Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Një jetë mes dy kulturave: Intervistë me z. Ervis Taluri, drejtor ekzekutiv i Dhomës së Biznesit Shqipëri–Bullgari

13
Ervis Taluri
Foto: Arkivi personal i Ervis Taluri

Historia e Ervis Talurit është një udhëtim mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, mes dy kulturave që sot ai i ndjen si pjesë të pandashme të vetes.



Rrugëtimi i tij filloi në një periudhë të trazuar për Shqipërinë. Pas vitit 1997, kur vendi përjetoi kriza të mëdha shoqërore dhe ekonomike, shumë të rinj kërkuan një të ardhme jashtë. “Në një moment në të cilin unë dola jashtë shtetit, e pashë që realiteti në Greqi ishte krejt tjetër dhe dëshiroja të zhvilloja jetën time diku ku të ndihesha më i sigurt,” kujton ai. Një takim rastësor me një mik që studionte në Sofje i hapi një rrugë të re. “E pranova menjëherë idenë që t’i bashkohesha dhe të isha pjesë e grupit. Kam ardhur shumë shpejt, që në vitin 2001. Atëherë kam qenë në moshën 13-14 vjeç dhe këtë udhëtim e shoh si një nga hapat më pozitivë të jetës sime.”



Në Sofje, Taluri u bë pjesë e Seminarit Teologjik, një shkollë e njohur për disiplinën e fortë. “Jeta aty ishte shumë interesante sepse disiplina ka qenë shumë e rreptë dhe kjo na ka formuar karakterin në një mënyrë që nuk do ta kishim menduar më përpara.” Edhe pse integrimi në një qytet të madh nuk ishte i lehtë, mësuesit dhe shokët e ndihmuan që brenda pak muajsh të fliste bullgarisht dhe të ndihej pjesë e komunitetit.



Pas kësaj etape, studimet e çuan drejt Universitetit të Ruses “Angell Kënçev”. Fillimisht e përjetoi si dështim faktin që nuk u pranua në Universitetin e Sofjes, por shumë shpejt kuptoi se Ruse do t’i hapte mundësi të reja. “Pavarësisht se Universiteti i Ruses ishte më i vogël, aty mu dhanë shumë mundësi. Gjatë javës së parë u njoha me një student që më propozoi të isha pjesë e Qeverisë Studentore të universitetit. Përgjigja ime, që ishte po, më futi në një rrugë e cila më dha shumë mundësi.”


Pas përvojës së tij në Universitetin e Ruses dhe stazheve ndërkombëtare, rruga profesionale e Ervis Talurit e çoi drejt projekteve konkrete në Shqipëri. Ai tregon: “Gjatë kohës së studimeve, duke qenë se isha shumë aktiv në jetën studentore të universitetit, më dhanë mundësi të kandidoja për stazhe të ndryshme në firma që merreshin me projekte ndërkombëtare. Arrita t’i mbyllja me sukses këto stazhe dhe në momentin kur mbarova studimet, menjëherë mu ofrua një vend pune me një projekt në Tiranë.”



Megjithëse pozicioni ishte një realizim i ëndrrës së tij, sfidat nuk munguan. “Në atë moment unë u përballa dhe duhej të menaxhoja persona të cilët kishin punuar në atë industri, por kishim një dallim moshe prej 15–20 vjeçare dhe unë duhej të isha menaxheri i tyre. Duhej të zgjidhja problemet e tyre, por besimi i shefit dhe vetëbesimi që kisha, më lejuan që të realizonim me sukses këtë projekt.” Kjo përvojë e hershme në menaxhim, sipas tij, i dha aftësitë dhe vetëbesimin që do t’i duheshin më vonë në nisma të tjera.



Pas rikthimit në Sofje për të ndjekur doktoraturën, Taluri kuptoi se donte të angazhohej edhe për të ndërtuar ura mes dy vendeve. Bashkë me disa kolegë të tjerë, ai themeloi Shoqatën për Miqësi Bullgaro–Shqiptare. “Themelimin e shoqatës e shoh si diçka shumë pozitive, e cila mori pjesë në disa procese, si njohja e pakicës bullgare në Shqipëri, asfaltimi i rrugës Bilisht–Vernik, dhe ardhja e mbi 1 mijë studentëve për studime në Bullgari.”



Shoqata nuk ishte thjesht një forum shoqëror, por një platformë për veprime konkrete dhe për të lehtësuar kontaktet mes njerëzve të thjeshtë, përtej biznesit dhe politikës. Taluri thotë se ndikimi i saj ka qenë i dukshëm. Një forum i tillë ka rëndësi për afrimin mes njerëzve, për të krijuar mundësi dhe për të mbështetur zhvillimin e arsimit dhe kulturës.



