Kjo verë bullgare është e trishtueshme.
Nxehtësi me temperatura mbi 40 gradë për ditë të tëra. Dhe nxehtësia, së bashku me pakujdesinë dhe neglizhencën njerëzore, kanë ndezur qindra zjarre në të gjithë vendin tonë. Për javën e dytë, zjarrfikësit, vullnetarët dhe personeli ushtarak kanë luftuar një betejë të pabarabartë me zjarrin. Por ka njerëz që po vënë zjarr me qëllim, ose pa qëllim.
Në fillim të javës së kaluar, një zjarr i madh shpërtheu pranë disa fshatrave në komunën Kostinbrod, në Bullgarinë Perëndimore. Disa shtëpi, fusha dhe pyje u dogjën. Pasuan zjarre të tjera. Në rajonin e Trënit, gjithashtu në Bullgarinë Perëndimore, zjarri dogji 40 shtëpi dhe kaloi kufirin me Serbinë. Një zjarr në fshatin Dëbova Mahalla në Montana, në Bullgarinë Veriperëndimore, dogji 19 shtëpi, një fermë lopësh dhe një shkollë të vjetër të pabanuar.
Në një nga pikat më kritike - pranë fshatit Ilindenci në malin e Pirinit, në pjesën jugperëndimore të vendit tonë, për shkak të erës së fortë, ekipet e zjarrfikësve u tërhoqën përkohësisht, ndërsa drejtori i Drejtorisë Kryesore "Siguria nga Zjarri dhe Mbrojtja e Popullsisë", Kryekomisioneri Aleksandër Xhartov, tha se ky është një zjarr që nuk mund të kontrollohet. Zjarri në Pirin ka përfshirë më shumë se 6000 hektarë territor pyjor, tymi dhe bloza janë përhapur mbi kreshtën e malit dhe kanë shkaktuar frikë tek banorët e Banskos, Razllogut, Belicës dhe Bllagoevgradit.
Zjarri në Jamboll, Bullgari Lindore, shkaktoi ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike në dy stacione pompimi dhe dhjetë fshatra mbetën pa ujë. Një zjarr shpërtheu gjithashtu në afërsi të kryeqytetit - midis qytetit Bankja dhe lagjes Filipovci, dhe një zjarr ndaloi transportin publik midis lagjeve Moderno Predgradie dhe Obelja, gjithashtu në Sofje.
Në këtë sfond, një kriminel 33-vjeçar qëllimisht ndezi një zjarr të madh në një zonë të pyllëzuar midis dy lagjeve të Veliko Tërnovos, Bullgari Veriore. Falë kamerave video të bashkisë, zjarrvënësi u arrestua. Videoja e aktit të tij u shpërnda në transmetimet televizive të lajmeve dhe në rrjetet sociale, duke provokuar zemërimin e mijëra njerëzve.
Pyetjet që qytetarët bullgarë po bëjnë janë plotësisht të justifikuara - pse nuk kemi pajisje të mjaftueshme për shuarjen e zjarrit, pse mungon parandalimi dhe kontrolli serioz, pse mungon vetëdija?!
Përndryshe, ndihma po vjen. Bullgaria aktivizoi Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian dhe mirëpriti katër helikopterë dhe dy aeroplanë. Të dielën, Turqia fqinje dërgoi ekipe nga provincat e Edrenesë dhe Kırklarelit për të ndihmuar zjarrfikësit bullgarë që përpiqeshin të shuanin zjarrin pranë fshatit Lesovo (Bullgaria Juglindore), në kufirin bullgaro-turk, i cili gjithashtu mbulonte një sipërfaqe prej dhjetëra mijëra hektarësh.
Nga Moldavia, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, Kryeministri Rosen Zheljazkov u bëri thirrje qytetarëve bullgarë të jenë të kujdesshëm kur kryejnë aktivitete të rrezikshme nga zjarri, veçanërisht rreth shtëpive të tyre, dhe të mos hedhin cigare të pashuara. "Ne i kemi përsëritur masat për vite me radhë, por prapëseprapë 95% e zjarreve janë për shkak të neglizhencës njerëzore", tha Rosen Zheljazkov.
