Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Stacioni hekurudhor qendror në Sofje tregon historitë e tij

15
Foto: Desisllava Semkovska



Periudha qershor, korrik dhe gusht e vitit 1888 është ndoshta më e mbushura me ngjarje të rëndësishme në historinë hekurudhore të Bullgarisë pasçlirimtare. Më 23 qershor 1888 linja hekurudhore Caribrod – Sofje – Vakareli iu dorëzua për shfrytëzim të brendshëm. Shumë shpejt pas kësaj – më 3 korrik, me urdhër të kryeministrit Stefan Stambollov, në mënyrë të detyruar u larguan nëpunësit osmanë nga linja hekurudhore Bellovo – Vakarel dhe shfrytëzimi i kësaj linje u mor nga shteti bullgar dhe personeli bullgar. Më 10 gusht, linja e parë hekurudhore në tokat tona – Ruse – Varna kalon gjithashtu nën administrimin e shtetit bullgar. Kështu, në fund të vitit 1888, me një gjatësi shfrytëzimi të përgjithshme të dy linjave Ruse – Varna dhe Bellovo – Caribrod vetëm prej 384 km, themelohen Hekurudhat Shtetërore Bullgare. 

Shinat dimërore – stacioni i Sofjes, vitet 1920

Por ngjarja më madhështore e po atij viti ndodh më 1 gusht. Në linjën Bellovo – Caribrod për herë të parë kalon një tren ndërkombëtar – "Orient Ekspres". Ai pritet në mënyrë jashtëzakonisht solemne në të gjitha stacionet e mëdha dhe sidomos në stacionin qendror hekurudhor të Sofjes, i cili inaugurohet zyrtarisht atë ditë – më madhështori jo vetëm për Bullgarinë, por edhe për Ballkanin.

Stacioni Hekurudhor i Sofjes menjëherë pas hapjes së tij për funksionim

"Ai është pjesë e projektit hekurudhor më të rëndësishëm, më të madh, që realizohet nga shteti i ri bullgar – linja Caribrod – Sofje – Vakarel (ky ka qenë stacion kufitar, kur vendi ynë ka qenë i ndarë në Principatën e Bullgarisë dhe Rumelinë Lindore) – thotë Ivan Gogev, këshilltar pranë Kompanisë Kombëtare 'Infrastruktura Hekurudhore'. 

Ivan Gogev

– Si në brendësi, ashtu edhe në pamjen e jashtme janë përdorur motive të Rilindjes italiane. Stacioni ka qenë një objekt shumë mbresëlënës. Dhe për dekada me radhë pas hapjes së tij, ai mbetet qendër tërheqëse, një derë gjerësisht e hapur si drejt Sofjes, ashtu edhe drejt Bullgarisë, nëpër të cilën hyjnë personalitete të kurorëzuara, të famshëm – tanët dhe të huajt, sportistë të njohur. Njerëzit e thjeshtë në ditët e pushimit, kanë dashur të vijnë në stacion për të admiruar këtë krijim të arkitekturës. Blinin biletë peroni (atëherë hyrja në stacion nuk ka qenë e lirë) dhe admironin këtë ornamentikë, peronet, turmat, shumëngjyrësinë që mbretëronte atëherë atje, lokomotivat me avull të fuqishme, të shpejta e elegante, trenat e udhëtarëve, dhe shumë nga këta njerëz të vegjël jetonin me ëndrrën që ndonjëherë të hipnin në rehatinë e këtyre kupetave dhe të udhëtonin, gjë që për ta ka qenë një ëndërr e paarritshme.

Duke pritur Orient Express në Stacionin Kostenec, vitet 1930

Sot, kushdo që viziton Stacionin Qendror në Sofje mund të zhytet në madhështinë e së kaluarës, duke u ngjitur në katin e dytë të godinës dhe duke parë instalacionin e madh artistik "Rrotat e kohës", vepër e prof. Bojan Dobrev, pedagog i kompozicionit në Akademinë Kombëtare të Arteve.



