Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

76% e të rinjve në Evropë janë të ekspozuar ndaj dezinformimit – cila është situata në Bullgari

Foto: Pexels

Çështja e informacionit cilësor dhe të saktë ka qenë gjithmonë jashtëzakonisht e rëndësishme, por a mos vallë tashmë jemi përballë një problemi që paraqet rrezik për përhapjen globale të lajmeve të rreme në të ardhmen? Sipas një studimi të Eurobarometrit, i kryer mes të rinjve nga 16 deri në 30 vjeç në Evropë, 76% prej tyre deklarojnë se kanë qenë të ekspozuar ndaj dezinformimit dhe lajmeve të rreme, mësojmë nga agjencia BTA. Në nëntë prej vendeve anëtare, më shumë se gjysma e të rinjve raportojnë se kjo ndodh "shpesh" ose "shumë shpesh". Ndërkohë, 42% e tyre informohen përmes rrjeteve sociale, ku më të prirur për të kërkuar informacion në këtë mënyrë janë ata ndërmjet moshës 16 dhe 18 vjeç, ndërsa më të mëdhenjtë (nga 25 deri në 30 vjeç) ende preferojnë televizionin, radion dhe platformat online të lajmeve.

Cila është situata në Bullgari dhe a ka problem edhe për grupmoshat e tjera?

Sipas Stojço Bosev nga agjencia sociologjike "Alpha Research", prirja për t’u ndikuar nga dezinformimi është e lidhur drejtpërdrejt me moshën.
Stojço Bosev
"Pa dyshim mund të themi se të rinjtë janë të ndjeshëm ndaj dezinformimit, për disa arsye. Nga njëra anë janë burimet e informacionit që ata përdorin, dhe nga ana tjetër – vetë përmbajtja që tërheq vëmendjen e tyre, si dhe mënyra se si është strukturuar."

Aleksei Pamporov nga Instituti i Sociologjisë dhe Filozofisë pranë Akademisë Bullgare të Shkencave (BAN) thotë se problemi me gjetjen e informacionit të besueshëm në Bullgari lidhet me trashëgiminë e regjimit totalitar të mëparshëm, dhe sot rëndohet edhe më shumë nga dezinformimi që shpërndahet në rrjetet sociale.
Aleksej Pamporov
"Atje mund të ketë një prodhim të pakontrolluar të lajmeve, domethënë një vëllim i madh i lajmeve të rreme dhe të pavërteta, gjë që e bën më të lehtë shtrembërimin dhe ndikimin mbi opinionin publik – shpjegon ai në një intervistë për BTA. – Lajmet ripostohen, përsëriten dhe përforcohen. Në Bullgari shihen qartë qarqe mediatike në rrjetet sociale. Ato ndihmojnë njëri-tjetrin dhe mbështeten në audienca të caktuara. Rezultati është se ju ndodheni në të ashtuquajturën 'flluskë', pra rrini aty dhe mendoni se vetëm ajo është e vërteta. Por në Bullgari kemi edhe një tjetër problem të rëndë dhe mendoj se ai do të thellohet më tej me ndryshimet dhe reformat e reja që gjoja po bëhen në arsim. Sistemi ynë arsimor është thellësisht i ideologjizuar pothuajse në të gjitha lëndët! Kjo është trashëgimi e rëndë nga regjimi totalitar, ku ekzistonte vetëm një e vërtetë dhe ajo duhej të riprodhohej, në vend që të inkurajohej të menduarit kritik. Dikush mund të mos e pëlqejë Vazovin, një tjetër – Botevin, por nuk inkurajohet fëmija të shpjegojë çfarë nuk i pëlqen, të ndërtojë argumente dhe të mendojë."

Sot inteligjenca artificiale po depërton gjithnjë e më shumë në hapësirën tonë personale. Por a e përdorin të rinjtë aplikacionet e AI për t’u informuar?

"Inteligjenca artificiale kohët e fundit po përhapet në shkallë globale, ndërsa në Bullgari – me ritme mjaft të përshpejtuara", ndan për BTA Stojço Bosev nga "Alpha Research" dhe shton:
 "AI përdoret shumë shpesh edhe si mjet për informim. Kjo vlen edhe për të rinjtë. 'Alpha Research' publikoi së fundmi një studim, dhe rezultatet tregojnë se pikërisht të rinjtë janë më aktivët në përdorimin e aplikacioneve gjeneruese të AI. Më shpesh bëhet fjalë për ChatGPT, por në Evropë një në tre të rinj përdor aplikacione të tilla, ndërsa në Bullgari janë 13%, gjë që tregon një aktivitet dukshëm më të lartë. Në këtë fazë, sidoqoftë, si të rinjtë ashtu edhe të moshuarit i drejtohen inteligjencës artificiale kryesisht për qëllime personale, dhe jo për punë apo qëllime të lidhura me arsimin."

Sipas 'Alpha Research', të rinjtë në vend shpesh vetëpërcaktohen si "të painformuar" mbi temat socio-politike, por dallimi kryesor në informimin e të rinjve krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre dhjetë vite më parë është në mënyrat e aksesit në informacion, të cilat kanë ndryshuar ndjeshëm.

"Anketa kombëtare tregon se burimet online janë gjithashtu të pranishme, por ende mbeten në plan të dytë – 55% përdorin faqe interneti, ndërsa rreth 40% rrjete sociale. Megjithatë, përditshmëria e të rinjve gjithnjë e më shumë po zhvendoset në mjedisin online dhe kemi të gjitha arsyet të besojmë se ky trend do të vazhdojë, pasi ata të fillojnë të hyjnë në një moshë më të pjekur."

Ndërkohë, Aleksej Pamporov nga Akademia Bullgare e Shkencave paralajmëron për rrezikun e informimit përmes rrjeteve sociale, ku mungesa e kontrollit mbi përmbajtjen rrit më tej mundësinë për përhapjen e dezinformimit.

Përpiloi: Desisllava Shapkarova, bazuar në intervusta nga BTA
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: BTA, Pexels, alpharesearch.bg 


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Docent dr. Natalija Rashkova

Studimet e një shkencëtareje bullgare japin drejtime të reja në etnologji

Kur kontributi në fushën e shkencës kthehet në bazë për studime të mëtejshme të thelluara, kufijtë midis shteteve dhe kontinenteve sikur shkrihen – në kuptimin e drejtpërdrejtë dhe në atë figurativ. Pikërisht kjo ndodhi gjatë konferencës shkencore..

botuar më 25-10-21 8.00.MD
Cvetan Spasov, Smilen Vëllov dhe Dimitër Koparov

Gjithnjë e më shumë bullgarë duan të kthehen në atdhe

Vërehet një tendencë e qëndrueshme për kthimin e bullgarëve nga jashtë, u bë e ditur gjatë forumit “Evropa është me mua”, organizuar nga Autoriteti Menaxhues i Programit “Zhvillimi i burimeve njerëzore” pranë Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale,..

botuar më 25-10-21 3.49.MD
Presidenti Rumen Radev

Mediat publike botërore diskutojnë sfidat bashkëkohore në Sofje

Nuk ka demokraci dhe liri pa liri të fjalës dhe pluralizëm . Këtë e deklaroi Presidenti Rumen Radev në hapjen e Konferencës Vjetore të Shoqatës Ndërkombëtare të Mediave Publike në Sofje. Radioja Kombëtare Bullgare është mikpritëse e forumit për herë..

botuar më 25-10-21 1.55.MD