Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Rendimente më të ulëta të rrushit, por interes në rritje ndaj sektorit të verës në Bullgari

Foto: BGNES

Në mesin e muajit shtator, si çdo vit, festa e madhe e krishterë Lartësimi i Kryqit të Shenjtë të Zotit, që bie më 14 shtator, shënon fillimin e një prej proceseve më të rëndësishme në bujqësi – fushatës së vjeljes së rrushit. Viti 2025 nuk bën përjashtim, por për shkak të disa faktorëve, rendimenti i sivjetshëm pritet të jetë më i dobët krahasuar me vitet e mëparshme. Megjithatë, interesi për investime në sektorin e vreshtarisë dhe verarisë në Bullgari po rritet me shpejtësi – si nga investitorë vendas, ashtu edhe nga shumë të huaj.

Thatësira, por jo vetëm ajo, është shkaku i rendimenteve më të ulëta, tha para Radio Bullgarisë inxhinieri Krasimir Koev, drejtor i Agjencisë Ekzekutive për Vreshtarinë dhe Verën.

Krasimir Koev

“Situata është e tillë – çfarë ndodh tek ne, ndodh edhe në Evropën e Vjetër, në vendet kryesore prodhuese të verës dhe rrushit – Francë, Itali, Portugali, Gjermani. Të gjitha këto vende po vuajnë të njëjtin problem si ne – thatësinë. Patëm gjithashtu shumë dëme nga ngricat në fund të prillit. Për këtë arsye, këtë vit e konsiderojmë “vit zero” për disa parcela, sepse ato ngrica nuk i lejuan hardhitë të zhvillohen dhe të japin fryt. Një tjetër shkak që uli ndjeshëm rendimentin, krahasuar me një vit normal, ishin breshëritë që ranë në shumë zona të vendit.”

Ndryshe nga viti 2024, kur pati mjaft reshje të rrëmbyeshme që çuan në shfaqjen e sëmundjeve në vreshta, këtë vit moti është i thatë, gjë që ndikon drejtpërdrejt në sasinë më të vogël të frutave dhe, për rrjedhojë, në lëndën e parë që përftohet prej tyre.

“Këtë vit, për shkak të mungesës së reshjeve, rrushi u ruajt nga sëmundjet. E keqja është se kokrrat u bënë më të vogla dhe me më pak lëng - shpjegon inxhinier Koev. – Në një vit normal, nga 1 kilogram rrush, rendimenti është rreth 60%, pra 600 mililitra lëng. Ndërsa tani, është madje nën 50%. Rendimentet e rrushit në vitin 2025 do të jenë më të ulëta se në vitet e mëparshme — në aspekt sasior. Por për nga cilësia, mund të them me bindje se rrushi ka tregues shumë të mirë.”

Një fakt i pamohueshëm është se imazhi i Bullgarisë si destinacion i verës dhe i vreshtarisë mbetet ende i gjallë, thekson drejtori i Agjencisë Ekzekutive për Vreshtarinë dhe Verën. Si dëshmi për këtë, ai sjell statistika sipas të cilave, nga 363 kantina vere që veprojnë në vend, 128 janë në pronësi të të huajve, përfshirë kontë francezë, kompani të mëdha perëndimore, si dhe shtetas nga Italia, Spanja e të tjerë. Arsyet kryesore për këtë interes janë kushtet e mira klimatike dhe tokësore për kultivimin e vreshtave, çmimi i ulët i tokës dhe subvencionet e favorshme për mbjelljen e sipërfaqeve të reja, që mbulojnë deri në 80% të vlerës së investimit.

"Në përgjithësi, çdo vit kemi rritje të numrit të ndërmarrjeve të reja verëtare, si dhe të sipërfaqeve ku hiqen hardhitë e vjetra, të cilat nuk janë konkurruese, dhe mbillen të reja. Midis 10 dhe 12 mijë hektarë çdo vit përfshihen në programet për ristrukturim dhe konvertim” - theksoi inxhinieri Krasimir Koev.

Aktualisht, edhe 11 kantina verë janë në proces ndërtimi, të cilat pritet të përfundojnë deri në vitin 2026. Për më tepër, të huajt mbeten të impresionuar nga pastërtia e tokës sonë, që e konstatojnë përmes analizave krahasuese.

Megjithatë, eksporti i përgjithshëm i verës po zvogëlohet me kalimin e viteve, ku pikëkthimi ishte pandemia e COVID-19. Në atë periudhë humbëm tregun kinez, ku shisnim sasi të konsiderueshme, ndërsa për shkak të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, humbëm edhe dy tregjet që tradicionalisht vlerësojnë cilësinë e verës bullgare. Megjithatë, prodhimi vendas mbetet dominues në tregun e brendshëm – rreth 85% e shitjeve nga 110 milionë litra në vit janë prodhim bullgar. Eksporti ynë drejt Afrikës gjithashtu po rritet – vera bullgare arrin në 15 vende si Egjipti, Algjeria, Kongo dhe të tjera.

Dhe më shumë – pavarësisht nga vjelja e dobët e rrushit, është pak e mundur që çmimet e verës dhe pijeve të tjera alkoolike të rriten për shkak të konkurrencës nga vende që nuk janë prekur nga kushtet e pafavorshme klimatike, siç është Australia, parashikon inxhinieri Krasimir Koev.

Lexoni më shumë nga koleksioni i Radio Bullgarisë:


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: BTA, BGNES




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Bullgaria dhe Shqipëria drejt një kapitulli të ri ekonomik

Në Sofje, më 30 tetor 2025, u zhvillua Takimi Ekonomik për Investime Shqipëri–Bullgari, një iniciativë e përbashkët e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Sofje dhe Dhomës Bullgaro-Shqiptare të Biznesit. Ngjarja, e mbajtur në ambientet e Hotel..

botuar më 25-10-31 3.55.MD

Euroja nuk do të ndryshojë çmimet e pasurive të paluajtshme pas 1 janarit 2026

Tregu i pasurive të paluajtshme në Bullgari ka qenë në eurozonë për një kohë të gjatë. Çmimet nuk do të pësojnë ndryshime të rëndësishme pas futjes së monedhës së përbashkët. Kjo u tha nga financieri Levon Hamparcumjan në Konferencën e 11-të Kombëtare..

botuar më 25-10-31 11.28.PD

Rritja ekonomike e pritur për vitin 2025 do të jetë 3%, borxhi i vendit po rritet gjithashtu

Ekonomia e Bullgarisë do të rritet me 3 për qind këtë vit. Në vitin 2026, shkalla e rritjes do të ngadalësohet në 2.7 për qind, parashikon Ministria e Financave në Parashikimin e saj Makroekonomik të Vjeshtës. Analiza është ngarkuar në faqen e..

botuar më 25-10-31 9.33.PD