahasojnë ndjesitë që u jep letërsia me realitetin.”



Shihni më tepër nga arkivi i Radio Bullgarisë: 

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: SofiaPress, Shkolla Bullgare “Ivan Vazov” në Paris, Shkolla Kombëtare Bullgare “Strehë Atdheu” – Qipro, Facebook/Bci London



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Foto: Universiteti i Sofjes - Shën Kliment Ohridski

Seminari Veror i Bullgaristikës në Sofje për të huaj ngjall interes të qëndrueshëm drejt Bullgarisë

Leksionet në gjuhën bullgare, por edhe seminaret për përkthim, biseda mbi tendencat e reja në letërsinë dhe kulturën bashkëkohore bullgare, traditat, folklori, takime me kinemanë bullgare të sotme… të gjitha këto janë pjesë e programit të edicionit të..

botuar më 25-07-17 7.30.PD

Emocione malore dhe sfida sportive në Vitosha Summer Fest 2025

Më 13 korrik 2025, Vitosha do të mirëpresë pushuesit me muzikë, sport dhe emocione gjatë Vitosha Summer Fest të shumëpritur. Edhe për një vit, vila "Momina Skalla" do të bëhet vendi i këtij eventi të dashur nga banorët e Sofjes dhe mysafirët e..

botuar më 25-07-13 8.45.PD
Foto: Alternativa Kulturore Caribrod / Facebook

"Alternativa Kulturore" – një platformë për shprehjen e bullgarëve në Serbi në gjuhën amtare

Të krijosh dhe të shprehësh veten në gjuhën amtare është misioni kryesor i shoqatës "Alternativa Kulturore Caribrod". Faktin që letërsia, arti dhe kultura mund të jenë ura mes kulturave,e dëshmon revista me të njëjtin emër, që botohet nga kjo..

botuar më 25-07-09 4.20.MD