Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Yll i muzikalit në Evropë, Aleksandra-Joana Aleksandrova, debuton edhe në atdhe

“Në Bullgari ka kaq shumë thesare, dhe në Operën e Sofjes punojnë artistë fenomenalë”, thotë solistja e Teatrit Shtetëror në Linc

8
Aleksandra-Joana Aleksandrova
Foto: alexandra-yoana-alexandrova.de

Aleksandra-Joana Aleksandrova – aktore, këngëtare dhe modele me pamje mbresëlënëse, talent muzikor dhe prani të fortë skenike, ishte në Sofje në fund të korrikut dhe fillim të gushtit për të interpretuar rolin e Kozetës në muzikalin e njohur “Të mjerët” në kuadër të festivalit “Opera në shesh”. Aleksandra ka lindur rreth tridhjetë vjet më parë në Sofje, në familjen e primadonas së operës Elena Stojanova dhe artistit të baletit Aleksandër Aleksandrov. Prindërit e saj kanë qenë solistë kryesorë të Operës dhe Baletit të Sofjes, kur në vitet ’90 të shekullit XX ata largohen nga Bullgaria. Aleksandra-Joana është rritur në Gjermani, jeton në Austri dhe luan në teatro prestigjiozë evropianë. Ka përfunduar gjimnazin danez, ka master në teatër, film dhe shkenca mediatike, ndërsa në Vjenë ka studiuar edhe regji. 



Paraqitjet e suksesshme të bullgares së re përfshijnë këngë, muzikal, teatër, vallëzim, dublim, dramaturgji, shkrim këngësh dhe fotografi/video. Punon si modele dhe aktore në kinema, televizion dhe industrinë e reklamës. Vjeshtën e kaluar, në një ceremoni në Berlin, bullgarja u nderua me Çmimin e Teatrit Muzikor Gjerman Deutsche Musical Theater Preis (ekuivalenti gjerman i çmimeve Tony në SHBA) për vitin 2024 në kategorinë “Aktorja më e mirë në rol kryesor” (Beste Darstellerin in einer Hauptrolle). Së fundmi ishte e nominuar edhe për çmimin prestigjioz austriak të teatrit muzikor Österreichischer Musiktheater Preis bashkë me yje të operës si Lisette Oropesa dhe Katherine Broderick.



Epo, më 17 shtator çmimi për rolin kryesor femëror shkoi tek e shkëlqyera Liset Oropesa – amerikane me rrënjë kubane, e cila këndon në teatrot më të mëdha botërore, por ndërkohë çmimi për prodhim muzikali iu dha Teatrit Shtetëror në Linc për “Shkolla e rokut” (School of Rock) nga Endru Llojd Ueber – prodhim në të cilin Aleksandra-Joana luan rolin kryesor.



Pavarësisht përvojës mbresëlënëse skenike, për bullgaren pjesëmarrja në inskenimin sofian të “Të mjerëve” ishte më shumë se emocionuese – jo vetëm debutim bullgar, por edhe debutim në muzikalin botërisht të njohur të producentit legjendar Cameron Mackintosh. 



Ka luajtur në skena të hapura jo një herë, por në Sofje pati mundësinë e pabesueshme të këndonte përpara monumentit-kishë “Shën Aleksandër Nevski”: “Në njëfarë mënyre, ai ishte pjesë indirekte e skenografisë sonë dhe meqë unë jam një e krishterë besimtare, për mua ishte diçka vërtet shumë, shumë e veçantë që debutimi im të ishte pikërisht përpara kësaj kishe… 



Shumë yje të mëdhenj në gjithë botën e muzikalit janë refuzuar – pikërisht për ‘Të mjerët’. Unë dola në audicion për dy role – si Eponinë dhe si Kozetë. U miratova për të dyja, gjë që për mua ishte një dhuratë e tillë që kurrë në jetën time nuk do ta harroj.” 



Përmendim edhe dirigjentin e shfaqjes – të njohurin specialist të Wagnerit, Konstantin Trinks.

“Vërtet ishte kënaqësi të punoja me të dhe i thashë që ai gjest që ai ka, është një kënaqësi e tillë për një artist në skenë! Sepse në muzikal ne nuk duhet ta shikojmë dirigjentin drejtpërdrejt. Kjo duhet të jetë shumë fshehtë dhe shumë e maskuar. Dhe jo të qëndrojmë, siç shpesh ndodh në operë: qëndrohet, këndohet aria, komunikohet drejtpërdrejt me dirigjentin dhe, për fat të keq, shpesh vetë roli (edhe për disa sekonda) zhduket pak – sepse bëhet muzikë me dirigjentin. Në muzikal kjo është krejtësisht e ndaluar. Dhe ky gjest i madh, kjo mundësi të mbështetesh vërtet njëqind për qind tek ai, t’i kesh besim… Për mua ishte madje kënaqësi kur shikoja një prove. Ai sikur fluturonte si një mjellmë! Thjesht gjithçka që bën, gjithë trupi i tij është muzikë! 



