Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Mezzosopranoja nga Gjeorgjia dhe baritoni nga Rumania janë fituesit e “Operalia 2025” në Sofje

Foto: BTA

Bukuroshja gjeorgjiane me një zë të mrekullueshëm mezzosoprano, Ekaterine Buachidze dhe baritoni karizmatik rumun Mihai Damian, janë mbajtësit e çmimit të parë në kategorinë “Opera” të konkursit të famshëm të këngëtarëve “Operalia”, i cili u zhvillua në kryeqytetin e Bullgarisë nga 20 deri më 26 tetor. Këtë herë mendimet e jurisë prestigjioze dhe të adhuruesve bullgarë të operës përputheshin plotësisht dhe të dy fituan gjithashtu edhe çmimet e publikut.

Ekaterine Buachidze

Mihai Damian

Tek meshkujt, çmimi për interpretim të një arie nga zhanri specifik muzikor dhe skenik spanjoll zarzuela shkoi tek një tjetër i preferuar i publikut bullgar – baritoni nga Armenia Grisha Martirosyan, i cili fitoi edhe çmimin e dytë.

Najden Todorov

Finalja e konkursit, i njohur në mbarë botën si “olimpiada operistike”, ishte më 26 tetor në sallën “Bullgaria”. Koncertin gala të 11 finalistëve me Filharmoninë e Sofjes e dirigjoi Najden Todorov në pjesën operistike, ndërsa ariet nga zarzuelat u interpretuan nën drejtimin e madh Plácido Domingo, themeluesi i “Operalia” në vitin 1993. Koncerti, sipas traditës, përfundoi me himnin e “Operalia”-s, me autor Plácido Domingo, i interpretuar nga të gjithë pjesëmarrësit në konkurs.

Plácido Domingo

Historia e garës fillon në Paris. Ideja e Domingo-s është të ndihmojë karrierat e këngëtarëve të rinj të talentuar, duke u dhënë mundësinë të paraqiten para menaxherëve të teatrove më prestigjioze operistike në botë. Pjesëmarrësit duhet të jenë të moshës midis 18 dhe 32 vjeç dhe tashmë të jenë aktivë profesionalisht. Kandidatët duhet të paraqesin dy videoincizime me interpretim live, të realizuara kohët e fundit. Sipas organizatorëve, çdo vit “Operalia” merr nga 700 deri në 1000 propozime për pjesëmarrje, të cilat shqyrtohen nga një komision i posaçëm. 40 nga kandidatët arrijnë në çerekfinale, që zhvillohen live në qytetin dhe teatrin e përzgjedhur. Vlerësimi bëhet me sistem pikësh. Kryetar i jurisë, i cila ndjek teknikën vokale, muzikalitetin dhe praninë skenike të artistëve të rinj, është Plácido Domingo, dhe ndër anëtarët, përveç bashkëshortes së tij – Marta Domingo, janë këngëtarë, regjisorë operistikë, drejtorë kastingu, drejtorë artistikë dhe konsulentë të teatrove operistike botërore. Pas edicioneve në Kejptaun, Riga, Moskë, Pragë, Lisbonë dhe Astana në vitet e fundit, nga 20 deri më 26 tetor 2025 konkursi u zhvillua në Sofje, sipas propozimit të sopranos së njohur bullgare Sonja Jonçeva dhe kompanisë së saj prodhuese SY11, në partneritet me Filharmoninë e Sofjes.


Në botën e muzikës, “Operalia” shpesh krahasohet me lojërat olimpike në sport. Konsiderohet si gara më prestigjioze për talentet operistike në ngritje, të vlerësuar nga drejtues të teatrove më të njohura operistike në botë. Konkursi përcakton tendencat dhe standardet botërore operistike për më shumë se tre dekada. Një pjesë e laureatëve të tij janë ndër interpretuesit kryesorë në skenat më të mëdha.



Ndër emrat si Joyce DiDonato, José Cura, Erwin Schrott, Joseph Calleja, Aida Garifullina, Pretty Yende, Nadine Sierra, Lise Davidsen, Angel Blue, shkëlqen edhe Sonja Jonçeva – fituese e çmimit të parë dhe çmimit special CulturArte në konkursin e mbajtur në Milano në vitin 2010. I vetmi tjetër bullgar që ka fituar “Operalia”-n është basi Orlin Anastasov në vitin 1999.



Ndër finalistët e edicionit të fundit ishin tenori Nathan Bowles nga SHBA, i cili mori çmim inkurajues; sopranoja Samira Galimova nga Rusia me çmimin e tretë te femrat; basi-bariton Alexander Grasauer nga Austria, që fitoi çmimin me emrin e Birgit Nilsson për interpretim të një arie nga Richard Wagner ose Richard Strauss; të njëjtin çmim e mori edhe mezzosopranoja Natalie Lewis nga SHBA, e cila u bë gjithashtu fituese e çmimit të dytë për femra. Tenori Dave Monaco nga Italia fitoi çmimin e tretë dhe çmimin e Operës Shtetërore të Plovdivit. 

