Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Pijetoret – qendrat kulturore të Sofjes në zhdukje

Foto: Sofja Boheme

Për kryeqytetin tonë, gjatë viteve janë shkruar libra të panumërt që rikrijojnë si historinë e tij të jashtëzakonshme nga lashtësia e deri në ditët tona, ashtu edhe përshtypjet e udhëtarëve të ndryshëm që e kanë vizituar qytetin. Një vend të veçantë ndër to zënë dhjetëra memoare të shkruara nga përfaqësues të bohemës së kryeqytetit, si dhe libra si “Sofja me treqind mijë banorë dhe unë midis dy luftërave” nga gazetari dhe prozator Dragan Tenev, “Të fshehtat e Sofjes” dhe “Çfarë hëngrën dhe pinë bullgarët e mëdhenj” nga studiuesi letrar Petër Veliçkov, si dhe shumë rrëfime interesante nga Viktor Topallov, të mbledhura në disa libra për historinë e Sofjes. Në rolin e një udhërrëfyesi të veçantë dhe prezantues radiofonik në emisionin “Legjendat e Sofjes” në programin e BNR Radio Sofja, ai i çon dëgjuesit e tij në një udhëtim nëpër gjurmët e personaliteteve dhe vendeve emblematike, që kanë ndikuar fuqishëm në historinë e kryeqytetit

Një herë në vit, në faqen e tij të specializuar kushtuar jetës boheme në Sofje, Viktori zhvillon një lloj sondazhi me audiencën e tij – cilat janë lokalet më të vjetra të Sofjes që vazhdojnë të funksionojnë edhe sot? Deri në vitin 2024, numri i tyre është vetëm 6.

Viktor Topallov

"Më të vjetrat prej tyre janë rreth 100-vjeçare – tregon Viktor Topallov para Radio Bullgarisë. – Kemi disa restorante nga vitet ’20 të shekullit të kaluar, disa nga vitet ’30. Natyrisht, qyteti fsheh ende shumë sekrete, dhe është e mundur që në ndonjë nga lagjet periferike të ketë ende një lokal që funksionon që prej asaj kohe. Megjithatë, në fund të fundit, ne nuk jemi ndër kryeqytetet që mund të krenohen me ruajtjen e qendrave të tilla kulturore. Sidomos më të njohurat prej tyre kanë mbyllur dyert prej kohësh, ndërsa për disa të tjera madje nuk ekzistojnë më as ndërtesat."

Restoranti i Grand Hotelit „Bëllgaria“

Një nga lokalet emblemë në fillim të shekullit të XX ishti restoranti “Bëllgaria”, pjesë e kompleksit me të njëjtin emër në qendër të qytetit, i ndërtuar në vitin 1937 dhe që u bë shembull i modernizmit në arkitekturën bullgare gjatë periudhës ndërmjet dy luftërave. Sot, nga i gjithë kompleksi funksionon vetëm Salla e Koncerteve “Bëllgaria”, por shpresat e Topallovit, si ato të shumë sofjanasve, janë që një ditë të rikthejë shkëlqimin e tij të plotë, dhe që në kafenenë dhe hotelin pranë tij të hyjnë përsëri njerëz. Shumë pranë vendit që njihej si qendër e elitës aristokratike dhe intelektuale të Sofjes ndodhej edhe një lokal i njohur – Kafeneja e Shkrimtarëve.

Klubi Ushtarak dhe Kafeneja e Shkrimtarëve pranë Kishës Ruse

"Vendi që e njohim si “Kafeneja e Shkrimtarëve”  ishte në fakt pastiçeria “Mbreti Çlirimtar”. Ajo ndodhej në cep të rrugëve “G.S. Rakovski” dhe “Mbreti Çlirimtar”, në një godinë dykatëshe. Hapi dyert në vitin 1908, por u mbyll në vitin 1946, ndërsa në vitin 1977 ndërtesa u shemb. Sot, në atë vend – mes Kishës Ruse dhe Klubit Ushtarak – ndodhet thjesht një lulishte."

