Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Asparuh Leshnikov – mite, mistere, e vërteta

Dr. Veselina Uzunova
Foto: arkiv personal

“Ju puth, Asparuh Leshnikov” është titulli i librit të ri nga Dr. Veselina Uzunova – kuratore kryesore në seksionin “Historia më e re” në Muzeun Historik Rajonal të Haskovos. Autorja zbërthen jetën dhe krijimtarinë e një prej artistëve më të famshëm dhe më të suksesshëm në historinë bullgare – dhe më pas një prej më të nënvlerësuarve: Asparuh Leshnikov, i njohur si Ari.

Libri i parë biografik për Ari kënaq lexuesin me frymëzim, respekt dhe dashuri të sinqertë ndaj figurës së tij. Veselina Uzunova është e vendosur të rrëzojë mite, të zbulojë të vërteta dhe të rehabilitojë jo vetëm personalitetin e këtij artisti të madh, por edhe një zhanër të tërë muzikor – shpesh i quajtur në mënyrë përçmuese si “këngë të vjetra qytetare”. Përveç bollëkut të fotove të rralla dhe shumë interesante, libri tërheq vëmendje edhe me një risi: faqe të pajisura me kode QR, që i japin mundësi lexuesit të dëgjojnë menjëherë interpretimin që sapo është i përshkruar në tekst. Ky projekt është një përpjekje për t’i dhënë vendin e merituar një figure të harruar padrejtësisht dhe për të ringjallur interesin ndaj një trashëgimie muzikore të pasur dhe shpirtërore.

Kronika e jashtëzakonshme dëshmon edhe një herë se jeta është skenaristja më e talentuar. Në rastin e Ari, ka dy periudha qartë të dallueshme – para vitit 1944 dhe pas tij. Sukseset, fama, lumturia, entuziazmi, dashuria dhe paratë nga periudha e parë duken si një ëndërr fantastike. Uzunova rrëfen se, pas një pune të gjatë dhe këmbëngulëse për mbledhjen e dokumenteve arkivore, historia “u shkrua vetë, sepse është prekëse për të gjithë… pavarësisht nga mosha e tyre.”

Një pjesë e miqve të vërtetë të Asparuh Leshnikovit, në mesin e viteve 60-të të shekullit të kaluar, gjetën pllakat e gramafonit që Ari i dhuroi Radio Sofjes në vitin 1937. Ata arritën të pastrojnë zërin dhe të bëjnë korrigjimet e nevojshme, në mënyrë që këngët e tij të mund të ribotoheshin nga Shtëpia Diskografike “Ballkanton”. Falë këtij ekipi, regjistrimet e Ari filluan të transmetoheshin në radio, duke tërhequr vëmendjen e publikut jo vetëm për nostalgjinë ndaj së kaluarës, por edhe për “frymën që, në një mënyrë a tjetër, kishte qenë e ndaluar”.

Problemet e këngëtarit të dashur në atdhe nisën disa muaj pas 9 shtatorit 1944.

Asparuh Leshnikov (djathtas ekstrem) me sekstetin vokal mashkullor „Comedian Harmonist“

“I pari prej tyre është pushimi nga puna, në fakt përjashtimi nga Lidhja e Kompozitorëve Bullgarë, ku ai ishte anëtar – rrëfen dr. Uzunova. – Nuk iu lejua të marrë pjesë në programet që tashmë ishin të kontrolluara nga shteti... Ky ishte goditja e parë për të – që i ndaluan të drejtën për të performuar në koncerte. E dyta dhe padyshim më e rëndësishmja ishte humbja e familjes. Ata rezultuan të ishin pasagjerë në një aeroplan amerikan, dhe atij nuk iu lejua të hipë në bord… Ai u arrestua nga NKVD për arsye që mbeten të paqarta për të gjithë. (NKVD – Komisariati Popullor për Punët e Brendshme, paraardhësi i Ministrisë së Brendshme të BRSS; Leshnikov arrestohet fjalë për fjalë në shkallët e avionit nga një oficer sovjetik, me shumë gjasa përfaqësues i GRU – Shërbimi i Inteligjencës Ushtarake të Jashtme – shënim redaktori). Më vonë bëhet e qartë pse u arrestua (me shumë gjasa për shkak të një denoncimi nga një koleg i tij nga grupi i famshëm vokal Comedian Harmonists, i cili menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe fillimit të procesit të denazifikimit e akuzoi Ari për bashkëpunim me nazistët– shënim redaktori).  Në Bullgari ai u kthye në një të burgosur në shtetin e vet gjatë 34 viteve të fundit të jetës së tij. Kjo, së bashku me humbjen e mundësisë për të komunikuar me të birin e tij të dashur Simeon dhe me ish-bashkëshorten – Delfin, ishin momente jashtëzakonisht traumatike në jetën e tij. Dhe unë i kam theksuar jo rastësisht këto episode – ato përcaktojnë tonin e librit: pse i ndodh gjithë kjo një njeriu kaq të njohur, që në thelb ka qenë apolitik?”

