13
Atë Genadij Martinov është bullgar besarabian, me origjinë nga fshati Devetlij, rajoni i Odesës (Ukrainë). Dy shekuj më parë, fisi i tij jetonte në Trakinë Lindore, pranë Edrenesë, por pas përfundimit të Luftës Ruso-Turke (1828–1829), gjatë valës së madhe të shpërnguljeve, të parët e tij u vendosën në Besarabi për t’u shpëtuar mizorive turke. Që atëherë, Bullgaria ka mbetur në pjesën më të shenjtë të zemrave të tyre, për të forcuar shpirtin e tyre bullgar brez pas brezi. Pa e parë asnjëherë me sytë e tyre, ajo ishte toka më e shenjtë, për të cilën të gjithë atje mallëngjehen dhe flasin me nderim të thellë. Kështu, edhe për Atë Genadij “Bullgaria është diçka e jashtëzakonshme, diçka e mrekullueshme, diçka e ndritshme” – ajo është rrënja e zemrës së tij, e gjakut të tij.
Në moshën 28-vjeçare, Zoti ia ndryshoi fatin në atë mënyrë që ai të zbulonte fuqinë e besimit në Krisht, besim që shëron dhe bën mrekulli. Pasi iu lut për shërimin e djalit të tij nga një sëmundje e pashërueshme, ai ia kushtoi jetën shërbimit ndaj Zotit dhe, si prift, nga ana e tij filloi të lutet për të sëmurët dhe të vuajturit, të shpëtojë shpirtrat njerëzorë dhe të ndërtojë një Kishë prej njerëzish të gjallë.
“Atje ku mbetet ngrohtësia, atje ku mbetet shpresa, atje ku lind besimi – ndryshon edhe jeta e njeriut, dhe unë jam atje – thekson Atë Genadij. – Kjo është gjëja më e rëndësishme për mua.”

Me kujdes dhe dashuri atësore, prifti i kthen shumë njerëz drejt Zotit dhe krijoi një kuzhinë për të varfrit pranë kishës së qytetit Arciz “Shën Hyjlindësja – Gëzimi i të gjithë të pikëlluarve”, ku ai është kryeprift. Ai frymëzohet nga shembulli i Shën Joan Kronshtadskit, i cili ka zbuluar botën e brendshme të njeriut, ndërlidhjet e ndërlikuara të tij me shoqërinë dhe mënyrat se si besimi mund të jetë i dobishëm për jetën njerëzore.
“Njeriu është i prirë të përvetësojë një profesion, të ketë ndonjë pasion dhe më pas shpesh nuk dëshiron të zgjerojë horizontin e tij.Por për besimin duhet të tregosh përpjekje, të shfaqësh vëmendje, këmbëngulje dhe kureshtje. Atëherë fillojnë të të tërheqin fusha të tjera, që më parë nuk të kanë interesuar. Besimi është pikërisht ajo gjë, në të cilën njeriu duhet të depërtojë, të ndalojë frymën, të përqendrohet dhe të zgjojë në veten e tij disa “receptorë” të tjerë – ata që e frymëzojnë, që e ringjallin për diçka më të lartë se e zakonshmja.
Që ta tërheqësh njeriun drejt shembullit të mirë, duhet të dish çfarë do ai, çfarë i shkon më lehtë të bëjë. Mbi këto parime, Shën Joan Kronshtadski e themeloi Shtëpinë e Punës dhe Mëshirës, ku arriti të mbledhë fëmijët e varfër dhe gratë e banditëve të Kronshtadit, që të ushtronin talentet e tyre në punëdore, në vend që të vidhnin apo të lypnin. Në këtë mënyrë, përreth Kishës, përveç veprimtarisë liturgjike, u shfaqën edhe njerëz që, me mundësitë dhe dhuntitë e tyre, i shërbenin gjithashtu Kishës dhe misionit të saj për kujdes ndaj shoqërisë.”
Në realizimin e këtij misioni shoqëror të Kishës, Atë Genadij fillon pasi i jepet mundësia të vizitojë Bullgarinë. Në atdheun e tij e impresionon historia e mijëvjeçarit të parë dhe bazat e forta të bashkëpunimit midis shtetit bullgar dhe Kishës. Sipas fjalëve të Atë Genadij, të krijosh një urë shpirtërore midis Kishës dhe pushtetit laik nuk është aspak e lehtë, sepse ato janë dy institucione krejtësisht të ndryshme. Secila ka organizimin, kanunet dhe ligjet e veta, dhe për të pasur pajtim midis tyre, më parë duhet të ekzistojë vullneti njerëzor.

Pikërisht kjo urë shpirtërore “është në bazë të projektit”të Atë Genadijit “Bazilika e Madhe – nga Pliska deri në Arciz”, që synon të lidhë Bullgarinë dhe bullgarët e Besarabisë në Shtëpinë e Vëllazërisë të konceptuar prej tij.

“Më duhej shumë një hapësirë më neutrale në oborrin e kishës, dhe bazilika ofron këtë mundësi – shpjegon Atë Genadij. – Ajo përfaqëson formën më të qëndrueshme arkitekturore nga antikiteti deri në ditët tona, prandaj mendova: pse të mos e ribëjmë?”

Ndërtimi në qytetin Arcizi filloi në vitin 2011, në një sipërfaqe prej 14 dynymësh. Aty, me punë vullnetare dhe me donacione, bullgarë të Besarabisë nga zonat përreth riprodhojnë në shkallë të plotë bazilikat nga qytetet e lashta bullgare, Nesebër dhe Pliska, me elemente nga arkitektura kishtare e qyteteve Presllav dhe Veliko Tërnovo.

Kompleksi, i cili tashmë është ndërtuar 70%, përfshin një kishë me atrium, një rotondë me baptister, një Shtëpi të Mëshirës, një muze të Besëlidhjes së Vjetër, kuzhina, sallat për të pastrehët, punëtori artizanale, shkollë dhe banesa.
Me mjete financiare ndihmojnë edhe bullgarët që shohin në kompleksin e ardhshëm jo vetëm ringjalljen e rolit të shquar të Bullgarisë si vend i arsimit dhe kulturës, por edhe një qendër të besimit të gjallë, që të forcojë lidhjet tona me bashkëvëllezërit e Besarabisë brenda një familjeje të madhe ortodokse.

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Darina Grigorova, BTA, basilica.bg, bessarabiainform.com, besarabia.bg,
Pianiste e talentuar dhe pedagoge e njohur, për gati tre dekada Rosica Banova ka dhënë mësim në Shtetet e Bashkuara dhe në Azi. Ajo ka dhënë koncerte në Austri, Hungari, Poloni, Çeki, Spanjë, Francë, Greqi, Rusi, Kinë, Vietnam dhe Tajlandë, ndërsa..
“Nuk kam pasur kurrë dëshirë të emigroj, por pak pas martesës sonë e shoqërova bashkëshortin tim në Mançester, ku ishte dërguar për specializim” – kujton fillimin e historisë së saj jetësore jashtëzakonisht interesante arkitektja Eva Popnedeleva. Pas një..
Nikollas është 15 vjeç. Ai është piktor i vetmësuar, por pjekuria në krijimtarinë e tij dhe forca e shpirtit të tij ngjallin admirim te çdo person që prek talentin e tij. Ai është një njeri që zhvillon beteja të brendshme dhe vazhdon përpara edhe në..