Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Si lëshohen lejet e ndërtimit dhe si ndërtimet e paligjshme bëhen të ligjshme

Intervistë me inxhinier Dimitër Kumanov nga organizata joqeveritare "Ballkanka"

Foto: arkiva

Një tjetër fatkeqësi, një tjetër analizë dhe masa të ndërmarra nga institucionet përgjegjëse. Përmbytja shkatërruese që goditi vendbanimin turistik “Elenite” një javë më parë dhe mori me vete katër jetë njerëzish, çoi në një “zgjim” nga ana e shtetit – objektet e përmbytura (hotel dhe akuapark) janë ndërtuar mbi shtratin e një lumi dhe janë të paligjshme. Por në vitet e kaluara, institucionet përgjegjëse për lejet e ndërtimit nuk e kanë gjykuar kështu – ato e kanë "zhdukur" lumin nga hartat dhe e kanë kthyer në pronë private një territor që më parë ka qenë pronë publike shtetërore.

Në fund, zgjidhja është pozitive, edhe pse me shumë vonesë – objektet mbi shtratin e lumit do të prishen, premtuan ministri i Zhvillimit Rajonal dhe Infrastrukturës Ivan Ivanov dhe Drejtoria për Kontrollin Kombëtar të Ndërtimit (DNSK). Por si lëshohen lejet e ndërtimit në Bullgari, a është ndërtimi mbi shtratin e lumenjve një fenomen i zakonshëm dhe pse është e mundur që lejohen shkelje të tilla?
Dimitër Kumanov
Me ryshfete, është përgjigjja e qartë dhe e shkurtër e inxhinier Dimitër Kumanov nga organizata joqeveritare "Ballkanka", e cila punon për mbrojtjen e pasurive ujore në vendin tonë.

“Nuk mund të them që gjithçka në Bullgari ndërtohet mbi lumenj, por kjo është një dukuri shumë e zakonshme. Ne mund të komentojmë se kjo është e paligjshme, dhe padyshim që shkel një sërë nenesh ligjorë, por në fund të fundit duhet që prokuroria të ndërmarrë veprime procedurale dhe gjykata të vendosë se është e paligjshme. Gjë që tek ne thjesht nuk do të ndodhë. Shumë organe shtetërore e kanë bërë të mundur këtë gjë,” – komenton ai për rastin e fundit në kurortin bregdetar “Elenite”, ku, sipas tij, është shkelur Ligji për Ujërat, neni 143 i të cilit ndalon ndërtimin mbi shtratin e lumenjve.

Ndërtimi në bregdetin tonë të Detit të Zi duhet të rëndojë në ndërgjegjen e arkitektëve që kanë lejuar një ndërtim të tillë, i cili jo vetëm që përbën krim sipas Kodit Penal, por edhe është në kundërshtim me arsyetimin logjik, theksoi inxhinier Dimitër Kumanov. Sipas tij, përgjegjësitë janë të përcaktuara shumë qartë në legjislacionin tonë, por vitet e fundit është bërë "modë" në të gjithë vendin të mbulohet shtrati i lumenjve, mbi të cilët më pas ndërtohet. Institucionet shtetërore nga ana e tyre bëjnë që ky ndërtim të duket në mënyrë formale si I ligjshëm. Si ndodh kjo? – shpjegon inxhinier Kumanov:

"Në Bullgari ekzistojnë dy lloje korrupsioni. Njëri është ai direkt – investitori merret vesh me kryetarin e bashkisë, me kryearkitektin, nëse duhet edhe me këshillin bashkiak. Dhe lloji tjetër – unë e quaj “korrupsion telefonik”. Kur dikush nga lart u telefonon atyre që janë më poshtë dhe nga të cilët varen gjërat, dhe u thotë: 'Do vijë një njeri i imi, duhet ta rregulloni'. Por kjo është e pavërtetueshme në gjykatë, atje mbretëron një heshtje e plotë. Dhe në fund del që institucionet shtetërore dhe bashkiake kanë lejuar ndërtimin pa marrë ryshfet."

Kumanov jep edhe një shembull tjetër të neglizhencës ose “syve plotësisht të mbyllur” – në territorin e Sofjes vazhdimisht derdhen "male" mbeturinash ndërtimore mbi shtratin e përrenjve dhe lumenjve. Gjithashtu, shumë lumenj në kryeqytet, por edhe në mbarë vendin, nuk janë të përfshirë në hartat kadastrale, ndërkohë që disa prej tyre kalojnë edhe nëpër prona private. Kjo është një recetë për probleme të ardhshme.

Dhe ai paralajmëron – është plotësisht e mundur që edhe në kryeqytet të jemi dëshmitarë të ndërtimit të paligjshëm mbi lumenj, ashtu siç ndodhi në rastin e bregdetit.

Nëse duhet të përmbledhim – përgjegjësia shpërndahet midis disa institucioneve që kanë lejuar ndërtimin, por në të njëjtën kohë secili prej tyre mban një pjesë faji. Së pari, në rastin me “Elenite”, dikush ka dhënë toka shtetërore pyjore te një investitor privat. Më pas, në kadastra është fshehur fakti që aty kalon një lumë dhe toka është përcaktuar si tokë për ndërtim. Hapi i tretë – mbi këto të dhëna të gabuara është përgatitur plani i detajuar urbanistik, i cili dorëzohet nga Bashkia te Inspektorati Rajonal për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ujërave(RIOM), i cili më pas e dërgon te Drejtoria e Burimeve Ujore. Pas miratimit nga të gjitha këto institucione, përgatitet projekti, hartohet raporti i përputhshmërisë dhe dorëzohet në Bashki, ku duhet të marrë nënshkrimin përfundimtar nga kryearkitekti dhe më pas lëshohet leja e ndërtimit.

Sipas inxhinier Kumanov, gjithë ky zinxhir e bën të pamundur që një njeri apo institucion të mbajë realisht përgjegjësi.

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: arkiva, Ani Petrova - BNR, BGNES, BTA, BNR Burgas



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

95 për qind e japonezëve e njohin kosin bullgar

Një laborator i përbashkët kërkimor i “LB Bulgaricum” dhe atij japonez “Meiji” do të hapet në gjysmën e parë të vitit 2026. Ai do të zhvillojë produkte të reja dhe do të studiojë përfitimet e kosit tradicional bullgar. Kjo u njoftua pasi Ministri i..

botuar më 25-10-14 2.52.MD

Mbi 20 000 bullgarë dhe kompani nga jashtë - përdorues të faqes për punë në atdheun e tyre

Raportohet një interes në rritje për faqen e re të “Bulgaria Wants You” vetëm një muaj pas lançimit të saj, njoftoi organizata. Mbi 10 000 përdorues të rinj janë regjistruar. Për krahasim, ky është numri i të gjitha regjistrimeve në faqe që nga..

botuar më 25-10-14 11.58.PD

Pse drejtuesit e huaj të kamionëve bëhen objekt i korrupsionit në rrugët e Bullgarisë

Inspektorati Shtetëror i Transportit është, organi që merret me kontrollin e trafikut të mjeteve të rënda në territorin e vendit dhe që është pjesë e Agjencisë Ekzekutive të Administratës së Transportit (IAAA), pas rastit të fundit, ndoshta më të..

botuar më 25-10-13 7.10.PD