Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Tërheqim botën me natyrë dhe WiFi – Bullgaria me vizë për nomadët dixhitalë

Foto: Pixabay

Bullgaria është afirmuar si një destinacion udhëheqës për nomadët dixhitalë në Evropën Lindore, me internetin më të shpejtë në rajon – mbi 100 Mbps madje edhe në disa shtëpi malore – dhe me qira mujore nën 400 euro. Qytete si Bansko, Sofja dhe Plovdiv kanë një rrjet të dendur zyrash të përbashkëta, ku të huajt gjejnë jo vetëm WiFi të qëndrueshëm, por edhe njerëz me mendësi të njëjtë nga kombësi të ndryshme. Megjithatë, shumë prej tyre zgjedhin fshatra malore ose bregdetin e Detit të Zi, duke vlerësuar bukurinë e natyrës bullgare dhe kushtet ideale për punë në distancë.

Që nga fundi i vitit 2025, vendi ynë do të bëhet edhe më i qasshëm për nomadët nga e gjithë bota me një vizë të re të specializuar, e cila do të lehtësojë qëndrimin e tyre të zgjatur. 

Më shumë për këtë temë nga Aleksandër Nucov, drejtor i “Strategjisë dhe Politikave” në Shoqatën Bullgare të Sipërmarrësisë (BESCO).

Aleksandër Nucov

“Në këtë moment, sipas raporteve të ndryshme, në shkallë botërore ka rreth 35-50 milionë nomadë dixhitalë, për të cilët tashmë më shumë se 60 shtete, përfshirë edhe Bullgarinë, po garojnë për t’i tërhequr si destinacion atraktiv. Këta njerëz e kombinojnë punën me njohjen e kulturës, historisë dhe natyrës së vendit ku qëndrojnë, duke i fituar të ardhurat e tyre jashtë vendit, por i shpenzojnë në vend dhe kështu stimulojnë ekonominë lokale. Tani do të kemi të ashtuquajturën vizë për nomadët dixhitalë, e cila në fakt është një leje për qëndrim të zgjatur për shtetasit nga vendet jashtë BE-së, Zonës Ekonomike Evropiane dhe Zvicrës, për të punuar në distancë në Bullgari.”

Shihni më tepër nga Arkivi i Radio Bullgarisë:

Procedura për lëshimin e “vizave të nomadëve” do të nisë nga fundi i vitit 2025 ose fillimi i vitit 2026, pasi të finalizohen aktet nënligjore. Ideja është që nomadizmi dixhital të bëhet një motor i qëndrueshëm i ekonomisë bullgare, përkrah turizmit.



“Sa i përket kohëzgjatjes, flasim për një vit, me të drejtë rinovimi të vizës për edhe një tjetër – sqaron Nucov. – Për pasojë, një nomad dixhital mund të qëndrojë deri në dy vjet në Bullgari. Është e rëndësishme të theksohet se këta njerëz nuk zënë vende pune në Bullgari – ata punojnë për punëdhënës të huaj, kanë kompani në vende të treta ose janë freelancer, pa të drejtë të lidhin kontratë pune me punëdhënës vendas bullgarë. Ata i fitojnë të ardhurat jashtë, por i shpenzojnë tek ne. Për të marrë vizën, duhet të vërtetojnë të ardhura vjetore prej të paktën 50 paga minimale bruto për vitin e kaluar – rreth 55 000 leva (afërsisht €28 000).”

Ndryshe nga turistët, me këto viza nomadët dixhitalë do të mund të lidhin kontrata për qira afatgjata, të hapin llogari bankare dhe madje të investojnë në startup-e vendore – por pa të drejtë të punojnë për kompani bullgare.



Efekti ekonomik për Bullgarinë mund të jetë i konsiderueshëm. Vendi ynë mund të llogarisë të paktën 2 000 nomadë dixhitalë në vit nga vendet e treta, të cilët do të sillnin rreth 30 milionë leva në ekonomi përmes konsumit të mallrave dhe shërbimeve vendore. Por përfitimet janë edhe më të gjera:

“Do të veçoja disa – thotë Aleksandër Nucov. – Së pari, të përmendim zhvillimin rajonal, sepse këta janë njerëz që udhëtojnë shumë. Ata nuk qëndrojnë vetëm në Sofje, por shëtisin në vende të bukura të Bullgarisë, eksplorojnë natyrën, malet, detin, udhëtojnë dhe jetojnë. Kështu ata kontribuojnë në zhvillimin e rajoneve dhe pozicionojnë Bullgarinë si një destinacion inovativ, sepse shumica prej tyre punojnë në industri teknologjike dhe kreative. Ata sjellin njohuri dhe përvojë që mungojnë në ekosistemin inovativ bullgar, dhe disa prej tyre janë edhe investitorë – të ashtuquajturit “engjëj të biznesit”, të cilët mbështesin kompani të reja me ide të mira. Për më tepër, ata stimulojnë turizmin duke ndarë përshtypjet e tyre për vendin, dhe kështu tërheqin një valë të re nomadësh dixhitalë dhe turistësh.”



Dhe më shumë – udhëtarët dixhitalë ndihmojnë në promovimin e Bullgarisë në forume botërore të nomadëve dhe në rrjetet sociale – një marketing falas, që vendi ynë vështirë se do ta përballonte vetë.

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski
Foto: BESCO, Pixabay, Freepik


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Turistë nga Serbia, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut do të ngjisin majën Cërnook

Shoqata Sportive e Alpinizmit “Mlladost” në Bosilegrad të Serbisë, me mbështetjen e Komunës së Bosilegradit dhe Shoqatës së Alpinistëve të Serbisë, organizon ngjitjen e XII-të ndërkombëtare në majën Cërnook (1881 metra). Ngjarja do të mbahet më 16..

botuar më 25-08-08 12.07.MD

Freski, ecje në natyrë dhe pamje mbresëlënëse – shpëtoni nga vapa në Svoge

Kur termometrat në Sofje i afrohen pa mëshirë 40°C, ajri bëhet i rëndë si plumbi, rrugët boshatisen dhe njerëzit kërkojnë shpëtim në malet përreth. Vetëm rreth një orë me makinë në veriperëndim të kryeqytetit, shpatet e malit Stara Pllanina në rajonin..

botuar më 25-08-07 7.05.PD

Thesare të arta dhe përjetime interaktive në muzeun e Pazarxhikut

Historia e veprimtarisë muzeale në Pazarxhik fillon që në gjysmën e dytë të shekullit XIX, kur me idenë e Stefan Zaharievit në bibliotekën popullore “Videlina” formohet një koleksion prej sendesh të vjetra, monedhash, dorëshkrimesh kishtare. Gjatë viteve..

botuar më 25-08-03 9.55.PD