Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Shkolla "Çuçuliga" në Londër synon përmes mësimeve të lidhë fëmijët me Bullgarinë

Interesi ndaj shkollës bullgare në lagjen Croydon po rritet për shkak të cilësisë së mësimit dhe numrit gjithnjë në rritje të bullgarëve në Mbretërinë e Bashkuar.

Foto: Shkolla Bullgare 'Çuçuliga' në Londër

Gjatë disa dekadave të fundit, komuniteti bullgar në Mbretërinë e Bashkuar është rritur ndjeshëm, dhe bashkë me këtë edhe nevoja për ruajtjen e gjuhës amtare dhe të identitetit kulturor. Një rol të rëndësishëm në këtë proces luajnë shkollat bullgare, të cilat u ndihmojnë prindërve të përcjellin lidhjen me Bullgarinë te brezat e ardhshëm.

Shkolla bullgare "Çuçuliga" ka lindur në lagjen londineze Croydon nëntë vjet më parë, kur në bankat shkollore u ulën vetëm 16 fëmijë. Sot nxënësit e saj e tejkalojnë numrin 200, dhe për shkak të shembullit pozitiv dhe rezultateve të shkëlqyera, institucioni arsimor hapi edhe tre filiale të tjera në Anglinë Jugore dhe Juglindore.



"Lëndët mësimore janë katër – gjuha bullgare, letërsia, historia dhe gjeografia e Bullgarisë, pasi i tillë është kërkimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës – rrëfen Valentin Kozhuharov, administrator dhe mësues i gjuhës dhe letërsisë bullgare në shkollë. – Krahas disiplinave të detyrueshme, ne japim gjithashtu njohuri për atdheun dhe lëndën njeriu dhe shoqëria. Njëkohësisht ofrojmë gjuhën angleze për fëmijët ose prindërit e tyre që kanë vështirësi me këtë gjuhë, si edhe bullgarishten për ata që ende nuk mund ta flasin dhe kanë nevojë për mësim para se të hyjnë në grupin parashkollor, në klasën e parë e kështu me radhë."

Niveli i zotërimit të gjuhës bullgare nga nxënësit varet në masë të madhe nga prindërit e tyre. Ndikim ka se në çfarë gjuhe flitet në familje, nëse është e pranishme edhe një gjuhë e tretë, më së shpeshti turqishtja, si edhe nëse fëmijët janë lindur në Bullgari ose në Mbretërinë e Bashkuar.



"Pavarësisht nga niveli i zotërimit të gjuhës, ne gjithmonë përpiqemi t’i mësojmë nxënësit të flasin dhe të shkruajnë drejt në bullgarisht – shton Valentin Kozhuharov. – Për disa prej tyre procesi është më i shkurtër, për të tjerë – më i gjatë. Sa më shumë megjithatë fëmijët të flasin në shtëpi në bullgarisht dhe të mësojnë për hollësitë e gjuhës sonë nga njerëzit më të afërt, aq më me sukses përparojnë ata në zotërimin e saj, dhe përmes saj edhe të kulturës bullgare. Për fat të keq, jo pak prindër janë të angazhuar si të shtunën, ashtu edhe të dielën dhe nuk kanë mundësi të ndajnë më shumë kohë për bisedë. Dhe meqenëse fëmija që nga mosha parashkollore flet vetëm anglisht, në shtëpi komunikohet në këtë gjuhë, sepse është më e lehtë. Familjeve të tilla unë u them: "Flisni me fëmijën në gjuhën bullgare!" Sigurisht, shumica e prindërve përdorin pikërisht gjuhën amtare."

Gjërat e para që mësojnë nxënësit në shkollën e së dielës janë shkrimi bullgar dhe trashëgimia e tij shumë shekullore.



