Pas muajsh me inflacion të ulët, madje edhe me një deflacion të përkohshëm, pra ulje të çmimeve në muajin prill të këtij viti, të paktën sipas të dhënave zyrtare të statistikës kombëtare, tendenca u përmbys papritur. Më 15 korrik, vetëm disa ditë pasi Bullgaria mori "po" nga Brukseli për anëtarësimin në Eurozonë, Instituti Kombëtar i Statistikave doli me të dhëna që tregonin se inflacioni vjetor në fund të muajit qershor ishte 4.4% – domethënë, niveli më i lartë në dy vitet e fundit.
Sa e saktë ishte statistika gjatë muajve të mëparshëm dhe nëse Evropa i mbylli sytë ndaj disa problemeve të ekonomisë vendase – u shfaqën shumë dyshime, por nuk mund të provohen në mënyrë zyrtare.
Por le ta shikojmë çështjen nga një tjetër këndvështrim – mos vallë vetë pritshmëria për rritje të çmimeve i shtyn tregtarët të marrin masa paraprake dhe të rrisin që më herët çmimet e atyre gjërave që në fund i paguajmë ne si konsumatorë?
Sa i përket këtij termi, ai quhet “ekonomia e pritshmërisë” – një nga rregullat themelore në shkencën ekonomike. Pra, proceset diktohen nga ajo që njerëzit – si konsumatorët, ashtu edhe tregtarët – presin të ndodhë. Përveç rastit aktual me rritjen e çmimeve, kjo vlen edhe për situata kur konsumatorët, për shembull, presin përkeqësim të gjendjes ekonomike – pra, fillojnë të kursejnë dhe të konsumojnë më pak, gjë që në fakt çon realisht në përkeqësimin e situatës, për shkak të uljes së konsumit dhe si pasojë, të aktivitetit ekonomik. E njëjta gjë vlen edhe në drejtim të kundërt: kur ndjenjat dhe pritshmëritë janë pozitive – atëherë ndodh një rritje e fortë e konsumit.
Procesi tashmë është lehtësisht i dallueshëm edhe në vendin tonë, është kategorik antropologu social Harallan Aleksandrov:
“Është krejtësisht e sigurt që ekziston një efekt i tillë. Bëhet fjalë për një profeci që vetërealizohet – një dukuri e njohur mirë, dhe jo vetëm në fushën ekonomike - thotë Harallan Aleksandrov. - Për mua nuk ka asnjë dyshim që pritshmëritë masive për rritjen e çmimeve tashmë po i rrisin realisht çmimet. Nëse je një tregtar me pakicë dhe ke disa rezerva në magazinë, sjellja plotësisht normale dhe racionale është të fillosh t’i fshehësh ose t’ua rritësh çmimin, me bindjen se të gjithë të tjerët do të bëjnë të njëjtën gjë.”
Ai dha edhe një shembull me çmimet e pasurive të paluajtshme të cilat, pavarësisht “flluskës” për të cilën flitet prej vitesh, po vazhdojnë të rriten ndjeshëm gjatë muajve të fundit.
“Në këtë kuptim, ka logjikë ndërhyrja shtetërore, e cila kritikohet nga një këndvështrim ideal i tregut të lirë, por mendoj se të gjithë jemi bindur tashmë se nuk ekziston diçka e tillë si treg vetërregullues bazuar thjesht në kërkesë dhe ofertë. Politika ndërhyn me forcë dhe në mënyrë shkatërruese në të gjitha sferat e jetës. Dhe është bërë e qartë se “rregullat” e tregut vendosen nga pozita e forcës” - thekson antropologu social.
Ai dha si shembull për këtë tezë negociatat midis SHBA-së dhe BE-së, të cilat, sipas tij, përfunduan me një “kapitullim” të Brukselit.
Në një qëndrim diametralisht të kundërt është Krasen Stançev – ekonomist, themelues i Institutit për Ekonominë e Tregut, pedagog në Universitetin e Sofjes dhe deputet në Kuvendin e Madh Popullor gjatë periudhës 1990–1991.
“Pritshmëritë krijohen nga ajo që thonë politikanët: “presim që çmimet të rriten dhe për këtë arsye do të kontrollojmë spekulimin”. Dhe në momentin kur ata e thonë këtë dhe fillojnë të përgatisin ligjin për kontrollin, njerëzit fillojnë të rrisin çmimet. Imagjinoni sikur duhet të shisni diçka dhe e dini që, në një moment të caktuar, do të vijnë t’ju kontrollojnë. Çfarë bëni? Ju i rrisni çmimet paraprakisht. Dhe kur të vijë momenti për të zbatuar Ligjin për Pranimin e Euros, askush nuk do t’ju gjobisë që keni bërë ndonjë ulje çmimi. Në thelb, ky është faktori kryesor për rritjen e çmimeve – nëse ekziston vërtet një i tillë” - komentoi Stançev për Radio Bullgarinë.