Aleksandra është e lumtur, sepse është njohur me artistë bullgarë si Vllado Mihajllov, Orlin Pavllov, Atanas Srebrev, Vesella Dellçeva: “Thjesht ata vërtet kanë mbetur ende njerëz në vetvete. Nuk janë vetëm makina, apo yje të fryrë… Me ta më ishte kaq e lehtë të punoja në një shtet të ri, në një gjuhë të re! Sepse në bullgarisht deri tani nuk kam kënduar dhe as luajtur. Dhe përveç që si njerëz janë të mrekullueshëm, ata janë absolutisht artistë fenomenalë! Po, gjithmonë me një buzëqeshje të madhe do ta kujtoj këtë verë!”



Ajo e konsideron veten qytetare të botës, por thekson identitetin e saj bullgar. Emri i saj – Aleksandra-Joana Aleksandrova, është mjaft specifik, por ajo mban shumë tek ai, sepse ia kanë dhënë prindërit që i do shumë. “Publiku dhe fansat e mi më pëlqejnë për shkak të zërit, i cili më është dhënë nga prindërit e mi, dhe ata janë bullgarë. Të gjithë e dimë që në vendet ballkanike lindin disa nga zërat më të bukur dhe më të mëdhenj. Jashtë vendit nuk ka tjetër me një emër të tillë. Kështu që jam krenare dhe e lumtur që e kam dhe e ruaj…”



Në gusht Aleksandra bëri në Bullgari debutimin e saj të tretë – për herë të parë udhëhoqi një klasë mjeshtërore për mjeshtëri vokale dhe aktoriale për muzikal në kuadër të një festivali veror ndërkombëtar, i cili është koproduksion me institucione austriake dhe zhvillohet prej 20 vjetësh në Shkollën Kombëtare për Arte Folklorike në Shiroka Llëka.



“E adhuroj këngën popullore bullgare dhe megjithëse guxoj të them që jam këngëtare mjaft e mirë profesionale, nuk i zotëroj këto teknika… Mund ta bëj përafërsisht, por nuk është autentike, ashtu siç mësohet pikërisht në Shiroka Llëka…” Për të ka qenë nder të mësonte mjeshtërinë e saj në zemrën e Rodopëve, ndërsa në orët e lira ka shfrytëzuar mundësinë të shëtisë nëpër mal. “Në Bullgari ka shumë vende për t’u parë. Thjesht ka kaq shumë thesare – sigurisht deti, por edhe malet, shpellat, shumë lumenj dhe liqene… magji natyrore që jo çdo shtet i ka.”



E para gjë që i vjen në mendje kur thotë “Bullgari”?

“Këngët popullore! Kur dëgjoj ‘Bullgari’, në çastin e parë, sapo mbyll sytë, më vijnë kostumet popullore. Stërgjyshi im ka qenë një nga koreografët më të rëndësishëm të vallëzimeve shope – gjyshi i babait tim. Ndërsa mamaja ime është nga rajoni i Rodopëve, prej andej di shumë këngë rodopase. … Por gjithashtu, nëse mund të them, më kujtohet shumë shpejt byrekun (banica). E adhuroj byrekun!”



E bukura dhe shumë e hollë Aleksandra-Joana me sinqeritet pranon se e lidh Bullgarinë me “shumë delikatesa dhe ushqime të shijshme, të cilat nuk ka mundësi t’i hajë askund tjetër”. Gjatë vitit të fundit ka ardhur shpesh në atdhe, ndërsa në muajt në vijim e presin mjaft angazhime në Austri dhe Gjermani. Prandaj nuk e di kur do të kthehet këtu – por do të dëshironte të ishte sa më herët që të ishte e mundur, sepse në Sofje tashmë e presin kolegët e mrekullueshëm nga Opera dhe publiku i saj entuziast.

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: alexandra-yoana-alexandrova.de, operasofia.bg, Facebook/ Alexandra-Yoana Alexandrova 



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Vlladisllav Hristov

Vlladislav Hristov fitoi çmimin më të lartë në botë për vargje haiku

Poeti dhe autori i haikut nga Plovdivi, Vlladislav Hristov, fitoi çmimin e madh në konkursin ndërkombëtar të haikut të organizuar nga Muzeu Memorial i Matsuo Basho në qytetin Iga të Japonisë. Për herë të parë, një bullgar ka marrë çmimin..

botuar më 25-10-16 5.34.MD

Bullgaria merr pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Frankfurt

Ministri i Kulturës Marian Baçev hapi një stendë bullgare në Panairin e 77-të Ndërkombëtar të Librit në Frankfurt. Ministrat shprehën mirënjohje për organizatorët nga Shoqata Bullgare e Librit, Instituti Bullgar i Kulturës në Berlin dhe diplomatët..

botuar më 25-10-16 11.06.PD

Në romanin e tij të ri, Peter Georgiev Ray zbulon të metat e brezit të ri

“Një libër plot humor, por edhe me të vërteta që mund të jenë të dhimbshme” – Peter Georgiev Ray hapi perden drejt romanit të tij të ri "Dita kur më morën virgjërinë", premiera e të cilit u zhvillua më 6 tetor në galerinë “Bullgarë” në kryeqytet...

botuar më 25-10-13 8.00.MD