"Pikërisht përmes tyre fëmijët fillojnë të njohin atdheun si diçka që ka rritur prindërit dhe stërgjyshërit tanë, pra gjininë tonë bullgare – vazhdon Valentin Kozhuharov. – Pasi të njihen me gjuhën, ata gradualisht marrin dije edhe për kulturën, zakonet dhe traditat e Bullgarisë, për të kaluarën e saj të lavdishme dhe sfidat e së tashmes. Nuk janë të paktë nxënësit, të cilët me interes të madh lexojnë për betejat dhe pushtimet e popullit tonë, si në aspektin gjeografik, ashtu edhe në atë kulturor dhe shpirtëror. Kështu ata kuptojnë se nuk janë shumë shtetet me histori të lashtë dhe të lavdishme si ajo e Bullgarisë."

Mësuesi pranon se është e vështirë të krijohet një ide e besueshme për diçka që nuk mund ta shohim drejtpërdrejt ose ta përjetojmë. Megjithatë mësuesit arrijnë ta paraqesin atdheun në një mënyrë të tillë, që përmes tregimeve të tyre fëmijët gjithnjë e më shumë të dashurohen me Bullgarinë, e pse jo një ditë të dëshirojnë të kthehen. Ndihmës në këtë proces janë filmat mësimorë të botuesve bullgarë dhe platformat online, që zbulojnë bukurinë e vendit tonë, si edhe festimet e festave si Bashkimi, Dita e Pavarësisë, Dita e Alfabetit Bullgar, arsimit dhe kulturës.



Shkolla bullgare "Çuçuliga" tashmë po përgatitet për vitin e ri shkollor, fillimi i të cilit do të jepet pak pas 15 shtatorit. Regjistrimi i nxënësve fillon që në janar, ndërsa gjatë pushimit përpjekjet drejtohen drejt sigurimit të librave mësimorë për numrin gjithnjë në rritje të fëmijëve në Croydon dhe tre degët në Caterham, Tunbridge Wells dhe Maidstone.



"Çdo vit gjatë verës ndodh që, kur mësuesit janë në Bullgari, të transportojnë libra, fletore, tekste, ndihmëse mësimore – thotë në përfundim Valentin Kozhuharov. – Veçmas sigurojmë nga shkollat vendase materiale të tjera për fëmijët tanë. Ndonjëherë edhe prindërit na ndihmojnë, kur janë në Bullgari, me librat mësimorë dhe gjithçka tjetër që është e nevojshme. Kështu ia dalim çdo vit shkollor dhe deri në fillim të shtatorit jemi tashmë gati."


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: Shkolla Bullgare "Çuçuliga" në Londër



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

U miratuan fondet për veprimtarinë e shoqatave bullgare jashtë vendit gjatë vitit 2025

Qeveria miratoi një program të ri për mbështetjen e organizatave të komuniteteve bullgare në Shqipëri, Serbi, Kosovë, Ukrainë dhe Moldavi, si dhe të qytetarëve nga Maqedonia e Veriut me vetëdije bullgare, për periudhën 15 tetor 2025 – 31 dhjetor 2029,..

botuar më 25-10-30 8.28.PD

Kanë kaluar tashmë 200 vjet që bullgarët e Besarabisë dhe të Tavrisë mallëngjehen për atdheun e tyre të lashtë

Në fillim të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, bullgarët e Besarabisë në të gjitha vendet e tyre e pritën festën e tyre me lutje për paqe. Gati katër vjet më vonë, të mbushur me edhe më shumë dhimbje, ata e përkujtojnë ditën e tyre të veçantë, të..

botuar më 25-10-29 1.00.MD

Nxënësit bullgarë fituan katër medalje në Olimpiadën Ndërkombëtare të Astronomisë dhe Astrofizikës në Rumani

Ekipi bullgar u kthye me katër medalje nga Olimpiada Ndërkombëtare Rinore e Astronomisë dhe Astrofizikës, e cila u zhvillua në qytetin rumun Pjatra Njamc, njoftoi qendra e shtypit e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Në garë morën pjesë 108..

botuar më 25-10-27 5.54.MD