Libri i dr. Uzunova sjell detaje tronditëse nga jeta e Ari, i cili në vitin 1946 humbi gruan e tij të dashur dhe djalin tetëvjeçar brenda sekondash – dhe nuk i sheh më kurrë. Muajt që pasuan i kaloi në burg dhe ishte një mrekulli që arriti të shmangë fatin tragjik të shumë politikanëve, intelektualëve dhe artistëve bullgarë, të cilët u dërguan në të ashtuquajturat kampe të punës. Përveç ndalimit të rreptë për ta kërkuar familjen, familja e tij gjithashtu nuk e kontaktonte më, sepse sipas autoritetit britanik të jashtëm (Foreign Office), çdo përpjekje për komunikim do të rrezikonte rëndë jetën e Asparuh Leshnikovit, madje mund të sillte vdekjen e tij. Veselina Uzunova shpreh indinjatë të thellë ndaj gënjeshtrave dëshpëruese, që janë botuar ndër vite për jetën dhe figurën e tij – duke theksuar se këto deformime historike janë një padrejtësi ndaj një artisti që, pavarësisht apoliticizmit të vet, pagoi një çmim jashtëzakonisht të rëndë.

Prezantimi i librit në Muzeun Historik Rajonal – Sliven

“Çfarë nuk gjen në këtë Internet! Pothuajse asgjë nuk është e vërtetë – nuk mund t’i pranoj! Që Asparuh Leshnikov qenka gruar…! Që qenka një këngëtar i paserioz. Një bohem – në kuptimin më të keq të fjalës. Një njeri që shpenzonte pa mend, një dorëhapur. Absolutisht e kundërta është e vërtetë: para se gjithash, ai ka qenë një njeri shumë familjar; së dyti – ka punuar jashtëzakonisht shumë për ta formuar atë mënyrë të kënduari. Sepse ajo arrihet me shumë punë – jo vetëm me talent.”

Asparuh Leshnikov Foto: Petër Papakoçev

Bashkëshortja e Leshnikovit – Delfin –lindi në Londër. Babai i saj ishte francez, ndërsa nëna – irlandeze. Kjo ishte edhe arsyeja pse, në vitin 1946, ajo dhe Ari deshën të shpërngulen në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërsa para luftës:

"Ata jetonin me luks në Berlin. Ajo ishte balerinë, një bukuroshe, kishte gjithçka që një vajzë mund të ëndërronte… Dhe ajo u martua me një burrë i cili: së pari, e adhuronte, dhe së dyti – ishte pjesë e botës artistike! Temperamenti i tij mesdhetar “alla italiano”, karizma, ajo buzëqeshje nën mustaqet e holla... Të gjitha këto i fitonte atij simpati të mëdha. Por nuk ishin vetëm gratë të mahnitura prej tij. Edhe burrat e mbanin mend si një zë dhe një prani që nuk harrohen."