Presidenti Rumen Radev e përshkroi mungesën e pajisjeve të reja ajrore për shuarjen e zjarreve si "neglizhencë". Nga Aeroporti i Plovdivit, ku të dielën në mbrëmje ai mori pjesë në pritjen e ekuipazhit të parë të helikopterit nga Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së, i cili mbërriti nga Hungaria, Radev kujtoi se një vit më parë parlamenti kishte marrë një vendim që e detyronte Këshillin e Ministrave të blinte pajisje të specializuara ajrore për shuarjen e zjarreve.
Sipas fjalëve të Rumen Radevit, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të kemi edhe informacion në kohë për ndodhjen e zjarreve. Radev falënderoi Turqinë dhe BE-në për ndihmën e tyre, si dhe të gjithë zjarrfikësit, personelin ushtarak dhe vullnetarët që vazhdojnë të jenë në terren.
"Një verë e trishtuar dhe e zjarrtë për Bullgarinë." Kështu e përshkruan atë në një postim emocionues në Facebook Vlladina Cekova, një nga fotomodelet e para profesionale në vendin tonë, skenariste televizive, udhëtare dhe një person me pozicion qytetar.
"Neglizhenca njerëzore është e tmerrshme. Pakujdesia dhe indiferenca janë më shumë se të neveritshme - shkruan Vlladina. - Nuk mund të besoj që ka njerëz që i vënë zjarrin me qëllim. Nuk mund të besoj që ekziston një pashpirtësi e tillë. Po shkruaj dhe nuk kam qetësi, nuk gjej vend nga pafuqia. E dimë që është verë, e dimë që vera sjell vapë, është normale, por ne si njerëz, si Njerëz, mund të bënim diçka për të ndihmuar. Respekt për të gjithë zjarrfikësit e palodhur, personelin ushtarak, për të gjithë vullnetarët zemërmirë që janë atje duke luftuar kundër elementit të zjarrit ditë e natë! ... Duhen vite që një pyll të rritet. Vite!".
Ndjenja e pandëshkueshmërisë po djeg Bullgarinë – shkroi Nikolla Rahnev, krijuesi i iniciativës më të madhe vullnetare në Bullgari – "Gorata.bg":
"Jam i zemëruar që kaq shumë pyje, fusha, livadhe, shtëpi njerëzish, habitate kafshësh bullgare – po digjen! Bullgaria është në flakë për një vit tjetër… Po digjet gjithashtu për shkak të mungesës së parandalimit dhe papërgjegjshmërisë së shtetit, sepse zjarri më i mirë është ai që nuk ka ndodhur kurrë. Sepse ka mundësi për objekte mbrojtëse, shirita mineralizues në pyje, zona ujore, sisteme për zbulim të hershëm dhe shuarje të shpejtë..."
Sigurisht që mund të shtojmë shumë reagime dhe thirrje të ngjashme për vëmendje dhe më shumë vigjilencë. Dhe secila prej tyre na bën të mendojmë. Shpresojmë!
Përpiloi: Krasimir Martinov
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Foto: BTA
Këtë mëngjes, nxënësit bullgarë të shkencës dhe gjuhësisë u kthyen me 12 çmime nga olimpiadat më prestigjioze ndërkombëtare në Tajvan dhe Filipine. Vanesa Kalinkova, një nxënëse nga Shkolla e Mesme e Specializuar e Shkencës dhe Matematikës në..
Ndryshimet klimatike ndikojnë fuqishëm në bujqësinë në Bullgari, përfshirë edhe prodhimin e duhanit. Prandaj kërkohen lloje që janë në gjendje të përballojnë verërat e thata dhe të nxehta. Së fundmi, Shoqata Kombëtare e Prodhuesve të Duhanit – 2010..
Nxënësit bullgarë kthehen me 4 medalje bronzi dhe një diplomë nderi nga Olimpiada Ndërkombëtare e Fizikës, e cila u mbajt këtë vit në Paris, njoftoi Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Mbi 400 nxënës nga 85 vende morën pjesë në konkursin..
Këtë mëngjes, nxënësit bullgarë të shkencës dhe gjuhësisë u kthyen me 12 çmime nga olimpiadat më prestigjioze ndërkombëtare në Tajvan dhe Filipine...