Në fund të shtatorit, kur kanë mbetur pak më shumë se 3 muaj deri në datën "Rubikon" për financat publike bullgare - 1 janar 2026, kur vendi ynë do të dalë zyrtarisht nga bordi monetar dhe do të adoptojë monedhën e përbashkët evropiane, në Bullgari filloi të flitet për një deficit buxhetor në rritje, një buxhet të parealizueshëm dhe reforma të mundshme tatimore me fokus te buxheti i parë i shtetit në euro.
Dhe ndërsa sipas statistikave zyrtare deri në fillim të qershorit, kur u publikuan raportet e jashtëzakonshme të konvergjencës të Bankës Qendrore Evropiane dhe Komisionit Evropian, shifrat në buxhet ishin mjaft optimiste, shpejt doli që llogaritë në fjalë "nuk dalin", dhe deficiti me shumë gjasa do të kalojë kufirin maksimal prej 3%. Arsyeja kryesore janë shpenzimet publike të fryra dhe, nga ana tjetër, të ardhurat, të cilat, megjithëse në rritje, nuk mund të kompensojnë kërcimin e papritur të shpenzimeve.
Edhe pse Ministria e Financave ende zyrtarisht mban qëndrimin se buxheti për vitin 2025 është i zbatueshëm, duket se Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk mendon kështu. Përfaqësuesit e tij javën e kaluar rekomanduan që tatimi i sheshtë prej 10% mbi të ardhurat të hiqet në favor të një sistemi tatimor progresiv, i cili të marrë më shumë nga personat me të ardhura më të larta, rritje të kontributeve për pension, heqje të kufirit maksimal të të ardhurave të sigurueshme, si dhe shkurtim të shpenzimeve për paga në sektorin publik.
Megjithatë, duke u përballur me shifrat reale - a mund ta zgjidhë vetëm rritja e barrës tatimore rastin e krijuar?
"Fondi Monetar Ndërkombëtar është një menaxher krizash. Ne gjithashtu kishim një program, duke nënshkruar marrëveshje me FMN-në, dhe për një periudhë të caktuar pas vitit 1997, kishim detyrime për të zbatuar udhëzimet e FMN-së. Sigurisht, ne jemi marrë me këto gjëra dhe për një kohë të gjatë nuk kemi pasur asnjë angazhim për të ndjekur udhëzimet e tyre. Qeveria bullgare është aksionare në FMN, përkatësisht, FMN luan rolin e ndihmës për ne,duke e shqyrtuar ekonominë bullgare dhe duke identifikuar rreziqet. Këto nuk janë urdhra, ose gjëra që ne duhet t'i bëjmë domosdoshmërisht, por janë aspekte që ata i shohin si të rrezikshme", komentoi për Radio Bullgarinë financieri dhe bankieri i njohur Levon Hamparcumjan.
Edhe pse të dobishme si rekomandime, udhëzimet në fjalë duhen parë në kontekst.
"Secili prej këtyre rekomandimeve, i nxjerrë jashtë kontekstit, mund të jetë i dobishëm, por mund të jetë edhe i dëmshëm. Për shembull, ne rrisim taksat dhe i derdhim ato në një sistem të pareformuar dhe joefikas të zyrtarëve qeveritarë, institucioneve joefikase etj. Dhe rezultati nuk do të jetë i mirë."
Në fund të fundit, beson Hamparcumjan, zgjidhja qëndron, siç sugjeron edhe FMN-ja, në reformat strukturore, jo në rritjen e tatimeve. "Rritja automatike e shpenzimeve publike sipas formulave të caktuara lidh duart jo vetëm të qeverive aktuale, por edhe të atyre të ardhshme, pa e ditur se si do të zhvilloheshin proceset ekonomike në botë. Këtu duhet të flasim shumë më tepër për efikasitetin e parave publike" – vë në dukje Hamparcumjan.
Rritja e barrës tatimore është një rekomandim në "një drejtim krejtësisht të gabuar", thotë ekonomisti Georgi Vullxhev nga Klubi i Ekspertëve për Ekonomi dhe Politikë:
"Një ndryshim në sistemin tatimor, në vetvete, nuk do t'i zgjidhë problemet aktuale fiskale. Dhe madje po të ketë një ndryshim kaq radikal, ekziston rreziku që këto probleme të përkeqësohen. Në vitet e fundit, problemet e deficitit kanë ardhur tërësisht nga ana e shpenzimeve të buxhetit, jo nga ana e të ardhurave."
Të ardhurat tatimore po rriten gjithashtu me një ritëm të shpejtë - me 15% këtë vit, dhe në përgjithësi me ritmin më të shpejtë në vitet e fundit fiskale, theksoi Vullxhev. E megjithatë, llogaritë nuk dalin - pikërisht për shkak të rritjes së shpejtë të shpenzimeve publike, të cilat nuk synojnë investime, por rritjen e ndjeshme të pagave në fusha të caktuara. Georgi Vullxhev nuk e mbështet propozimin e FMN-së për të hequr kufirin maksimal të të ardhurave të sigurueshme, i cili, sipas fjalëve të tij, paraqet një rrezik të rritjes së ekonomisë në hije.
Në fund të fundit, si Georgi Vullxhev, ashtu edhe Levon Hamparcumjan - ekonomistë me mendime mjaft të ndryshme për disa tema, më së shumti për miratimin e euros, bashkohen rreth tezës se pikërisht rritja e efikasitetit të shpenzimeve publike, dhe jo rritja e tatimeve, duhet të jetë zgjidhja për krizën buxhetore në zhvillim.
Lexoni më shumë:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Foto: BNT, BTA, Ivan Rusllanov - BNR
Me hyrjen në fuqi të euros më 1 janar, Bullgaria do të përfitojë nga stabiliteti, likuiditeti dhe të gjitha avantazhet që ofron monedha e përbashkët evropiane. Kështu u shpreh presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, në një..
Ministria e Inovacionit dhe Rritjes prezantoi hartën e parë interaktive të investimeve në Bullgari . Qëllimi i platformës është t'u ofrojë investitorëve bullgarë dhe të huaj informacion të dobishëm dhe të azhurnuar në një vend dhe ta bëjë më të lehtë..
Rritja e ekonomisë kombëtare në tremujorin e dytë të vitit 2025 u përshpejtua me 3.5% në bazë vjetore. Sipas një analize nga Banka Kombëtare Bullgare - BNB nga numri 3 i "Pasqyrës Ekomomike", faktorët kryesorë për përshpejtimin janë rënia e importeve..
Me hyrjen në fuqi të euros më 1 janar, Bullgaria do të përfitojë nga stabiliteti, likuiditeti dhe të gjitha avantazhet që ofron monedha e përbashkët..