Leshnikov dhe familja e tij u kthyen në Bullgari para fillimit të luftës. Herë pas here, ai këndonte në kabaretë e mëdha të Sofjes dhe synonte të krijojë një kompani për prodhimin e pllakave të gramafonit, si dhe të promovonte talente të rinj. Pas grushtit të shtetit më 9 shtator 1944, këngët e Ari u shpallën si "muzikë e vjetër qytetare" – një zhanër i cilësuar si i vjetërsuar, që "nuk do të kthehet më". Megjithatë, ai arrinte të marrë pjesë sporadike në koncerte me rastin e festave zyrtare dhe në turne verore.

Me bashkëshorten e tij të dytë, Sashkën, 1977

Lexuesi mëson fakte tronditëse për mënyrën se si jetonte ky tenor i madh – solisti i sekstetit të famshëm botërisht Comedian Harmonists – në atdheun e tij nga viti 1944 deri në vdekjen e tij në vitin 1978. Për një periudhë të shkurtër, ai punonte në trupën e cirkut “Evropa”. Burimi kryesor i të ardhurave të familjes ishte paga e gruas së tij të dytë – mësueses Sasha Leshnikova. Jetonin me qira. Ari, megjithë famën, punonte në fabrikën “Hristo Smirnenski” si ndihmës-magazinier. Për një kohë të gjatë i mohohej e drejta për pension – nuk i njihej asnjë përvojë pune, madje as shërbimi si oficer rezervist. Të gjithë e dinë që, në fund të jetës së tij, ai punonte si pastrues në Parkun “Kopshti i Borisit”. “Ky është profesioni i tij i fundit – sado i trishtueshëm të jetë” – thotë Veselina Uzunova. Po a e dinë bullgarët në Bullgari dhe bullgarët nëpër botë kush ishte vërtet Asparuh Leshnikov?


"Mendoj se bullgarët në Bullgari dinë shumë pak për Asparuh Leshnikov. Madje, ajo që dinë, shpesh nuk është as e vërtetë... Bullgarët jashtë vendit, veçanërisht në Gjermani dhe Austri, janë shumë më të informuar për temën e Asparuh Leshnikovit, sidomos në kontekstin e sekstetit gjerman Comedian Harmonists, sepse ai është jashtëzakonisht i njohur dhe i dashur në këto dy shtete. Prej andej kuptojnë se në zemër të kësaj grupi të mrekullueshëm qëndron një bullgar dhe fillojnë të interesohen – ka me të vërtetë shumë materiale në gjuhën gjermane. Edhe në SHBA ka interes të madh për Asparuh Leshnikov dhe për grupin Comedian Harmonists, në vendet skandinave, ku ata kanë dhënë shumë koncerte, si dhe në Francë dhe Itali, ku gjithashtu kanë performuar dhe janë filmuar pjesëmarrjet e tyre... Për fat të keq, do të thosha se më së paku e njohin vetë bullgarët... "

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: Arkivi personal i Dr. Veselina Uzunova, Facebook/ Asparuh Leshnikov, arkiv



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Opera e Stara Zagorës feston një shekull histori muzikore me "Car Kallojan" nën yje

Opera Shtetërore në Stara Zagora mbush 100 vjeç. Ajo do të festojë ditëlindjen e saj me premierën e shfaqjes " Car Kallojan " në skenën e Forumit të Lashtë "Augusta Trajana" më 17 dhe 18 korrik në orën 21:00. Opera e Panço..

botuar më 25-07-17 5.00.PD
Valja Ballkanska

"Doli Deljo kaçak" – përralla kozmike bullgare

Prej shekujsh, legjendat në Rodope tregojnë për një kaçak legjendar me emrin Deljo. Populli mirënjohës i ka kushtuar atij disa nga këngët dhe legjendat më të bukura. Kënga "Doli Deljo kaçak" është regjistruar për herë të parë nga folkloristë në..

botuar më 25-07-11 7.05.PD
Vasill Najdenov

Sofia Summer Fest i jep ritëm verës në kryeqytet

Nga 10 korriku deri më 14 shtator, kryeqyteti bullgar do të jetojë në ritmin e Sofia Summer Fest. Në përputhje me stinën e verës, aktivitetet zhvillohen në ambient të hapur – në Parkun Jugor II, pranë muzeut “Toka dhe Njerëzit”. Edicioni i gjashtë..

botuar më 25-07-09 6.55.PD