Shtëpi druri të vendosura në rrugica plotë pluhur, një përrua që gurgullon lehtë dhe një kurorë pyjesh ahu dhe lisi në zonën përreth – fshati Medven duket si një imazh nga një përrallë fëmijësh. Dhe ndërsa qytetet fqinje Kotell dhe Zheravna tërheqin turma turistësh, Medven mbetet larg shtigjeve të njohura – një vend i qetë, me një atmosferë po aq autentike sa ajo e Rilindjes Kombëtare Bullgare.
E themeluar në shekullin e XVI-të, ky fshat i vogël i strukur në bjeshkët e rajonit të qytetit Kotell, tregon historinë e banorëve lokalë, të cilët prodhonin aba dhe shajak për ushtrinë osmane, si dhe tezgjahë dhe fuçi druri. Në kishën “Shën Marina”, ngritur në vitin 1882, ruhet edhe ikona e shenjtores, që mbijetoi mrekullisht gjatë djegies së kishës së mëparshme nga osmanët.

Doc. Dr. Smilena Smillkova, kryetare e Vatrës së Kulturës “Izvor 1882”, rrëfen:
“Gjatë viteve të fundit kam, më pak a më shumë, mundësi të kaloj një pjesë të kohës sime këtu. Ndjenja ime personale për këtë fshat është se ndodhem në një parajsë, për shkak të bukurisë së natyrës, qetësisë dhe heshtjes. Në fillim të shekullit të XX-të, popullsia e Medvenit arrinte rreth një mijë banorë – një shifër aspak e vogël. Kishte të paktën 20 pijetore dhe kafene, ndoshta edhe më shumë dyqane. Jeta ishte shumë aktive. Me kalimin e kohës, megjithatë, njerëzit filluan ta linin fshatin, dhe në fillim të shekullit të XXI-të popullsia sipas regjistrit zgjedhor ishte 98 vetë. Është e vërtetë që ka edhe njerëz që kanë të afërm këtu dhe zotërojnë shtëpi. Kryesisht gjatë verës, fshati gjallërohet dhe, le të themi, arrin deri në 150–200 persona.”

Në Medven, çdo shtëpi është ndërtuar mbi një themel guri me trarë druri të vendosur horizontalisht. Dritaret kanë grila të drurit nga brenda, të cilat krijojnë një atmosferë ngrohtësie dhe sigurie. Më e mahnitshme është “dhoma” e brendshme, e tëra prej druri, me dollapë të integruar dhe me ikonostas të detyrueshëm në murin lindor. Këtu ndodhet edhe oxhaku, si dhe “minderi” i gjerë – gjatë ditës aty priteshin mysafirët, ndërsa natën kthehej në shtrat për familjen. Edhe sot, në disa nga këto shtëpi të vjetra mund të shihen unaza të varura në tavan, ku lidhnin djepet e foshnjave.

"Vetë unë jetoj në një shtëpi të tillë, e cila ka gjasë të jetë mbi 150 vjeçare. Shumë shtëpi në fshat janë autentike ose e kanë ruajtur pamjen e tyre autentike. Dhe sa herë që i shoh, admiroj talentin dhe gjeniun e mjeshtrit bullgar. Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, kur u ndërtuan, përdoreshin materiale nga pyjet përreth me gjethe të gjera dhe halore. Dyert hyrëse zakonisht janë me dy kanate. Interesante është se shtëpitë kanë dy hyrje ose dy dalje. Me shumë gjasë, kjo lidhet me kohën kur u ndërtuan shtëpitë dhe u jepnin njerëzve mundësinë të iknin në rast nevoje."

Në ditët e sotme, një pjesë e shtëpive në Medven janë të braktisura dhe gradualisht po rrënohen, të tjerat janë restauruar dhe shërbejnë si vila për pronarët e tyre, ndërsa disa janë kthyer në shtëpi mikpritëse për mysafirë. Fshati ka edhe një muze:
“Në vitin 1850 në Medven lindi Zahari Stojanov – revolucionar, politikan, gazetar dhe shkrimtar bullgar. Më vonë në fshat u krijua një muze kushtuar kësaj figure të ndritur dhe të madhe bullgare. Edhe pse nuk është në shtëpinë e tij të lindjes, muzeu prapëseprapë tërheq gjithmonë vizitorë. Ka edhe një vend të quajtur “Sinija vir” (Pishina Blu), rreth 20–30 minuta në këmbë nga fshati, me një ujëvarë të mrekullueshme që bie në një pishinë të thellë. Dhe ajo nuk është aspak e cekët – është rreth 8 metra e thellë. Ky është i ashtuquajturi plazh i banorëve të Medvenit. Çdo verë atje ka shumë njerëz që lahen dhe tregojnë guxim, duke u hedhur nga shkëmbinjtë e lartë në pishinë. Një vend tërheqës – pjesë e bukurisë së natyrës së Medvenit” – thotë në përfundim docentja, Dr. Smilena Smilkova.

Lexoni më shumë për fshatrat e lashta bullgare në koleksionin e Radio Bullgarisë:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Veneta Nikollova
Ecjet me kalë janë një mënyrë jo e zakonshme për të njohur Bullgarinë. Itineraret shpesh kalojnë në vende të paarritshme për turistin masiv dhe janë të mbushura me aventura dhe përvoja kulturore. Një javë me kalë në Bullgari kushton nga 1200 d..
Sektori turistik në Bullgari shënon rritje gjatë viteve të fundit, si në sezonin veror, ashtu edhe në atë dimëror. Sipas të dhënave të ministrisë përkatëse deri në fillim të tetorit, qytetarët bullgarë që kanë vizituar destinacione turistike në vend kanë..
Hekurudha me binarë të ngushtë e Rodopeve është emëruar si një nga udhëtimet më piktoreske me tren të vjeshtës në botë, sipas një sondazhi të ri ndërkombëtar të kryer nga platforma britanike e udhëtimit JR Pass. Linja e famshme hekurudhore që..