Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Pse drejtuesit e huaj të kamionëve bëhen objekt i korrupsionit në rrugët e Bullgarisë

Foto: BTA

Inspektorati Shtetëror i Transportit është, organi që merret me kontrollin e trafikut të mjeteve të rënda në territorin e vendit dhe që është pjesë e Agjencisë Ekzekutive të Administratës së Transportit (IAAA), pas rastit të fundit, ndoshta më të mediatizuar të korrupsionit në rrugë, kur para koncertit madhështor të yllit britanik Robbie Williams në Sofje, pesë nga gjithsej 22 kamionët me pajisjet për ngjarjen u ndaluan nga punonjës të Inspektoratit në hyrje të Sofjes në autostradën "Trakia", dhe drejtuesve të tre prej tyre iu kërkua ryshfet. Njëri nga shoferët pagoi 300 euro, ndërsa të tjerët nga 200 leva secili. Më pas u bë një kallëzim për shkeljen dhe rasti u bë i njohur disa ditë më vonë, pas një iniciative nga ambasada britanike në Bullgari. Organet shtetërore reaguan dhe dy punonjësit e përfshirë u arrestuan për 72 orë dhe u pushuan nga puna.

A është korrupsioni në rrugët e vendit tonë një dukuri kronike, dhe kush është më i prekuri prej tij? – Për një opinion, Radio Bullgaria iu drejtua Hristo Radkovit, kryetar i Bashkimit Bullgar të Shoferëve dhe gjithashtu një drejtues me përvojë i automjeteve të rënda.
Hristo Radkov
Sipas tij, Bullgaria është vendi me kontrollin më të rreptë mbi trafikun e rëndë, por me rezultatet më të dobëta. Si zbulohen shkeljet? “Kur ndalohet për kontroll një mjet mbi 3.5 ton, i cili duhet të jetë i pajisur me tahograf për kalimin e kufijve evropianë, ka dy mënyra për kontroll: e para është kontrolli i dokumenteve të shoferit, dhe e dyta është kontrolli i tahografit duke shkarkuar kartën dhe verifikuar në një pajisje që ndodhet në furgonët e administratës automobilistike, ose duke afruar një pajisje të tyre pranë tahografit, përmes së cilës lexojnë informacionin. Por në të dyja rastet, në pajisjen e tyre, ashtu si edhe në tahograf, regjistrohen data dhe ora e kontrollit të kryer. Nëse ka tejkalim të ditës së punës, të orëve të drejtimit ose ndonjë shkelje tjetër që duhet të sanksionohet, ekrani ndizet në të kuqe dhe ky informacion regjistrohet dhe i nënshtrohet kontrollit të mëvonshëm”, shpjegon Hristo Radkov.

Sipas tij, më së shumti ndalohen drejtuesit e huaj të automjeteve, sepse drejtuesit bullgarë detyrohen të dorëzojnë çdo vit dokumentacion të gjithanshëm, ndërsa ata nga shtetet e tjera kontrollohen vetëm dhe ekskluzivisht gjatë rrugës. Kjo krijon terren për korrupsion.

„Kryesisht ndalohen shoferët e huaj, sepse drejtuesi i çdo kompanie transporti në Bullgari thirret nga Inspektorati i Transportit. Çdo kamion me regjistrim turk, por jo vetëm, që transporton mallra drejt Evropës Perëndimore, në momentin që ndalet 50 km pas kalimit të kufirit, është tashmë në shkelje. Vetë pritja në kufi zgjat 24 orë. Gjatë kësaj kohe, ai person nuk ka pushuar, ndërkohë që duhet të ketë minimumi 9 orë pushim në ditë, gjatë të cilave kamioni nuk duhet të lëvizë fare. Por duke qenë në radhë, ai e ka lëvizur kamionin, ka tejkaluar orarin e punës dhe më pas, kushdo që ta ndalojë – ai është në shkelje që në metrin e parë pasi ka hyrë në Bullgari. Ne vetë kemi krijuar kushtet për një ‘burim ryshfeti’. Nuk mund ta shmangësh, nuk ka rrugë tjetër – duhet të biesh në kurth", përshkroi situatën jo të këndshme Radkov.

Njëfarë “ngushëllimi”, nëse mund të quhet kështu, është se praktika të tilla janë të përhapura jo vetëm në Bullgari.

„Kjo praktikë nuk është vetëm në Bullgari. Kontrolli i kamionëve të rëndë bëhet ndryshe në vende të ndryshme. Një nga shembujt më të mirë është Gjermania, ku ai realizohet nga kompani private, të cilat punojnë për veten e tyre, dhe gjobat shkojnë për to. Në gjithë Evropën, përveç këtyre institucioneve, kontrollin e kryen edhe policia. Por sa më shumë të afrohemi drejt Lindjes, aq më shumë intensifikohen praktikat që dikush të të ndalojë diku me një shkop ndalese, gjë që ndodh nga Hungaria e tutje. Në bisedë arrihet në atë pikë sa të thotë dikush se i duhen para për supë, për kafe, për cigare… Në çdo mënyrë të nxisin që të japësh para, që të mbyllet kontrolli – i cili ndoshta, por jo domosdoshmërisht, do të përfundojë me ndonjë gjobë."

Radio Bullgaria kërkoi me ngulm një qëndrim edhe nga përfaqësues të Agjencisë Ekzekutive të Administratës së Transportit, por, qoftë për shkak të spekulimeve politike për të ardhmen e tyre, qoftë për arsye të tjera, nuk morëm përgjigje ndaj ftesës për intervistë.

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: BTA, BGNES, stolica.bg, Ivan Gergov



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Hulumtimi i INSAIT mbi krijimin e sistemeve të IA-së nderohet në një forum global

Një studim nga INSAIT (Instituti për Shkencën Kompjuterike, Inteligjencën Artificiale dhe Teknologjinë) në Universitetin e Sofjes “Shën Klimenti i Ohrit” u nderua si një artikull kryesor në një nga ngjarjet më prestigjioze në botën e inteligjencës..

botuar më 25-10-08 2.54.MD

Njohje e madhe për të rinjtë në shkencat kompjuterike përmes çmimit presidencial "John Atanasoff"

Dymbëdhjetë mendje të bukura të reja të Bullgarisë u nderuan nga Presidenti Rumen Radev në një ceremoni të veçantë, ku u ndanë çmimet vjetore "John Atanasoff". Eventi u zhvillua dy ditë pas ditëlindjes së shpikësit të shquar me origjinë bullgare..

botuar më 25-10-08 7.10.PD

Dhoma e Arkitektëve: Ndërtimi i pakontrolluar dhe mosveprimi institucional janë shkaku i përmbytjeve

Përmbytjet e radhës në bregdetin e Detit të Zi janë rezultat i ndërtimit të pakontrolluar, mjedisit natyror të shkatërruar dhe mosveprimit institucional, thuhet në një deklaratë nga Dhoma e Arkitektëve në Bullgari. Sipas organizatës profesionale,..

botuar më 25-10-07 4.40.MD