Ato shfaqen në vendet më të pazakonshme – lart në mal apo në breg të detit, nën kurorat e pemëve apo direkt nën qiellin me yje. Bëhet fjalë për një dukuri relativisht të re në turizmin bullgar – të ashtuquajturat glamping-e. Termi vjen nga anglishtja glamorous camping dhe do të thotë “kamping joshës” ose “luksoz”. Këto vende jo të zakonshme për akomodim ndërthurin rehatinë, madje edhe luksin e hotelit me afërsinë me natyrën – në shumicën e rasteve me një çmim mjaft të lartë për një natë.
Çfarë është glampingu dhe pse bullgarët po e kërkojnë gjithnjë e më shumë?
Sipas të dhënave të Shoqatës Bullgare të Glamping-ut, aktualisht në vend rreth 20 objekte mund të konsiderohen si glamping autentik – bëhet fjalë kryesisht për çadra të gjera dhe jashtëzakonisht komode. Nëse shtojmë edhe rulota luksoze, bungalot dhe vilat me koncept glampingu, numri i këtyre llojeve të lokacioneve në vend po rritet ndjeshëm. Në një intervistë për Radio Bullgarinë, Valentin Krumov, kryetar i Shoqatës Bullgare të Glamping-ut, shpjegoi:
“Për Bullgarinë është diçka relativisht e re, ndërsa ky term u shfaq në Angli rreth vitit 2005 dhe u drejtohet adhuruesve të natyrës, që nuk duan të jenë kampistë tipikë, siç i quajmë ne, por preferojnë më shumë kushte komode – të kenë një krevat me çarçafë të bardhë, si në një dhomë hoteli, dhe të gjitha komoditetet e tjera që ofron një hotel, por duke qëndruar në natyrë. Në Bullgari, ky term hyri në përdorim rreth vitit 2020, kur u shfaqën edhe glamping-et e para.”
Çmimet variojnë nga 100 deri në 300 leva për natë, në varësi të llojit të akomodimit dhe vendndodhjes, thotë Krumov. Dhe megjithëse për momentin interesi kryesor vjen nga Rumania, Shoqata Bullgare e Glamping-ut po punon për të tërhequr turistë nga Skandinavia dhe Evropa Perëndimore, ku ky lloj pushimi është jashtëzakonisht i zhvilluar. Në promovimin e glamping-ut në vend ndihmon edhe platforma ndërkombëtare online për glamping, e krijuar së fundmi nga Krumov. Ambicia e shoqatës është që deri në fund të vitit të përfshijë në të, të gjitha adresat e akomodimeve të këtij lloji në Bullgari.
Ku mund të gjeni glamping-e në Bullgari dhe si duken ato?
Në vend tashmë ekziston një larmi e objekteve glamping – nga jurta mongole dhe shtëpiza druri deri te rulota luksozë retro, të ashtuquajturat bell tents (çadra rrethore), përfshirë edhe çadrat e safarit, disa prej të cilave janë të pajisura me tualete. Mund të hasni fshatra të tërë glamping me shtëpiza të vogla balte si nga përrallat, ose, për shembull, një kamping për nostalgjikë me të gjitha komoditetet e mundshme, por të mobiluar në stilin e viteve ‘70 dhe ‘80 të epokës socialiste. Dhe më shumë:
"Këtu janë më të përhapura juratat, tendat glamping të të dy llojeve – safari dhe bell tents. Kemi rulotë luksoze. Edhe ata mund t’i përfshijmë në këtë lloj turizmi, pasi disa prej tyre ofrojnë komoditete mjaft të mira, duke përfshirë banja dhe tualete. … Glamping-e të ngjashme ka në resortin Ballçik, në pjesën veriore të Detit të Zi, rreth pushimoreve Sozopoll dhe Carevo në bregdetin jugor. Pranë Sofjes pritet të ndërtohet një bazë e tillë. Gjithashtu kemi edhe në male, si për shembull në Cigov Çark.
E ardhmja e glamping-ut – a do të kthehet në një formë masive të pushimit?
Nëse para një dekade më shumë kërkohej pushimi "all inclusive" me animatorë dhe shërbime shtesë në hotelet e mëdha të detit, tani ka një ndryshim në qëndrimin e njerëzve. Bullgarët gjithnjë e më shpesh zgjedhin pushime të qeta në vende të izoluara – në male apo pranë valëve.
"Para disa vitesh bullgarët nuk dinin çfarë të prisnin nga glamping-u, prandaj fillimisht rezervonin një, dy apo tre net për ta provuar, për të kuptuar çfarë është glamping – thotë Valentin Krumov. – Ndërkohë të huajt, sidomos rumunët që janë turistë të rregullt në Bullgari, veçanërisht gjatë verës, e njihnin shumë mirë këtë lloj pushimi. Dhe vërejmë tek ta rezervime më të gjata, prej një jave e më shumë. Por tashmë edhe bashkëqytetarët tanë janë të qartë, kanë përvojë me glamping-un – qoftë në det apo në male – dhe e kërkojnë gjithnjë e më shumë."
Modeli hibrid midis kampingut dhe hotelit luksoz do të vazhdojë të përhapet mes turistëve bullgarë dhe të huaj, të cilët zgjedhin një përjetim autentik pa kompromise me komoditetin. Ndërkohë, nga Shoqata Bullgare e Glamping-ut shpresojnë që deri në vitin 2026 vendi ynë të pozicionohet si një destinacion i preferuar për glamping në Evropën Lindore.
Lexoni më shumë nga koleksioni i Radio Bullgarisë:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto:glamping.nest
Ish-Shtëpia-Monument e Partisë Komuniste Bullgare në majën Buzlluxha duhet të ruhet dhe të shndërrohet në një destinacion turistik, i cili do të sjellë përfitime dhe të ardhura për rajonin. Rreth kësaj ideje u bashkuan vizitorët e Festivalit "Open..
Klima e butë, ngjarje kulturore dhe mundësi për të njohur traditat vendase – këto janë vetëm disa nga arsyet pse vjeshta është koha më e përshtatshme për të vizituar Sofjen, raporton portali i njohur italian i udhëtimeve siviaggia.it , i cili së..
Vetëm 37 km nga qyteti i dytë më i madh në Bullgari – Plovdiv , dhe njëqind kilometra në juglindje të Sofjes ndodhet Pazarxhiku piktoresk. Pozicioni i favorshëm gjeografik i qytetit të lashtë është arsyeja se pse rrugët e rëndësishme tregtare..