"Panorama është një zgjidhje jashtëzakonisht interesante dhe origjinale – shpjegon bashkëbiseduesi ynë.  Nga një distancë e madhe merret përshtypja e mekanizmit lëvizës të rrotave dhe boshteve të një lokomotive me avull. Nga një distancë shumë afër, këto janë një numër i panumërt fotografish familjare të punonjësve të hekurudhave, të vjetër të mjeteve lëvizëse, tabela shfrytëzimi dhe shumë të tjera, të lidhura me historinë e hekurudhave bullgare."







Dhe me rastin e Ditës së Hekurudhave, e cila festohet të dielën e parë të gushtit, Ivan Gogev tregon për Radio Bullgaria për një koleksion mbresëlënës në Stacionin Qendror hekurudhor në Sofje.



"Në Klubin e Hekurudhave gjatë 10 viteve të fundit, me shumë përpjekje, është formuar një hapësirë shumë interesante për t’u vizituar. Aty ka një bibliotekë me literaturë të specializuar, shumë fotografi të hekurudharëve të merituar, ka makete, tabela shfrytëzimi, tabela prodhimi nga fabrikat prodhuese, përfshirë edhe uniforma hekurudharësh të përdorura 40-50 vite më parë."





Dhe një vend tjetër u tregon vizitorëve të Stacionit Qendror për historinë – vitrina muzeale në katin e parë.



"Aty mund të shihet një tavolinë origjinale, e cila është përdorur në administratën tonë gjatë viteve ’30 të shekullit të kaluar, shumë tabela lokomotivash që prej kohësh nuk janë më në shfrytëzim, mjete për sigurimin e lidhjes midis stacioneve në ato vite, mjete për sinjalizim, një uniformë e vjetër etj." – numëron Ivan Gogev.



"Në përfytyrimin tim, rrjeti hekurudhor i Bullgarisë është një monument i bërë me dorë, të cilin populli ynë e ka krijuar vetë si simbol të përpjekjes së tij për mirëqenie. Për shumë vite hekurudha jonë ka qenë në skenën e teatrit të transportit të Ballkanit dhe ka pasur rol udhëheqës. Ne kemi zgjidhje teknike dhe teknologjike unike, me të cilat do të krenohej çdo administratë hekurudhore" – është i prerë Ivan Gogev, autor i librave dhe artikujve mbi tema të lidhura me ndërtimin hekurudhor, gjeopolitikën dhe antropologjinë inxhinierike.

Lokomotiva Nikolla Korçev

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: Desisllava Semkovska, Hekurudhat Shtetërore Bullgare, arkivi personal i Ing. Dimitër Dejanov, Stefan Stoiçkov dhe Ivan Gogev



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Tre këndvështrime të historianëve bullgarë mbi Bashkimin e Bullgarisë në vitin 1885

Në korrik të vitit 1878, pas luftës së dhjetë ruso-turke, në Kongresin e Berlinit, territoret e banuara me bullgarë në Ballkan u ndanë në pesë pjesë. Dobruxha Veriore iu dorëzua Rumanisë. Serbia mori sanxhakun e Nishit. Tokat midis Danubit dhe malit Stara..

botuar më 25-09-06 5.30.PD

Eksponate të çmuara tregojnë për Bashkimin, të shpallur 140 vjet më parë në Plovdiv

Ishte viti 1883. Sipas projektit të arkitektit Pietro Montani, në qytetin Plovdiv fillon ndërtimi i godinës së Kuvendit Krahinor të Rumelisë Lindore – një provincë autonome bullgare brenda Perandorisë Osmane, një nga pjesët e Bullgarisë së copëtuar pas..

botuar më 25-09-05 5.30.PD
Foto: Parku Kombëtar Muze Shipka-Buzlluxha

Rruga e Gjatë e Himnit Bullgar: Ekspozitë në Majën Shipka

Më 30 gusht, gjatë Festimit Kombëtar të 148-vjetorit të Eposit Shipka, ekspozita "Rruga e Gjatë e Himnit Kombëtar" hapet pranë Monumentit madhështor të Lirisë në Malin Shipka. Pikërisht në këtë vend historik, ku u vendos fati i lirisë bullgare një shekull..

botuar më 25-08-30 8.05.PD