Pas këtyre përvojave sociale, ai ndërmori një sfidë krejt të re – biznesin. Gjatë pandemisë, së bashku me një mik të ngushtë, sollën në Bullgari një produkt të veçantë: momot tibetiane. “Ideja lindi një mbrëmje kur një shok im ishte kthyer nga studimet në Azinë e Largët dhe gruaja e tij kishte gatuar diçka tradicionale nga kultura e tyre. Duke qënë se ajo është rritur në Tibet, kishte gatuar gyoza edhe momo. Na pëlqeu shumë mënyra se si ushqimi ishte edhe i shëndetshëm edhe i shijshëm dhe vendosëm që këtë gjë ta fusnim në tregun bullgar.” Dy vitet e para për "Momo Fusion Dumplings" ishin shumë të suksesshme, por si çdo biznes, u përballën edhe me sfida strategjike, nga të cilat mësuan dhe rritën përvojën.



Prej një viti, Taluri ka marrë edhe një tjetër përgjegjësi të madhe – drejtimin e Dhomës së Biznesit Shqipëri–Bullgari. Ai tregon se ideja lindi nga kërkesa e vazhdueshme e kompanive për të hapur ura me Shqipërinë: “Duke qenë se gjatë këtyre viteve kam konsultuar disa herë firma që kanë dashur të hyjnë në tregun shqiptar, pothuajse çdo vit kjo kërkesë është shtuar. U takova gjithashtu me kolegët që vunë re të njëjtën tendencë, patëm edhe përkrahjen e Ambasadës shqiptare në Sofje dhe vendosëm ta realizonim këtë ide.”

Dhomat e biznesit kanë një rol të qartë: të krijojnë kontakte, të ndërmjetësojnë bashkëpunime dhe të mbështesin zhvillimin ekonomik. Taluri shprehet se puna ka filluar të japë fryte: “Besoj se po, fillimi ishte pak i vështirë, por shpresoj se vjeshta do sjellë ato frytet e veta. Shpresojmë që së shpejti të organizojmë delegacione biznesi ndërmjet organizatës sonë dhe organizatave të tjera në Shqipëri.”



Planet për të ardhmen nuk mungojnë. Ai dhe vëllai i tij kanë nisur një iniciativë për të përfaqësuar një firmë që prodhon biokozmetike në Shqipëri. Paralelisht, ideja është që Dhoma e Biznesit të zgjerojë veprimtarinë edhe në qytete të tjera si Plovdivi, duke forcuar lidhjet rajonale dhe tregtare.

Edhe pse sfidat janë të shumta, Ervis Taluri sheh një mundësi të madhe në kombinimin e përvojave të tij ndërkulturore dhe profesionale. “Rritja ndërmjet dy kulturave është pasuri në rradhë të pare, sepse cfarëdo lloj kulture, e pasuron karakterin e një njeriu. Gjithashtu është privilegj. Jo cdo njeru e ka këtë mundësi dhe ne që e kemi duhet ta shfrytëzojmë. Është është mundësi. Është si të shohësh peizazhe të ndryshme nga dy dritare dhe të kesh mundësi zgjedhjeje. Nëse do të kisha mundësi të kthehesha prapa, do të bëja të njëjtat zgjedhje.”



Rruga e Talurit tregon se të qenit shqiptar në Bullgari nuk është thjesht një histori personale, por një mundësi për të krijuar ura miqësie, për të kontribuar në shoqëri dhe për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme midis dy vendeve.

Mund të dëgjoni intervistën e plotë këtu:


Shihni më shumë nga Arkivi i Radio Bullgarisë:

Foto: Arkivi personal i Ervis Taluri



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

 Ethan Schaber

Amerikani Ethan Schaber, për të cilin Bullgaria është "vendi i tij"

Ai është Ethan Schaber – një njeri i ri, i arsimuar, i gëzuar, i cili u bë i njohur muajt e fundit në rrjetet sociale edhe si Fshatari Dion. Unë jam amerikan. Erdha në Bullgari në vitin 2018 me pushime. U njoha me gruan time dhe tashmë jetojmë..

botuar më 25-09-11 7.00.PD
Erika Perales

Argjentinasja Erika Perales, në venat e së cilës rrjedh gjak bullgar

Erika Perales erdhi nga Argjentina e largët dhe arriti të pushtojë zemrat e pjesëmarrësve në Festivalin e Parë të Ansambleve Folklorike Bullgare jashtë vendit. Gjatë ngjarjes në Veliko Tërnovo, ajo interpretoi në një mënyrë të papërsëritshme një nga..

botuar më 25-09-08 7.15.PD
Devorina Gamallova

Devorina Gamallova dhe teoria e saj optimiste për njerëzimin

Një soliste e suksesshme dhe pedagoge e njohur, violinistja bullgare Devorina Gamallova jeton më shumë se tre dekada në Londër. Është lindur në Gabrovo, në familjen e një bullgari dhe të një gjermaneje nga Dresdeni. Studion në Ruse dhe në Akademinë..

botuar më 25-09-03 7.00.PD