Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Bullgaria është në vendet e para për plazhet më të pastra në Evropë, dhe tendenca është në rritje

90% janë në gjendje shumë të mirë ekologjike dhe natyrore

Plazhi qendror i Sozopolit
Foto: BTA

Numër rekord plazhesh në bregdetin bullgar të Detit të Zi janë vlerësuar me çmimin prestigjioz ndërkombëtar “Flamuri Blu”, që dëshmon për ujërat detare të pastra dhe brezat bregdetarë. Ai jepet pas vlerësimit nga Agjencia Evropiane për Mjedisin, e cila bëhet çdo vit. Bullgaria paraqitet shkëlqyeshëm – tashmë 90% e plazheve tona kanë marrë të ashtuquajturin “flamur blu”.



Në vitet e fundit, vendi ynë e ka rritur shumë herë cilësinë e ujit detar, dhe plazhet tona bëhen gjithnjë e më të pastra, komentoi për Radio Bullgarinë zëvendësministri i Mjedisit dhe Ujërave Atanas Kostadinov.

Atanas Kostadinov

“Janë identifikuar 107–108 plazhe bullgare, të mëdha, të vogla dhe të mesme, nëpër të cilat kalojnë miliona vizitorë. Para 15 vjetësh, 45% prej tyre kanë qenë në gjendje ‘shumë të mirë’ ekologjike dhe natyrore. Ndërsa tani të tillë janë 90% e tyre,” raportoi përfaqësuesi i pushtetit ekzekutiv.



Pozitive është edhe vlerësimi nga ana e sektorit të turizmit:

“Kjo është një njohje shumë e rëndësishme nga Agjencia Evropiane për Mjedisin, e cila dha vlerësimin se për sa i përket pastërtisë së ujërave detare, Bullgaria është në vendin e dytë në Evropë pas Qipros. Kjo i atribuohet kryesisht përqindjes së lartë të ujit të pastër rreth Primorsko – atje është matur gati 100% pastërti – 99,7%. 
Në tërësi, Deti i Zi në pjesën bullgare rezulton të jetë jashtëzakonisht i pastër, sepse nuk ka ndërmarrje të mëdha industriale, nuk ka fabrika kimike, uzina metalurgjike etj., të cilat të ndotin,” komentoi për Radio Bullgarinë prof. Rumen Draganov, drejtor i Institutit për analiza dhe vlerësime në turizëm.

Rumen Draganov

Dhe nëse do të rritet më tej numri i plazheve të vlerësuara me çmimin prestigjioz – kjo varet nga koncesionarët e plazheve përkatëse. Por tendenca është në rritje:

“Mendoj se ‘Flamuri Blu’ është një nismë shumë e mirë. Në Bullgari tashmë 90% e plazheve e kanë marrë atë. Dhe në përgjithësi pranohet jashtëzakonisht mirë,” konstatoi prof. Draganov.

Nga ana e tyre, për kontrollimin dhe vlerësimin e cilësisë së ujërave punojnë në mënyrë aktive edhe organet kompetente – inspektoratet rajonale për mjedisin dhe ujërat (RIOSV).

Pavell Marinov

“Një nga elementët më të rëndësishëm për cilësinë e plazheve, përveç cilësisë së ujit, janë edhe habitatet natyrore në tokë. Uji është i rëndësishëm nga pikëpamja e ruajtjes së përbërjes së tij sa më afër asaj natyrore – shpjegon drejtori i RIOSV – Burgas, Pavell Marinov. – Sa i përket kontrollit të RIOSV për parandalimin e derdhjes së paligjshme të ujërave të ndotura në ujërat bregdetare të plazheve, mund të thuhet se në pjesën më të madhe të sistemit të vendbanimeve në rajonin e Burgasit kjo çështje është zgjidhur, ka stacione pastrimi që ndalojnë këtë rrjedhje. Ka edhe disa vende ku ende pritet të zgjidhen këto çështje. Por njëkohësisht, masat që janë ndërmarrë prej disa vitesh për ndalimin e kësaj rrjedhjeje, që deri disa vjet më parë nuk ishte e rregulluar dhe derdhej në det, tashmë japin rezultat. Dhe efekti është se uji është shumë më i pastër në krahasim me 5–6 vjet më parë.” raportoi drejtori i RIOSV – Burgas.

Primorsko - Plazhi Arkutino

Në përmbledhje – si shteti, ashtu edhe sektori i turizmit janë të njëzëshëm – deti ynë bëhet gjithnjë e më i pastër. Tendenca e përmirësimit reflektohet edhe në parashikimet për sezonin aktual veror në bregdetin e Detit të Zi. Rumen Draganov pret që sezoni të jetë jashtëzakonisht i suksesshëm, duke tejkaluar nivelet e para-covidit të vitit 2019. Rreth 8 milionë të huaj pritet të vijnë në Bullgari, nga të cilët më shumë se gjysma – 5,5 milionë – do të vizitojnë bregdetin. Ndërsa gjithsej vizitat për qëllime turistike nga të huaj dhe bullgarë pritet të jenë 13 milionë e 700 mijë.

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: BTA, Facebook /Atanas Kostadinov, Ivan Gergov, BGNES, Radio Kombëtare Bullgare Burgas



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Një platformë e njohur italiane e udhëtimeve rekomandon ngrohtësisht Sofjen për në vjeshtë

Klima e butë, ngjarje kulturore dhe mundësi për të njohur traditat vendase – këto janë vetëm disa nga arsyet pse vjeshta është koha më e përshtatshme për të vizituar Sofjen, raporton portali i njohur italian i udhëtimeve siviaggia.it , i cili së..

botuar më 25-08-19 3.55.MD

Pazarxhik – fytyra moderne e një qyteti të lashtë

Vetëm 37 km nga qyteti i dytë më i madh në Bullgari – Plovdiv , dhe njëqind kilometra në juglindje të Sofjes ndodhet Pazarxhiku piktoresk. Pozicioni i favorshëm gjeografik i qytetit të lashtë është arsyeja se pse rrugët e rëndësishme tregtare..

botuar më 25-08-19 7.00.PD

Lumturia ka shijen e verës mes shkëmbinjve Ritlite në Grykën e lumit Iskër

Në sfondin e shkëmbinjve të pjerrët të Grykës së lumit Iskër, fshati Ljutibrod po shndërrohet në një simbol të turizmit të verës në Bullgari. I njohur më së shumti për Ritlite – një fenomen natyror që shënon hyrjen në rajonin veriperëndimor të..

botuar më 25-08-17 8.55.PD