Ai gjithashtu mbrojti tezën e tij se hyrja e ardhshme në eurozonë nuk ndikon aspak në nivelin e inflacionit.
“Vetë euroja në asnjë mënyrë nuk ndikon mbi çmimet. Sepse, në rastin e Bullgarisë – ashtu si në Lituani, Estoni dhe Letoni – leva është tashmë e lidhur me euron (pra, jemi në regjim bordi valutor)” - theksoi ekonomisti.
Sipas tij, në kushtet e sotme, është tërësisht e papërshtatshme të mendohet për një ligj të posaçëm kundër spekulimit.
Ndërkohë, sociologu Kënço Stojçev vuri në dukje se mendimi dëshiror – pra, pritshmëria që diçka do të ndodhë – është një faktor kyç në proceset ekonomike. Megjithatë, sipas tij, në rastin konkret kjo nuk është arsyeja kryesore për rritjen e çmimeve.
“Sa u përket pritshmërive për euron – aty nuk kemi të bëjmë me psikologji, por me mekanizma të tjerë ekonomikë. Euroja nuk po aplikohet për herë të parë. Ne jemi thjesht një rast tjetër, madje i vonuar. Dhe gjithmonë ka pasur rritje inflacioni, procese inflacionare. Fakti që politikanëve u leverdis të gënjejnë nuk është ndonjë risi – sepse kjo është “profesioni” i tyre” - tha Stojçev.
Ai parashikoi se inflacioni do të arrijë kulmin në pranverën e vitit 2026. Sipas tij, duke marrë këtë parasysh, synimi i shtetit për të kontrolluar proceset inflacionare dhe përpjekjet për të frenuar spekulimin janë plotësisht të arsyeshme – dhe në fakt përbëjnë një praktikë të zakonshme në të gjithë Evropën.
“A do të çojë kjo në trazira sociale dhe tension? Kjo është e vështirë të parashikohet, por më shumë gjasë po. Sepse po e pranojmë euron në një moment të keq. Evropa ndodhet në një pikë të ulët të zhvillimit të saj, politikisht është në një krizë serioze dhe në një situatë pa rrugëdalje. Është krejtësisht e qartë se nuk mund të vazhdojë të zhvillohet në këtë mënyrë – nevojitet një reformë e përgjithshme” - u shpreh me bindje sociologu. Ai e mbështeti qëndrimin e tij me marrëveshjen “poshtëruese”, sipas tij, mes presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump, të nënshkruar disa ditë më parë.
Në fund të fundit, testi i vërtetë për të parë nëse Bullgaria përmbush realisht kriteret financiare të Brukselit – por edhe ato ndaj qytetarëve të vet – do të jetë me rishikimin e mundshëm të buxhetit për vitin aktual 2025. Dhe kjo, sipas shumë komenteve, nuk do të jetë një detyrë e lehtë.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: iStock Photo, BGNES, BTA, BNR
Treguesi i përgjithshëm i besimit të konsumatorëve, ose, me fjalë të tjera, vlerësimi i tyre për të ardhmen e tyre ekonomike në Bullgari dhe situatën aktuale ekonomike, vazhdon të bjerë, dhe në korrik 2025 ra me 4.7 për qind në minus 21.1 për..
Nga gati 2 milionë pensione, Instituti Kombëtar i Sigurimeve Shoqërore u paguan 16 000 prej tyre bullgarëve jashtë vendit. Numri më i madh i pensionistëve bullgarë që jetojnë jashtë është në Gjermani – 4100. Ka edhe nga një pensionist bullgar në..
Që nga data 8 gusht, çmimet e të gjitha produkteve në dyqane duhet të shënohen edhe në euro. Konvertimi duhet të bëhet sipas kursit zyrtar të këmbimit 1.95583, i përcaktuar nga bordi valutor dhe mbi të cilin u pranua kalimi i Bullgarisë në monedhën..
Treguesi i përgjithshëm i besimit të konsumatorëve, ose, me fjalë të tjera, vlerësimi i tyre për të ardhmen e tyre ekonomike në Bullgari dhe..
Nga gati 2 milionë pensione, Instituti Kombëtar i Sigurimeve Shoqërore u paguan 16 000 prej tyre bullgarëve jashtë vendit. Numri më i madh i..
Që nga data 8 gusht, çmimet e të gjitha produkteve në dyqane duhet të shënohen edhe në euro. Konvertimi duhet të bëhet sipas kursit zyrtar të këmbimit..