I vetmi bullgar i pranuar për pjesëmarrje në konkurs këtë vit – basi Bozhidar Bozhkillov, për fat të keq nuk arriti të kualifikohej për në gjysmëfinale.



Të mërkurën, në konferencën për shtyp në sallën “Bullgaria”, Sonja Jonçeva falënderoi Plácido Domingon, “ky artist i jashtëzakonshëm, një nga partnerët më të pabesueshëm që kam pasur ndonjëherë në skenë”, për faktin që krijoi konkursin. “E dini, pesëmbëdhjetë vjet më parë unë isha laureate për habinë time më të madhe dhe fitova vendin e parë në ‘Operalia’, gjë që hapi të gjitha dyert e mundshme në industrinë tonë për mua dhe për tipin e zërit tim,” – vazhdoi Jonçeva. “Emocioni im është i madh, sepse jam mësuar të jem me Plácidon në një skenë, ndërsa tani jemi në një juri bashkë… Mund të them se puna është në nivel jashtëzakonisht të lartë. Kriteret janë jashtëzakonisht të larta dhe kur dëgjoj debatet dhe mënyrën si punohet, i them vetes: ‘Oh, me të vërtetë edhe unë në këtë mënyrë jam kritikuar!’. Kjo është shenjë e një cilësie të jashtëzakonshme – ‘Operalia’ me të vërtetë kërkon yjet më të mëdha.” Në përfundim Sonja Jonçeva ndau:

“Dua të them se kur një këngëtar fiton ‘Operalia’-n, gjërat nuk ndalojnë aty. Praktikisht, Plácido dhe ‘Operalia’ – të paktën kështu ishte në rastin tim, por e kam parë edhe me këngëtarë të tjerë – Plácido është një prej nesh. Ai na fton në koncertet e tij, ne mund të këndojmë me të, të marrim pjesë me të në shfaqje, gjë që është një pjesë e madhe e frymëzimit tonë të ardhshëm. Si të ndërtojmë karrierën tonë – ai na jep një shembull të jashtëzakonshëm. Më pëlqeu pyetja – si do të renditeshit midis të gjithë këtyre pjesëmarrësve? Ja kështu e bën ai. Ai na pranon në rrethin e tij dhe kështu rritemi si artistë.”





Është fakt që laureatët e “Operalia”-s marrin një lloj marke cilësie – “vulën e Plácido Domingo-s”, i cili i do pafundësisht artistët e rinj dhe beson se opera do të jetojë përgjithmonë. Bashkëpunëtore, partnere dhe pasuese e tij e sinqertë në misionin për të ndihmuar të rinjtë në art është Sonja Jonçeva, e cila para ceremonisë së ndarjes së çmimeve dha mesazhin e saj:

“Dua të them disa fjalë për pjesëmarrësit dhe këngëtarët e rinj. Pavarësisht se ku jeni lindur, arti juaj i përket botës. Në karrierën tuaj do të ketë ngritje dhe rënie, por ju lutem, kurrë mos u dorëzoni! Mos harroni se opera nuk është një lojë individuale, por një punë në ekip… Gjithmonë mbani mend se si artistë dhe persona publikë, ne mbajmë përgjegjësinë e madhe për t’u kujdesur për artin si pjesë e historisë dhe trashëgimisë sonë kulturore.”

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: BTA



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Miro dhe ALMA sërish në një projekt të fuqishëm dhe emocional – “Atje”

Kur dy emra yjesh bashkohen në një duet, suksesi është i sigurt. Kështu ndodhi me këngën nga Miro dhe ALMA “Më shumë”, dhe me siguri i njëjti fat do të ndiqet edhe nga bashkëpunimi i tyre i dytë – “Atje”. Kënga është krijuar gjatë kampit krijues Sofia..

botuar më 25-10-28 6.05.PD

Trioja е njohur vokale "Antibiotika" me një këngë të re pas një ndërprerjeje 14-vjeçare

Një trio vokale, pjesë e rritjes së muzikës pop bullgare në agim të mijëvjeçarit të ri - "Antibiotika" - është rikthyer me një këngë të re. Edhe pse të shpërndara në pjesë të ndryshme të botës, Ani, Sillvija dhe Savina na prezantojnë "Duket si..

botuar më 25-10-27 6.05.PD
Stefka Sëbotinova

Kryevepra të kulturës muzikore bullgare: “U shemb mali” – perla në repertorin e këngëtares Stefka Sëbotinova

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova Foto: arkiv, Ansambli “Filip Kutev”, BTA

botuar më 25-10-24 6.55.PD