Kafene „Bëllgaria“

Në kuadër të “Bisedës Boheme: Birraritë e vjetra të Sofjes”, të interesuarit kanë mundësi të mësojnë vendndodhjen dhe cilët personazhe kanë frekuentuar vende si restoranti “Allkazar”, birraritë “Batenberg”, “Bodrumi i Thellë” dhe “Gaforrja e Kuqe”, Kazinoja e Qytetit, si dhe restorantet “Sredna Gora” dhe “Ballkan”. 

Për fat të keq, asnjë prej tyre nuk ekziston më, por i ftuari ynë gojëmbël nuk la pa treguar, qoftë edhe pjesërisht, disa histori interesante të lidhura me to.

Pijetore-restorant „Batenberg“

"Restoranti “Allkazar” ndodhej në vendin ku më vonë u ndërtua kompleksi “Bullgaria”, nga i cili sot funksionon vetëm salla e koncereve me të njëjtin emër. Birraria “Batenberg” ka një histori mjaft të gjatë; ajo ndodhej menjëherë pranë Rotondës “Shën Gjergji”, në oborrin e pasmë të Presidencës. E mori këtë emër sepse, për disa vite me radhë, eshtrat e princit të parë bullgar u ruajtën në Rotondën, para se të ngrihej Mauzoleumi i tij. Birraria ka qenë një vend jashtëzakonisht i bukur, por për fat të keq, gjatë Luftës së Dytë Botërore, kjo pjesë e qytetit u shkatërrua më rëndë – kujton studiuesi Viktor Topallov. – Sot, në vendin ku dikur shtrihej i gjithë ky rajon, ndodhet sheshi “Pavarësia”, me ndërtesat e Shtëpisë së Partisë (sot godina e Kuvendit Popullor), Këshillit të Ministrave, Presidencës, hotelit dhe dyqanit universal. Të gjitha këto objekte janë ndërtuar në vitet ’50 të shekullit XX, në vend të një sërë hotelesh interesante, kinemave, dyqaneve dhe rrugicave të bukura që ekzistonin më parë.

Lexoni më shumë nga arkivi i Radio Bullgarisë:


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: Sofja Boheme, Facebook/ Viktor Topalov




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Tre këndvështrime të historianëve bullgarë mbi Bashkimin e Bullgarisë në vitin 1885

Në korrik të vitit 1878, pas luftës së dhjetë ruso-turke, në Kongresin e Berlinit, territoret e banuara me bullgarë në Ballkan u ndanë në pesë pjesë. Dobruxha Veriore iu dorëzua Rumanisë. Serbia mori sanxhakun e Nishit. Tokat midis Danubit dhe malit Stara..

botuar më 25-09-06 5.30.PD

Eksponate të çmuara tregojnë për Bashkimin, të shpallur 140 vjet më parë në Plovdiv

Ishte viti 1883. Sipas projektit të arkitektit Pietro Montani, në qytetin Plovdiv fillon ndërtimi i godinës së Kuvendit Krahinor të Rumelisë Lindore – një provincë autonome bullgare brenda Perandorisë Osmane, një nga pjesët e Bullgarisë së copëtuar pas..

botuar më 25-09-05 5.30.PD
Foto: Parku Kombëtar Muze Shipka-Buzlluxha

Rruga e Gjatë e Himnit Bullgar: Ekspozitë në Majën Shipka

Më 30 gusht, gjatë Festimit Kombëtar të 148-vjetorit të Eposit Shipka, ekspozita "Rruga e Gjatë e Himnit Kombëtar" hapet pranë Monumentit madhështor të Lirisë në Malin Shipka. Pikërisht në këtë vend historik, ku u vendos fati i lirisë bullgare një shekull..

botuar më 25-08-30 8.05.PD