Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Piktori i ri Nikollas Stoiçkov: E mira është gjithashtu një lloj arti

10
Foto: Facebook / Art Nikolas

Nikollas është 15 vjeç. Ai është piktor i vetmësuar, por pjekuria në krijimtarinë e tij dhe forca e shpirtit të tij ngjallin admirim te çdo person që prek talentin e tij. Ai është një njeri që zhvillon beteja të brendshme dhe vazhdon përpara edhe në momentet kur diçka nuk shkon. Një krijues që merr mbështetje nga njerëzit më të rëndësishëm në jetën e tij – familja dhe miqtë. Dhe nga mësuesit, të cilët i kujtojnë pse ka zgjedhur këtë rrugë. Ai pikturon për të frymëzuar dhe ndërton të ardhmen me duart e tij. Udhëtimi i tij në botën e artit filloi kur ishte rreth 9 vjeç:

"Që në atë kohë, sapo mbaroja detyrat e shtëpisë, gjithmonë merrja një fletë dhe një laps dhe filloja të vizatoja. Kjo ishte mënyra ime për të shprehur artin tim, ndjenjat e mia dhe për të zbuluar botën në mënyrën time" – thotë krijuesi i ri.

Talenti i tij u vu re, dhe Biblioteka Kulturore "Razvitie – 1892" në qytetin e tij të lindjes, Bjalla Sllatina, organizoi ekspozitën e tij të parë personale.

"Ky ishte momenti kur kuptova se arti nuk është thjesht një hobi, por rruga ime për të vazhduar përpara. Frymëzimi për mua është kudo: në ngjyrat, njerëzit, kafshët, në gjërat e vogla që shpesh i anashkalojmë – është ai momenti kur nuk mendon, por thjesht ndjen. Më pëlqen të vëzhgoj botën dhe të kthej emocionet e mia në imazhe. Kur pikturoj, ndjej një liri të plotë. Sikur koha të ndalet dhe të jem vetëm unë dhe telajoja" – thotë Nikollasi në një intervistë të veçantë për Radio Bullgarinë dhe shton: – "Talenti është vetëm fillimi. Ai është si një shkëndijë, por pa punë, këmbëngulje dhe disiplinë, kjo shkëndijë mund të shuhet shumë shpejt. Në art ka diçka shumë personale. Ti thjesht rritesh me të dhe çdo ditë që vizaton, gabon dhe provon përsëri, në fakt e zhvillon talentin tënd. Unë besoj se puna e kthen talentin në diçka të vërtetë dhe të gjallë."

Pikturat e Nikollas Stoiçkov rrezatojnë dritë dhe qetësi, dhe mënyra e mrekullueshme se si i kombinon ngjyrat, imazhet e ndritshme dhe mbresëlënëse në krijimet e tij na bën vërtet përshtypje. Këtë e dëshmojnë dy ekspozitat e tij dhe shumë komente pozitive në rrjetet sociale. Disa nga veprat e tij janë pronë jo vetëm e koleksionistëve dhe organizatave, por edhe e shumë donatorëve, sepse Nikollas nuk derdh vetëm shpirtin, ndjenjat dhe mendimet e tij mbi telajo – në moshën 4-vjeçare, ai doli fitues në betejën më të egër me kancerin, dhe sot ai vetë ndihmon të tjerët:

“Kam fatin të jem pjesë në nisma të ndryshme bamirësie, sepse besoj se e mira është gjithashtu një lloj arti. Veçanërisht afër e ndiej temën e kafshëve – pastërtia dhe përkushtimi i tyre më frymëzojnë gjithmonë. Në shtëpinë tonë kujdesemi për shtatë këlyshë të shpëtuar dhe një kotele, të cilët nuk janë thjesht kafshë shtëpiake, por pjesë e vërtetë e familjes sonë. Ata më mësojnë çdo ditë kuptimin e fjalëve dashuri, durim dhe kujdes, dhe shpesh më japin frymëzim për artin tim” – ndan i riu.

Si e sheh Nikolas rrugën e tij në të ardhmen?

“Unë e shoh si një rrugë të të mësuarit dhe zhvillimit të vazhdueshëm. Dua të eksperimentoj, të zbuloj mënyra të reja për të shprehur veten, kryesisht përmes artit” – përgjigjet ai dhe u jep një këshillë të rinjve: – “Nëse kanë një talent, ta zhvillojnë dhe të mos heqin dorë nga ëndrrat e tyre. Thjesht le të vazhdojnë përpara!”

Ëndrra e piktorit të ri është të realizojë një ekspozitë personale në Sofje, dhe ne jemi të bindur se kjo është vetëm çështje kohe!

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Aleksandër Borimeçkov
Foto: Shoqata për Zhvillimin e Komunitetit Bullgar në Moldavi

Aleksandër Borimeçkov dhe puna e tij në dobi të bashkatdhetarëve tanë në Moldavi

Bullgarët në Moldavi janë mbi 80 000 persona, dhe një pjesë jo e vogël e tyre jeton në pjesën jugore të vendit. Numri më i madh është i përqendruar në qytetin Tarakli dhe në rajonin përreth. Një nga qendrat shoqërore, e krijuar me nismën e komunitetit..

botuar më 25-11-17 7.15.PD

Nina Vasileva-Zaneshev dhe thirrja e saj për të frymëzuar bullgarët në Austri

Bashkatdhetarja jonë, Nina Vasileva-Zaneshev, është një nga shembujt në mesin e diasporës sonë jashtë vendit, që na japin besim se, kudo që të ndodhen në botë, komunitetet bullgare nuk do ta humbasin lidhjen e tyre me Bullgarinë. E lindur në një qytet të..

botuar më 25-11-12 7.00.PD

Kirill Kutin – konsulli i parë nderi i Bullgarisë në Norvegji

Më 24 tetor, me një ceremoni zyrtare dhe koncert festiv në qytetin norvegjez Stavanger, u hap Konsullata e Nderit e Bullgarisë në Norvegji. Konsulli i parë i nderit është pianisti Kirill Kutin, i cili gjatë dy dekadave të fundit është afirmuar si një..

botuar më 25-11-04 7.00.PD