Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Përtej reve – shkëmbinj dhe balona sërish në një kërcim magjik mbi Bellogradçikun

Foto: new.adventure-bg.com

Bellogradçiku dhe shkëmbinjtë e tij të famshëm botërisht janë sërish skena e një spektakli magjik. Për pesë fundjava radhazi – nga 19 shtatori deri më 19 tetor – qyteti është mikpritës i edicionit të pestë të Festivalit të Balonave. Pritet që mbi 5 mijë turistë të vizitojnë këtë ngjarje unike, e cila e shndërron një nga fenomenet natyrore më fotogjenike në një paletë të gjallë ngjyrash dhe emocionesh. Organizatorët premtojnë një përjetim të paharrueshëm, ku magjia e fluturimit bashkohet me energjinë e lashtë të shkëmbinjve. Me këtë rast, Belogradçiku fton mysafirë nga mbarë bota të shohin qytetin dhe rrethinat nga perspektiva më mbresëlënëse e mundshme – përtej reve. Evtim Stefanov nga Qendra Aventuriere e Bellogradçikut, organizator i festivalit, thekson veçantinë e këtij vendi:

“Ne organizojmë një festival me pak balona, por në një vend që është shumë herë më i bukur se vendet e zakonshme, ku thjesht mblidhen për të fluturuar me balona. Territori ynë është shkëmbor, kemi pyje, kemi peizazhin më të bukur që mund të imagjinojë dikush për fluturim me balonë. Fluturimi mbi shkëmbinjtë lë një ndjesi të thellë të diçkaje të jashtëzakonshme, afër këtyre shkëmbinjve me energji të pabesueshme, të cilët, veçanërisht kur ndriçohen nga dielli, japin një gëzim jetësor të papërshkrueshëm dhe lënë përshtypje të mrekullueshme te njerëzit që fluturojnë mbi ta.”

Fluturimet realizohen herët në mëngjes ose para perëndimit të diellit, dhe itinerari përcaktohet nga shpejtësia e erës. Pilotët mund të kontrollojnë lartësinë e balonës për të përfituar nga rrymat e ndryshme ajrore dhe në këtë mënyrë të drejtojnë drejtimin e fluturimit. Në ngjarje janë të ftuar pilotë nga vende të ndryshme evropiane. Evtim Stefanov shton:

“Ky është viti i pestë radhazi që organizojmë këtë festival dhe me këtë rast, për pesë fundjava me radhë do të kemi një festë të balonave, ku do të fluturojnë të paktën pesë balona nga vende të ndryshme. Kemi pjesëmarrës nga Spanja, nga Anglia, do të ketë një pilot që do të vijë për të fluturuar nga Sllovenia, do të vijnë pilotë nga Rumania dhe Polonia. Dhe njerëzit do të kenë mundësi të përfshihen si në fluturimet 60-minutëshe mbi shkëmbinj, ashtu edhe në ato më të shkurtra prej 30 minutash, që është një risi për këtë vit. Dhe sigurisht, çdo mbrëmje, kur era na lejon, do të kemi ngritje panoramike mbi shkëmbinjtë, mbi livadhin e festivalit, ku në të njëjtën kohë do të ketë koncert nga ndonjë grup muzikor dhe argëtime të ndryshme, përfshirë lojëra me balona të vogla të fryra me ajër.”

Pasi të shijoni pamjet nga lart, është e domosdoshme të njihni më nga afër bukuritë tokësore të rajonit. Kalaja e Bellogradçikut, shpellat “Magurata” dhe “Veneca”, Kisha e Kuqe “Shën Trinia” janë ndër destinacionet më të vizituara në zonë, ku natyra dhe historia shtrëngojnë duart. Organizatorët e festivalit ofrojnë safari me xhip, piknikë, degustime verërash vendase, shëtitje në këmbë mes shkëmbinjve dhe emocione të tjera:

“Thjesht peizazhi vetë dhe shkëmbinjtë këtu janë një ftesë që njerëzit t’i zbulojnë në mënyra të ndryshme. Safari me xhip do t’ju çojë në vende që nuk do ta kishit menduar kurrë se ekzistojnë – ‘Ura shkëmbore’, ‘Shkëmbi i rojes’, ‘Kështjella latine’. Gjatë piknikut, pjesëmarrësit duhet vetë të kërkojnë ushqimin që është fshehur diku përgjatë shtigjeve drejt vendit të radhës. Dhe kështu, duke mbledhur ushqimin gjatë rrugës, në një moment do të dalin përpara një tryeze me mbulesë dhe karrige, ku do të mund të drekojnë ose të darkojnë. Zgjedhin mes tre rrugëve të ndryshme, por gjëja më e bukur është se secila prej tyre përfundon në një vend fantastik mes shkëmbinjve, ku pamja e bën çdo ushqim të duket si më i shijshmi në botë” – përfundoi Evtim Stefanov.

Lexoni më tepër:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto:new.adventure-bg.com, Elena Karkallanova, Facebook/ Adventures in Belogradchik


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Luks antik dhe përjetime moderne – Vila “Armira” e rinovuar bëhet një hit turistik

Në Rodopet Lindore, në vendin ku patrikët romakë pinin verë nën kolona mermeri, sot turistët veshin toga autentike dhe mahniten nga mozaikët origjinalë të shekujve II-III. Vila “Armira” – e vetmja rezidencë aristokratike romake e ruajtur në Ballkan me..

botuar më 25-09-20 9.15.PD

Një dekadë në 18 000 fotografi – Sofja përmes syve të Ivan Shishiev

10 vite dhe 18 000 fotografi të publikuara – ky është bilanci i Ivan Shishiev, i cili lejoi veten të hedhë një vështrim të shkurtër pas në dekadën e kaluar. Vite, në të cilat ai ka fiksuar pa numër momente, fytyra dhe vende simbolike në kryeqytetin..

botuar më 25-09-17 7.00.PD

Në tunelet e kohës – Muzeu nëntokësor i minierës në Pernik

I vetmi në Ballkan, por edhe unik për të gjithë Evropën – ky është Muzeu nëntokësor i minierës në Pernik, që ndodhet vetëm rreth 30 kilometra nga Sofja. Ai është ndërtuar në një minierë funksionale, dikur e njohur si "Minierat e Vjetra". Hapja e saj..

botuar më 25-09-13 10.00.PD